Burgu pas reformës në drejtësi/Rama dhe Berisha i gjejnë qelinë njeri-tjetrit
Pas miratimit me konsensus të reformës në drejtësi pritej që tonet e politikës të ishin më të qeta. Por debati në seancën e djeshme të Kuvendit mes Kryeministrit Edi Rama dhe ish-kryeministrit Sali Berisha është përqendruar se kush e ka radhën për në burg, pas kalimit të ndryshimeve në Kushtetutë.
Fillimisht ishte kryeministri Edi Rama, të cilit i kishte bërë përshtypje që si rrallë herë Sali Berisha foli me letër në Kuvend. Sipas Ramës, kjo është dëshmia se ish-kreu i qeverisë po kujdeset që mos bëjë deklarata të pamenduara, të cilat mund të përdoren si dëshmi në ndonjë gjykatë.
“Sali, kam tre vjet që jam këtu dhe është hera e parë që je përgatitur me shkrim, si dëshmitarët e rremë që përgatiteshin me shkrim në kohën e partisë tënde të parë, që mos ti kapte gjykata në kundërthënie. Mirë ke bërë që je përgatitur me shkrim, se tani që reforma vazhdon nuk i dihet se ku do jesh dëshmitar në të ardhmen”,- u shpreh Kryeministri Edi Rama. Aludimi i Kryeministrit ka qenë i qartë, se pas reformës në drejtësi dhe ngritjeve të institucioneve të reja, ish-kryeministri mund të jetë pjesë e ndonjë procesi gjyqësor apo qelisë së burgut. Në këtë mënyrë, kreu i qeverisë vetëm sa ka faktuar një prej dyshimeve që në nisje të reformës nga ana e PD-së se drejtësia do të përdoret nga Rama për luftë politike.
Por ndryshe e sheh miratimin e reformës në drejtësi ish-kryeministri Sali Berisha. Në replikën e tij me Edi Ramën, Berisha i është referuar reformës në drejtësi në Rumani. Disa vite me parë ky vend miratoi ndryshimet kushtetuese për drejtësinë dhe ‘viktima’ e parë në radhët e politikanëve të larë ishte Kryeministri në detyrë, Viktor Ponta. Ponta është pjesë e Internacionales Socialiste ku bënë pjesë dhe Partia Socialiste e drejtuar nga Rama. Veç kësaj mes dy politikanëve të majtë, Rama dhe Ponta ka dhe raporte personale. Për këtë arsye, Berisha i ka kujtuar Ramës se do të ketë fatin e mikut të tij në Rumani.
Veç kësaj, Berisha ka përmendur dje në Kuvend edhe një zhvillim që po përflitet në qarqet politike. Ai ka thënë se Rama po kontakton personalisht gjyqtarë dhe prokurorë dhe po u premton poste drejtuese në institucionet e reja të drejtësisë.
“I bëj thirrje prokurorit të përgjithshëm të nisë hetimin se Rama pasi humbi të gjitha ligjet ka filluar të thërrasë prokurorët në zyrë dhe t’u thotë atyre po të emëroj kryetar të SPAK. Edhe Ponta (Rumani) me ligje i emëroi dhe përfundoi aty ku do përfundosh dhe ti shumë shpejt. Ju e dini që pas gjykatësve e ka radhën llumi i politikës. Përgatitu mirë se do përfundosh aty ku është miku yt Ponta. Ti je i pashpresë”,- tha ish-kryeministri Sali Berisha.
Kjo ishte përballja e parë publike e dy kampeve kryesore politike pas kalimit të reformës. Ka ende disa ligje që duhen miratuar deri në zbatimin e reformës. Por fakti që palët po i tregojnë burgun njëri-tjetrit tregon se sherri politik u fashit vetëm pak ditë për të nisur me më forcë se më parë, dje në parlament. Mbetet të shihet se për cili është rezervuar qelia ku të dyja palët thonë se do jetë gati.
Në akuzat me burg dhe gjyqe mes Ramës dhe Berishës ka një deklaratë që meriton më shumë vëmendje. Është fjala për takimet që Berisha pretendon se Rama po zhvillon me juristë, të cilët i josh me poste drejtuese në institucionet e reja të gjyqësorit dhe hetimeve. Është nga ato raste që nëse rezultojnë të vërteta do e zhbënin gjithë vlerën që ju dha reformës në drejtësi. Sepse nëse emërimet në sistem do bëhen me lobime të mazhorancës apo opozitës, atëherë kot që u shpenzuan dy vjet debate për të ndryshuar situatën.
Gjithsesi kjo verë do mbyllet pa gjyqe, pa burgje dhe emra politikanësh për në burg. Edhe vjeshta mendohet se do të ketë të njëjtin fat si vera, porse dimri do të jetë i egër për disa politikanë dhe zyrtarë të lartë të cilët kanë shpërdoruar postin apo përzier në krimin e organizuar ekonomik. FBI-ja dhe Prokuroria kanë shumë dosje të cilat do studiohen nga prokurorët specialë që do të marrin kurse të plotë në SHBA këtë vjeshtë.
Me pas do kemi kohë të shikojmë aplikimin e Reformës në Drejtësi duke parë pranga në duart e politikanëve shqiptarë si në Rumani dhe në Kroaci.
Ndërkohë dje në parlament Berisha dhe Rama i treguan njeri tjetrit qelitë e burgut.
Edhe qelitë po bëhen gati për në dimër !