“Dashuria” Vuçiç-Rama po gëlltit Telekom Albania nga gjermanët te Serbia

Pas raportimeve se Shqipëria nuk dëshiron që Serbia të investojë në kompaninë e saj Telekom Albania, presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha se ai kishte në plan të diskutonte për këtë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Nga Maja Zivanovic

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha të hënën se do të bisedojë me kryeministrin shqiptar Edi Rama për raportimet se investimi i planifikuar i Telekomit serb në kompaninë e telekomunikacionit të Shqipërisë nuk është i mirëpritur.

“Do të flas me Ramën sot ose nesër dhe shpresoj ta zgjidhim këtë situatë,” tha Vuçiç në një event të përbashkët me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg në Beograd të hënën.

Telekom Serbia në tetor konfirmoi interesin e saj për blerjen e Telekom Albania, aktualisht në pronësi të Deutsche Telekom.

“Telekom Srbija dëshiron ta pozicionojë veten si një lider rajonal në tregun e telekomunikacionit në rajon dhe ka bërë një ofertë për blerjen e Telekom Albania,” tha kompania serbe për BIRN.

Mediat serbe dhe shqiptare kanë raportuar se investimet serbe në telekomunikacionin shqiptar nuk janë të mirëpritura.

Presidenti serb tha më 6 tetor se duke refuzuar investimet dhe paratë e Serbisë, Shqipëria rrezikonte të dërgonte një “mesazh të gabuar”.

“Në vendin tonë nuk ka kufizime të tilla. Kushdo që dëshiron të krijojë një klimë pozitive, nuk mund të bëjë dallime se nga vijnë paratë, qoftë serbe, gjermane apo nga ndonjë kryeqytet tjetër,” tha Vuçiç për gazetarët, njoftoi agjencia serbe e lajmeve Tanjug.

E përditshmja serbe Danas njoftoi se Telekom Serbia ka ofruar 61 milionë euro për Telekom Albanian.

Ministri i Telekomunikacionit i Serbisë, Rasim Ljajiç, tha për të përditshmen serbe Kurir më 2 tetor se planet e investimeve në Shqipëri ishin “një lëvizje e mirë dhe logjike që flasin për fuqinë dhe potencialin që një kompani vendase të bëhet lider i telekomunikacionit në Ballkan”.

Dy ditë më vonë, Ljajiç tha se oferta e Telekom Serbisë për blerjen e Telekom Albania nuk do të thotë që shteti serb ka hequr dorë nga planet e tij për ta shitur kompaninë, pasi marrëveshja do të rriste vlerën e saj.

“Nëse kompania shitet, çmimi do të jetë më i lartë dhe ne do të kërkojmë më shumë se ç’do të kishim kërkuar pa këtë blerje,” tha Ljajiç për Radio Europa e Lirë.

Gjatë shtatë viteve të fundit, qeveria serbe u përpoq ta privatizonte dy herë Telekomin, por ofertat nuk u pranuan nga autoritetet.

SHKARKO APP