Çështja “Tahiri”. Presidenti Meta: Drejtësia të veprojë në mënyrë të pavarur
Presidenti Ilir Meta ka komentuar sot zhvillimet politike në vend dhe procesin ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili u dënua nga gjykata me “arrest shtëpie”.
Lidhur me vendimin e gjykatës për ish-ministrin e Brendshëm, Presidenti Meta tha se “drejtësia duhet të veprojë në mënyrë të pavarur dhe besoj se kjo është mjaft e rëndësishme për të forcuar besimin te shteti i së drejtës”.
Deklarata e kreut të shtetit u bë në qytetin e Cërrikut, ku Presidenti ndodhet për të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore të 75-vjetorit të batalionit partizan të Dumresë. Së bashku me kryetarin e Bashkisë, së Cërrikut, Altin Toska, deputetë të Elbasanit, Presidenti Meta vendosi kurora me lule në memorialin kushtuar batalionit partizan të Dumresë.
“Kënaqësi e veçantë të marr pjesë në këtë përvjetor jubilar dhe të vizitoj Cërrikun. Nderim sakrificave të rinisë dhe rezistencës partizane që udhëhoqi Luftën Nacional- Çlirimtare”,- tha kreu i shtetit.
Në fjalën e tij kreu i shtetit bëri apel për më shumë vlerësim ndaj vlerave të Luftës Nacional Çlirimtare. “Është momenti të përkulemi me respekt para dëshmorëve të LANÇ. Duhet të kujdesemi më shumë për monumentet e LANÇ dhe gjithçka që lidhet me luftën partizane”,- tha kreu i shtetit.
Pas ceremonisë për batalionit partizan të Dumresë, Presidenti Meta mori pjesë në Panairin e Agrobiznesit dhe Artizanatit në Cërrik. Kreu i shtetit u takua me zejtarë e fermerë të zonës së Cërrikut. Gjatë fjalës së tij, Presidenti u shpreh se duhet të promovohen më shumë produktet bio “Made in Albania”.