Çamët e PDIU lëshohen kundër Ben Blushit për ti bërë qejfin Edi Ramës

Seanca e sotme veç debateve për reformën në drejtësi ka sjellë dhe përplasje të ashpra mes deputetëve të Partisë për Drejtësisë Integrim e Unitet dhe deputetit Ben Blushit. Thuajse të gjithë deputetët e PDIU kanë sulmuar Ben Blushi lidhur me nismën për ndryshimin e Kushtetutës për zgjedhjen e kreut të shtetit.

Replikat e para janë zhvilluar paradite mes Blushit dhe deputetes Mesila Doda. Doda e akuzoi për vjedhjen e amendamentit. Blushi e quajti PDIU-në “qimja e PD, që sot është bërë fshesa e PS”. Blushi solli në kujtesë një ngjarje të 17 viteve më parë në Ministrinë e Jashtme. “Kjo partia që pretendon se i kemi marrë ne ndonjë gjë nuk ka asnjë amendament konkret, që të thotë që presidenti të zgjidhet nga populli. Thanë se kanë një opinion. Pse opinion dhe amendamenti është e njëjta gjë? E di si është kjo? Të krahasosh një kodër me malin e Dajtit. Ose është më ndryshe, po jua them. Para ca vitesh, dikush që është në këtë sallë u pushua nga puna për një gafë. Është një gafë artistike. Doli në konferencë për shtyp, se atëherë punonte për Rilindjen dhe tha: Erdhi në Tiranë sekretari Italian Massimo Ranieri, në fakt ai e kishte emrin Umberto Ranieri. Massimo ishte këngëtar. E pra, të krahasosh këtë opinion me amendamentin kushtetues është njësoj si të krahasosh Umberton me Massimon”,- tha Blushi.

Pas qëndrimeve të Blushit deputeti Tahiri Muhedin deklaroi se nuk ka firmosur amendamentin e Blushit. Ai tha se ka mbështetur vetëm nismën e partisë së tij.

Më pas kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi ka marrë fjalën në Kuvend duke sulmuar ashpër Blushin. Ai tha se Blushi nuk duhet të jetë në karriget e së majtës sepse po punon kundër PS. Idrizi shkoi dhe më tej duke thënë se “Blushi nuk mund të përfaqësojë as të varfërit, sepse të gjithë e dinë që nuk ka lidhje me të varfërit”.

Pas deklaratave të Idrizit ka ardhur dhe reagimi i deputeti Blushi. Në fjalën e tij në Kuvend, ai tha se PDIU dhe Idrizi është parti e fundit që mund të bëjë moral për qëndrimet politike.

“Jeni mirë apo s’jeni mirë?! Nuk ju vlen të hyni në debat me mua. Ka shumë arsye, por po ja lë kohës. Ti the se po i fut thikën partisë tende në pushtet. Po ti Shpëtim ku je? Në pushtet apo në opozitë? Unë kam ardhur në pushtet me 2013. Nuk kam ikur, por edhe nëse iki nuk shkoj në PD si ti dikur. Kjo zonja (Mesila Doda) ka ardhur nga PD. Unë jam në opozitë me çdo gjë në këtë vend. Jam në opozitë më çdo parti që trafikon vende pune…”,- tha Blushi.

Replikat e ashpra sot nuk janë të rastësishme. Prej disa javësh PDIU ka thumbuar Blushin lidhur me nismën për ndryshimet në Kushtetutë. Por kjo duket se është vetëm një pjesë e arsyjes që fshihet pas sulmit.

Akuzat ndaj Blushit janë shtuar sa më shumë që PDIU afrohet me pushtetin e Kryeministrit Edi Rama. Sulmet ndaj tij janë mënyra që PDIU ka gjetur për t’i bërë qejfin kryeministrit, duke qenë se Blushi është nga deputetët që ka kritikuar më fort Ramën. Në këtë rast, duket se PDIU po i bën një shërbim kreut të PS-së për të garantuar sa më shumë hapësira në koalicion.

Por ndryshe nga herët e tjera, sot nuk kishte akuza sporadike por një sulm frontal nga gjithë deputetet e PDIU. Në një seancë tre deputetët dhe kreu i partisë u investuan fuqishëm për të linçuar deputetin Blushin. Një reagim i tillë i PDIU, partisë që përfaqëson interesat e komunitetit çam nuk është parë as ndaj zyrtarëve greke që kanë fyer çështjen që kjo forcë politike mbron. Me kaq zell Idrizi, Doda dhe Muhedini nuk kanë folur as kur zyrtarët grekë në Tiranë, në prani të Ramës, kanë deklaruar se çështja çame nuk ekziston apo se çamët janë bashkëpunëtor të nazizmit. Por Blushit nuk ja falin kur u kujton se dikur kanë qenë me PD dhe tani janë me PS për të ndarë pushtet.

Siç duket më shumë se interesat kryesore të PDIU, Idrizit i intereson ti bëjë një shërbim Kryeministrit për të marrë një copë pushtet. Era e karriges ministrore bënë që të turret si peshkaqeni kur ndjen erën e gjakut.

SHKARKO APP