Cilët ministra do shkarkojë Edi Rama në shtator?

Kryeministri Edi Rama është shfaqur në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare më kritik edhe sesa opozita ndaj qeverisë së tij dhe kupolës së PS-së. Në një fjalim të gjatë kryeministri ka renditur të metat e qeverisë duke nisur nga paaftësitë e disa ministrave, arroganca qeverisëse dhe deri të korrupsioni në gjithë nivelet e administratës. Me një retorikë të ashpër, por të kujdesshme, Rama fshikulloi ministrat e kabinetit, anëtarët e kryesisë, krerët lokalë të PS, deri te drejtorët dhe kushërinjtë e drejtuesve socialistë, të cilët turren për emërime e tenderime, duke e kthyer në një pazar të madhe qeverisjen. Nëse nuk do të ishte kryeministër dhe kryetar i PS-së, Edi Rama fare mirë mund të ngatërrohej dje me një opozitar të moderuar që ka shumë kritika ndaj mënyrës sesi po qeveriset vendi. Por nëse një pjesë e gjërave në qeverisje po shkon kaq keq, dhe këtu ka të drejtë Rama, atëherë edhe ai ka pjesën e fajit për ministrat, deputetët dhe drejtorët që ka emëruar.

Tani nuk ka “tepsi” që siç justifikohej ai që ia merr timonin, ndaj kujt i ankohet kryeministri?! Por prapë mirë kur e kupton se e ka fajin PS-ja dhe njerëzit e tij.

Nga Asambleja e PS-së, Rama dha mesazhe të forta për anëtarët e kabinetit qeveritar. Nisur nga ajo çka deklaroi kryeministri, pas muajit shtator asnjë nga ministrat nuk e ka të sigurtë karrigen, përveç ministrit Fatmir Xhafaj. Në listën e rishikimit do të jenë dhe anëtarët e kryesisë si dhe krerët e degëve të PS-së. Rama foli për kritere të forta me të cilat do të matet puna dhe përformaca e çdo socialisti që mban detyra kryesore në qeverisje. Fushata e socialistëve për të kontrolluar punën e ministrave dhe gjithë strukturave do të nis që në fillim të muajit maj. “Në fund të kësaj fushate, ne do të vlerësojmë çfarë ndryshimesh do të bëjmë në qeveri në shtator, nëse do duhen bërë. Cilët ministre apo ministra, cilat ministri apo sektorë nuk janë në lartësinë e kësaj nevoje, që jo thjesht të tregojnë shifrat dhe statistikat, por të kenë vendin e tyre në mendjet e në zemrat e atyre që na kanë dhënë besimin”,– deklaroi dje kryeministri.

Kjo fushatë e shpallur nga kryeministri, si një risi në PS, veç anës papagandistike ka jo pak probleme në zbatim. Është e paqartë sesi do të matet puna e socialistëve drejtues nga vetësocialistët. Përveç rasteve kur Edi Rama kritikon veten, ka shumë pak socialistë që flasin hapur për problemet e qeverisë. Dhe kur pothuaj gjithë deputetët thonë se kjo “është qeveria më e mirë e Shqipërisë” nuk dihet sesi do të gjenden të “armiqtë” brenda kabinetit qeveritar. Një nga akuzat që media dhe opozita i bën mazhorancës së sotme është korrupsioni dhe arroganca e tejskajshme. Këto qëndrime, Edi Rama, nuk i ka pranuar kurrë hapur, por tashmë ndjen se ka filluar të lëvizë elektorati, sondazhet nuk janë më kaq  optimiste sa e nxirrnin, edhe kur bëhej nga njerëzit e tij. Gjatë muajit maj pritet të arrestohen jo pak ish-drejtues dhe ish-zyrtarë të lartë nga radhët e PS-së, jo vetëm nga drejtësia, por edhe si “kurban” për statusin në BE. Arrestimi i mundshëm i një ish-ministri të PS-së do të sjellë jo pak probleme në kupolën rozë. Kryeministri ka informacione se një ministër i kabinetit aktual mund të merret i pandehur nga Prokuroria. Edi Rama i di të gjitha tërmetet që do bien në mazhorancë, ndaj paralajmëroi vetë “tërmetin” në qeveri.

Si problem kryesor të qeverisjes së tij Rama përmendi arrogancën me qytetarët. Pas pesë vitesh pushtet, me një pjesë të ministrave që nuk janë larguar nga detyra që nga viti 2013, kryeministri ka kuptuar se nuk mund të ecet më. Pushteti, interesat ekonomike dhe politike që menaxhojnë një pjesë e ministrave është zgjeruar në këto vite, aqsa edhe kryeministrin nuk e shohin më si njeriu e plotfuqishëm. Disa ministra kanë krijuar lidhje direkte me oligarkët. Kryeministri ndjen edhe fijet e një grupazhi në PS e në grupin parlamentar, të cilët kanë filluar të grupohen pa shumë zhurmë kundër disa ministrave, ndaj Rama u lëshoi edhe një sinjal se do ti presë kokat e këtyre ministrave në shtator. Pra me  ndryshimet në qeveri kryeministri ndan edhe “tortën” mes grupeve rivale në PS.

Pas autokritikës së djeshme të Edi Ramës për disa ministra jo afër realitetit duket se është dhe një tjetër hall i cili e mundon shefin e qeverisë. I kthyer nga Gjermania me një bilanc jo pozitiv, siç e priste, dhe më kërkesën në tavolinë për lejimin e drejtësisë që të veprojë me Saimir Tahirin, kryeministri ndodhet në momente delikate. Vetëm Edi Rama e di se ç’di Sajmir Tahiri për ministrat dhe qeverinë. Vetëm Edi Rama e di se çka biseduar me Tahirin dhe çfarë presioni bën ai ndaj qeverisë. Vetëm Edi Rama e di se çfarë kushti të rreptë e të prerë i ka vendosur kancelarja Merkel në Berlin.

Ndaj më e vogla që mund të bëjë kryeministri mbetet ndryshimi drastik i qeverisë. Por nga dje ka filluar ankthi dhe frika ndër ministrat. Shumë prej tyre do ikin në shtator dhe mirë bën kryeministri. Burime konfidenciale nga PS-ja dhe Kryeministria thanë si nën zë se vetëm ministrat Xhafaj, Manastirliu, Peleshi, Xhaçka, Klosi dhe Gjonaj do të jenë në kabinetin e ri të shtatorit. Mundet dhe një supërministër. Të tjerët shkojnë në “shtëpi”.

Ndërkohë në selinë e LSI-së, të pyetur pas deklaratës së Ramës se do të ndryshojë qeverinë, thanë se “Duhet larguar Rama pikësëpari, pasi ministrat veprojnë siç do kryeministri aktual. E keqja mbetet Rama”. Kurse në selinë blu nuk e kishin mendjen fare të PS-ja dhe kryeministri, por te Kongresi për ndryshimin e statutit të PD-së.

 

SHKARKO APP