DASH përjashton Shqipërinë nga vendet mikpritëse për bizneset amerikane
Ekonomia përcakton më mirë se sa fjalët apo seminaret, raportet mes dy vendeve. Shqipëria mbetet një aleat strategjik për SHBA, pasi luhen shumë interesa rajonale gjeopolitike, sikurse ka një traditë mbi 100 vjeçare në raportet mes Shqipërisë dhe SHBA. Por ekonomia shqiptare nuk po thith dot investime amerikane për shumë arësye.
Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit lidhur me klimën e biznesit për vitin 2018 (“Investment Climate Statements for 2018”) nuk e ka përfshirë fare Shqipërinë në listën e vendeve ku u sugjerohet investitorëve amerikanë për të bërë biznes.
Me këtë vendim, biznesi amerikan e sheh vendin tonë si një vend të pasigurt për investime nga sipërmarrjet amerikane. Mungesa e gjykatave në vend, të cilat janë të paralizuar si pasojë e Vettingut, kryesisht ajo Kushtetuese dhe ajo e Lartë, ndikon negativisht në besimin e sipërmarrjeve te huaja. Sidomos atyre amerikane. Ambasadat amerikane dërgojnë raporte sekrete për çdo gjë në DASH mes të tjerave sidomos për ekonominë, kriminalitetin, sigurinë, zbatimin e ligjit. Dhe mbi këto raporte natyrisht ka dalë edhe raporti i DAP për klimën e biznesit për vitin 2018 në Shqipëri.
Shoqata shqiptaro-amerikane e biznesit në Tiranë i është ankuar kryeministrit për ndryshimin herë pas here të taksave dhe tarifave në biznes. Kush guxon të fillojë një investim të madh kur i thonë pas një viti do të ndryshojnë taksat, dhe çdo vit prapë rriten, pa asnjë parashikim? Cili biznes vjen kur shikon kur nuk ka gjykata?
Raporti i “Investment Climate Statements for 2018” për Shqipërinë është një këmbanë alarmi për qeverinë dhe politikën shqiptare. Më mirë se sa e bën Amerika llogarinë e biznesit për vete nuk ka shtet në botë që i bën këto hesape, ndaj kur thekson se nuk ka garanci në Shqipëri për biznesin amerikan, merret me mend për biznesin shqiptar se si jeton në frikë e ankth. Përjashtuar 10-15 oligarkë që përlajnë gjithçka nga buxheti i shtetit dhe nga ekonomia shqiptare, të tjerët janë në mëshirën e humorit të qeverisë. Këta oligarkë zotërojnë 95 % të parave kombëtare dhe vendosin për ligjet, gjykatat, mafien, etj. Shiko kush merr PPP, koncensionet, tenderat, fshatrat turistikë, privatizime, toka, leje ndërtimi,etj dhe lista sillet prapë vetëm te këta oligarkë.
E si mund të vijë biznesi amerikan mes kësaj katrahure dhe mafie?!