Çfarë ka mbetur për në 20 Shkurt?!
Deri më tani protestat kanë qenë në rritje, por prapë me një hezitim qoftë nga demokratët, ashtu dhe nga qytetarët pa parti.
Me 10 shkurt demokratët ishin përgatitur të rrinin me çadra në krejt sheshin para kryeministrisë, bile dy deputetë të Selisë Blu, kanë kërkuar që të mos jetë vetëm një çadër pasi duket si “çadra e Bashës” e vitit 2017, porse të mbushet me çadra me njerëz nga kryeministria e deri të sheshi Nënë Tereza.
Kjo ishte një gjetje efektive, sipas dy deputetëve demokratë. Por 10 shkurti iku. Krijoi tension e përplasje të forta, por prapë asgjë nuk e gjeti kryeministrin, sikurse u karikuan demokratët se “sonte ai rrëzohet”.
Kur një opozitar ka besim se është protesta finale dhe rezistente, vjen dhe rri apo sakrifikon veten në emër të një demokracie funksionale.
Të vish nga rrethet është një sakrificë, sepse asnjeri nuk ka lekë të tepërt për të paguar furgonin apo autobuzin, apo të marrë makinën e tij, ndaj ka mosbesim nga mijëra e mijëra vetë se “nuk kemi forcë për ta rrëzuar”.
Lideri demokrat foli sot në parlament se “10 shkurti e dëshmoi, por 20 shkurti do jetë fundi juaj. 20 shkurti është dita kur shqiptarët përmbysin tiranitë, ndaj dhe ftoj qytetarët shqiptarë t’ua hedhin në Lanë këto imunitete hajdutëve, dhe bashkë me ta edhe hajdutët. Parlamenti është i sovranit. Parlamentin do e mbrojnë qytetarët. E kuptoni se jeni në panik. Meritoni zhdukjen dhe këtë parlament do ta mbyllin shqiptarët një minutë e më parë”, tha Berisha ndër të tjera.
Kur lideri i PD-së deklaron fort se “20 shkurti do jetë fundi juaj. 20 shkurti është dita kur shqiptarët përmbysin tiranitë, ndaj dhe ftoj qytetarët shqiptarë t’ua hedhin në Lanë”, atëhere duhet që ta kesh ndarë mendjen se nuk ikët më nga sheshi dhe nga Bulevardi.
Pra retorika e Selisë Blu se “kjo protestë shënon fundin e qeverisë së krimit”, por ndërkohë vetëm bën rrëmujë me shashka, molotov e me bërtima dhe ikën në shtëpi për të thirrur protestë tjetër në mars, prill,… atëhere nuk të vjen më njeri.
Nuk themi themi për 5 mijë apo 10 mijë veta, por një qeveri mund të rrëzohet kur mblidhen 100 mijë veta apo me shumë, ose kur çadrat si “topa futbolli” mbushin sheshin nga Kryeministria deri te Sheshi “Nënë Tereza” si dhe salla e parlamentit bllokohet nga gjysma e deputetëve ditë-natë.
Dhe kur mediat e huaja sjellin gazetarë e kameramanë te sheshi.
Për molotov apo rrëmujë tre orë Edi Ramës nuk ia ndjen fare. Po fare!
KOHA JONË SONDAZH

