Çfarë ekipi futbolli kosovar! Mposht Çekinë dhe kryeson para Anglisë
Ekipi kombëtar i Kosovës ka arritur të sigurojë fitore të rëndësishme, me rezultat 2:1 në ndeshjen kundër Republikës Çeke, e cila u zhvillua sot në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020.
Fitorja e sotshme e “Dardanëve” jo vetëm që e vazhdon ecurinë e ndeshjeve pa disfatë në 15 të tilla, por edhe ia jep Kosovës tri pikë të rëndësishme në ëndrrën për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian 2020, raporton Gazeta Express.
Çekia fillimisht e dëshmoi se pse është në pozitën e 43-të në ranglistën e Kombëtareve të FIFA-s, duke kaluar në epërsi në minutën e 16-të të ndeshjes përmes një goditjeje nga Patrick Schick.
Megjithatë, “Dardanët”, të cilët radhiten të 120-të në listën e FIFA-s, e barazuan këtë rezultat vetëm katër minuta më vonë. Pas shumë aksioneve të bukura, në minutën e 20-të shënoi Vedat Muriqi.
Për t’i shkuar një hap më afër kualifikimit në EURO 2020, Mërgim Vojvoda e kaloi Kosovën në epërsi në minutën e 66-të, pas pasimi të mirë nga Valon Berisha. Kështu, para një stadiumi të mbushur me tifozë – të cilët vazhdimisht brohorisnin e duartrokisnin në përkrahje të “Dardanëve” – dhe në mungesë të pesë futbollistëve standardë – Arbër Zenelit, Milot Rashicës, Herolind Shalës, Hekuran Kryeziut dhe Benjamin Kolollit – skuadra e Bernard Challandes i mori tre pikët që, të paktën momentalisht, e dërgojnë Kosovën në kreun e Grupit A.
Nga gjithsej katër ndeshje të zhvilluara deri më tani, Kosova i ka siguruar dy fitore – kundër Çekisë dhe Bullgarisë – dhe dy barazime – kundër Malit të Zi dhe Bullgarisë.
Anglia radhitet e dyta në Grupin A, pas Kosovës, megjithatë xhiron e kësaj ndeshjeje anglezët do ta zhvillojnë sot në orën 18:00 kundër Bullgarisë.
Kosova do ta vazhdojë ëndrrën për kualifikim në EURO 2020 të martën, kur do të përballet me Anglinë në stadiumin e Southamptonit, “St. Mary’s” shkruan Express.
Ndërkohë Shqipëria luan sonte në ora 22.45 në Paris kundër Francës, ekipit fitues të Kupës së Botës. Eshtë mirë që ekipi shqiptar të marrë paksa shpirt kosovar në futboll!
Lexoni edhe…
- Kosova s’njeh humbje prej 15 ndeshjesh
- Muriqi: Për këtë Kosovë, ia vlen edhe të vdesësh!
- Kosova është e papërmbajtshme, dhe merr kreun e grupit
- Meta, tifozi special i Kosovë-Çeki: Shpirti i ekipit është gjithçka për Fitore!
- Çekët po planifikonin një dron si Ballist Morina, arrestohen 8 persona
Komentatori i ndeshjes: Tifozi fatsjellës i Kosovës
Presidenti Ilir Meta ka qenë sot tifozi special i kombëtares së futbolli të Kosovës, në ndeshjen Kosovë-Çeki. Kreu i shtetit ka ndjekur ndeshjen dhe ka bërë tifo për ekipin e Kosovës nga shkallët e stadiumit “Fadil Vokrri”.
Prania e presidentit të Shqipërisë në stadium është pritur me ovacione nga tifozët e shumë të Kosovës. Pas shënimit të golit të dytë të ekipit kosovar, komentatori i ndeshjes tha se: “Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta është fatsjellës për dardanët sot”.
FOTOT më pikant të ndeshjes Kosovë-Çeki