Çdo bëjë Opozita përballë Kryeministrit Rama?
Me shtyrjen e negociatave, raportet ndërkombëtare që flasin për korrupsion dhe akuzat e rënda të opozitës për droge dhe trafiqe, qeveria “Rama” duhet të ishte sot në ditët më të vështira të saj. Por nëse sheh qëndrimet e kryeministrit Edi Rama duket se qeveria është në pozitën me komode. Kryeministri vazhdon turin e llogaridhënies dhe thotë se qeverisje më të mirë sesa e PS-së ky vend nuk ka parë. Negociatat që i premtoi që në 2013 ka pesë vjet që i humbet sistematikisht, por sërish thotë se ishte fitore e madhe që ia shtynë edhe një herë tjetër. Reforma në drejtësi që u promovua si procesi që do ndryshonte për mirë historinë e vendit, sot është kthyer në eksperimentin më të çuditshëm që ka lënë vendin pa Gjykatë Kushtetuese, me KLD jofunksionale dhe gjykatat e rretheve pa gjyqtarë dhe ku dyshohet se PS po kap drejtësinë. Për Teatrin Kombëtar, në parim ka gjithë opozitën dhe shoqërinë kundër, por e ka ndarë mendjen se në një ditë korriku ose gushti do e rrëzojë përtokë. Për taksat e larta opozita dhe biznesi disa javë më parë nisën bojkotin, por pasi i la sa u lodhën rriti tatimet sipas planit. Gjullurdia që shkaktoi vendosja e pagesës për kalimin e rrugëve u duk se ishte një gafë që do kishte kosto për qeverisjen, por pasi futi në burg disa kuksianë, tha se do kishte taksa për të gjitha rrugët e reja në Shqipëri. E njëjta gjë dhe për koncesionet e tjera, projektet e paqarta dhe investimet e dyshimta. Në të gjitha rastet kur qeveria ka hasur rezistencë, ka bërë një tërheqje paraprake sa për të matur forcat, dhe më pas ka vijuar planin edhe më agresiv se më parë. Tërheqja e përkohshme është vetëm një skemë që është përdorur me sukses për të blerë zërat kritikë, për të përçarë opinionin me propagandë dhe më pas çdo gjë vijon sipas planit. Skandale qeveritare ka aq shumë sa në vend që të zbardhen, ato mbulojnë njeri-tjetrin dhe harrohen.
Edi Rama ka shpallur hapur ambicien për mandatin e radhës, edhe për pas vitit 2021, ndonëse opozita po të përkrahte popullin e revoltuar e rrëzonte që para negociatave.
Në këtë situatë, kur s’ka shoqëri civile që të reagojë dhe nuk ka gjykatë kushtetuese që të kontrollojë pushtetin politik, pyetja që shtrohet shpesh është çfarë po bën opozita? Këto ditë janë verifikuar të gjithë parashikimet për dështimin e negociatave. Qëndrimi zyrtar i BE fakton problemet me korrupsionin, krimin dhe reformat e parealizuara ose gjysmake të qeverisë. Në tavolinë janë hapur të gjitha letrat që e nxjerrin zbuluar qeverinë, e megjithatë opozita ende nuk ka një qëndrim sesi të dalë vendi nga kjo situatë. Çdo ditë ka denoncime nga opozita për krimin, akuza për drogën, sulme kundër qeverisë, por çdo gjë mbetet vetëm te deklaratat dhe reagimet në rrjete sociale. Lulzim Basha ka shpenzuar orë të tëra në konferencë dhe parlament për të akuzuar, pa thënë se çfarë do të bëjë opozita përballë Ramës. Ka harxhuar energji për t’u thënë shqiptarëve një gjë që dihet, se fajin për negociatat e ka qeveria, por nuk ka shpjeguar se çfarë do të bëjë PD dhe opozita për të larguar qeverinë. E vetmja deklaratë që ka nxitur spekulime është qëndrimi i paqartë për një “aleancë të madhe të vlerave europiane” dhe se me Ramën nuk ka integrim. E ka përzier paksa opinionin public një deklaratë e deputetit të PD-së Tritan Shehu, ku mes rrjeshtave hodhi idenë e një qeverisje me bazë të gjerë. Tritan Shehu ka qenë ish-kryetar i PD-së dhe mbetet një figurë historike në selinë blu. Nuk mendohet se e hodhi këtë ide pa leje nga lart!
Dy muaj më parë opozita deklaroi se nëse dështonin negociatat do kishte aksion të madh opozitar dhe asnjë tolerim ndaj qeverinë. Ka kaluar gati një javë nga vendimi i BE kurse opozita ende nuk ka zhvilluar një mbledhje për të dalë me një qëndrim të përbashkët. Nëse aksioni i opozitës vazhdon me këtë ritëm, pasi përpara janë pushimet e verës, atëherë opozitarët do e shajnë qeverinë nga çadrat e plazhit.
Nëse opozita do jetë e vendosur qartësisht për largim të kryeministrit duhet të thotë se vjeshta do jetë stina e fundit e kësaj qeverie. Ta deklarojë publikisht dhe të përgatitet populli opozitar për shtator-tetor “për të marrë bukë me vete në bulevard”, siç kërkon grupi radikal në PD.
Kryeministri dhe PS janë shumë të qartë: Kemi fituar dhe nuk duam t’ia dijmë për këtë opozitë! Ndërsa opozita deklaron se nuk lejojmë më kryeministër Edi Ramën, por duhet të shpjegojnë si? Me popull para kryeministrisë? Por populli kur vjen nuk ikën prapë me furgona duke thënë me vehte se “prapë do vijmë në Tiranë për mitingun e radhës?!”.