Revista “Charlie Hebdo” jep gjithmonë shkas për grindje të mëdha
Një Zot i mbuluar me gjak si terrorist me kallashnikov, kjo është faqja e parë e Charlie Hebdosë një vit pas atentatit. Ky vizatim shkaktoi që para botimit debate.
Vala e madhe e solidaritetit me Charlie Hebdo ka kaluar, po gazeta e gjen edhe më tej publikun e saj. “Ne kemi nevojë që ta kemi të drejtën e blasfemisë, kjo është e njëjta gjë si të drejtat për liritë e tjera,” deklaron Paul me pasion, “kjo liri duhet mbrojtur”. Ai sapo ka blerë rrugës për në zyrë një botim jubilar të Charlie Hebdosë. Pauli është në mes të tridhjetave dhe preferon të mbetet anonim për shkak të punës së tij si këshilltar sipërmarrjesh. Por ai e mbështet me bindje gazetën. “E blej rregullisht, më pëlqen mënyra si i trajtojnë temat ndërkombëtare, por edhe sepse prekin zhvillime të caktuara në shoqërinë franceze.”
Një zë kundër korrektesës politike
“Charlie” ka gjetur një ton qartësisht të moderuar, mendon Pauli, gazeta është korrigjuese e korrektesës politike. Sepse pjesa tjetër e shtypit është e lidhur ngushtë me kampet politike. Kryeartikulli në përvjetor nga Laurent Sourisseau, i cili u bë kryeredaktor i gazetës pas atentateve, është e kundërta e kësaj korrektese: ai polarizon në të gjitha drejtimet. “Çarja”, kjo është nofka e tij i sulmon njësoj si fanatikët e radikalizuar nga Kurani, ashtu edhe fanatikë të feve të tjera, që qenë të bindur se Charlie Hebdo do të dështonte. “Ishte e papërfytyrueshme, që në shekullin e 21-të në Francë një fe do të vriste gazetarë”, shkruan ai. Po jo “dy të mjerët me bluza me kapuç” nuk do ta shkatërrojnë veprën jetësore të karikaturistëve dhe autorëve. Sourisseau mbështetet te “bindja e ateistëve dhe laikëve, të cilët mund të zhvendosin edhe më shumë male, se sa janë në gjendje ta bëjnë këtë besimtarët”.
Në intervistë me BFMTV, Sourisseau mbron karikaturën e faqes së parë nga sulmet, si ato të konservatorit Alain Juppe, të cilit nuk iu duk “zbavitëse” paraqitja e Zotit si terrorist. Ekziston e drejta që të jetosh pa Zot, kjo në Francë është traditë që në kohën e Volterit, thotë ai. Edhe blerësi i gazetës Paul e mbështet këtë me forcë: “Më e rëndësishmja është liria për të qenë dakord me mendimet e një gazete ose për t’i kundërshtuar ato”, thotë ai. Karikaturat japin gjithmonë shkas për diskutime.
Herën e dytë ata goditën Francën
Lagjia pas Place de la Bastille ndërkohë vuan që të mos lidhet gjithmonë me atentatin ndaj Charlie Hebdosë. Shitësi i gazetave Ahmad në kioskun e tij mendon se atmosfera është e rëndë që prej valës së dytë të atentateve ndaj Batlacanit dhe disa restoranteve: “Për Krishtlindjet dhe Vitin e Ri këtu ishte gjysmë bosh”. Njerëzit janë të shqetësuar dhe numri i turistëve është ulur në mënyrë drastike. “Herën e parë ata goditën gazetarët dhe të gjithë ne shprehëm solidaritetin tonë”, thotë një banor. Por herën e dytë ata goditën rininë e gjithë Francës, tani kërkohet nga të gjithë të pozicionohen kundër akteve të tilla të dhunës.
Këtë të hënë Ahmedi shet ndoshta çdo dhjetë minuta një kopje të Charlie Hebdosë. Një milionë ekzemplarë u shtypën për përvjetorin e masakrës, ata do ta gjejnë rrugën te blerësit, por suksesi sensacional ka kaluar. “Tirazhi i shtypur i tyre është te 100.000 kopje, kanë edhe rreth 200.000 abonentë. Ndërkohë ata janë mirë financiarisht.” Vëzhgues të medieve franceze besojnë se revista satirike ndërkohë është bërë publikimi më i pasur në treg. Dhe gazetat e tjera si satirikja “Canard enchaine”, kolegët flasin me shpoti për valën e dekorimeve zyrtare, që derdhet këtë javë mbi të vdekurit dhe të mbijetuarit e Charlie Hebdosë. Një kokëshkretë me tendenca anarkike si karikaturisti i vrarë Cabu dekorohet tani nga Pallati Elize! Atë e nderon ushtria dhe të dielën për të këndon edhe një yll i vjetër i popit si Johnny Halliday, i cili politikisht konsiderohet njeri i së djathtës. Pra satirë gjen kudo, veçanërisht kur shteti dëshiron të nderojë kritikët e tij më të ashpër.
(marre nga Deutsche Welle)