Bushati kritik në parlament: Sistem pa vlera, paratë janë grumbulluar në një dorë

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, në fjalën e tij në parlament, vuri theksin në punën që duhet të bëjë shteti dhe qeveria shqiptare sa i takon shqiptarëve të diasporës.

Ditmir Bushati është ndalur edhe te situata aktuale, teksa theksoi se sot jemi duke përjetuar një krizë vlerash, për të cilat listoi disa arsye.

“30 vite më pas mund të themi se jemi në gjendje më të mirë ekonomike. Por jemi duke përjetuar një krizë vlerash, e cila nuk vjen nga përtacia, por nga mpirja që sjell mungesën e shpresës, nga grykësia dhe paaftësia për të ndërtuar një sistem vlerash. Duhet të jemi të drejtpërdrejtë e të sinqertë me këtë temë. Nuk mund të themi dot dhe vetëm që jemi vendi i Shqiponjave, i Skënderbeut apo i Nënë Terezës. S’mund të përdorim një patriotizëm fals, të mbushim stadiume e të brohorasim sa herë ka ndeshje. Duhet të bëhemi bashkë për të përcaktuar qëllimet se ku do të jetë Shqipëria pas 20 apo 30 vitesh. Këto objektiva duhet të kenë diasporën në qendër të tyre. Ta bëjmë këtë vend më të jetueshëm më të drejtë, t’i vendosim etiketën për cfarë duhet të njihemi. Evropa ka jetuar 550 vjet pa Shqipërinë, mund të jetojë edhe 550 të tjera. Para se t’i drejtojmë gishtin njëri-tjetrit duhet t’i bëjmë pyetje vetes ku isha unë dy-tre javë para se BE të merrte vendimin për ne, ne do t’ia falim vetes? Çfarë do të thonë fëmijët tanë?”- vijoi më tej Bushati.

SHKARKO APP