Çfarë e tremb mazhorancën te dosja Hyseni–Agasi?
Mazhoranca është shqetësuar për daljen në media të pjesëve nga dosja Vlora Hyseni–Ergys Agasi. Publiku ka të drejtë të pyesë: pse ky shqetësim është bërë kaq i fortë pikërisht tani?
Kur publikoheshin pjesë nga dosjet e Erion Veliajt apo Ilir Metës, mazhoranca nuk e ngriti me të njëjtën forcë çështjen e rrjedhjeve. Sot, kur hetimi prek marrëdhënien e ish-drejtoreshës së SHISH me Ergys Agasin, sekreti hetimor është kthyer në temë qendrore politike. Ky standard i dyfishtë kërkon shpjegim.
Natyrisht që publiku kërkon të dijë si kanë dalë dokumente që dyshohet se i përkasin SHISH, kush ka pasur dijeni për komunikimet dhe nëse hetimi shtrihet te persona të tjerë. Këto pyetje nuk zhduken duke sulmuar SPAK për pjesët e dosjes që kanë përfunduar në media. Rrjedhja duhet hetuar, por edhe përmbajtja e dosjes duhet hetuar deri në fund.
Burime jozyrtare pretendojnë se në këtë hetim gjenden video, përgjime dhe dokumente që mund të komprometojnë emra të njohur të politikës, biznesit dhe medias. Nëse këto pretendime vërtetohen, pasojat politike për mazhorancën mund të jenë të mëdha. Pikërisht pesha e këtyre provave e bën edhe më shqetësues çdo përpjekje për të ushtruar presion mbi prokurorët.
Ndonëse po sulmohen të dy prokurorët e SPAK, Altin Dumani dhe Bledar Maksuti, janë të vendosur që të hetojnë çdo person zyrtar apo jo zyrtar që del në dosje.

