Dasma pa “dhëndërr dhe nuse”e qeverisë Rama
Shtyrja me një vit e çeljes së negociatave për Shqipërinë është ngjarja që tregon se qeveria edhe dështimet po i trajton sikur të ishin fitore spektakolare. Analisti Armand Shkullaku bëri një shkrim që përkonte kaq bukur me një “dasëm pa nuse” të qeverisë. Por mund të shtojmë se jo vetëm mungonte nusja, por edhe dhëndëri.
Që nga e marta e kësaj jave, kur Këshilli i Ministrave të BE vendosi që Shqipëria të trokasë të paktën një viti në Bruksel, qeveria në Tiranë po bën përpjekje titanike për të bindur shqiptarët se ka ndodhur e kundërta. Edi Rama dhe ministrat nuk po lënë aktivitet publik pa e shfrytëzuar për të treguar atë që ata e quajnë triumf në procesin e integrimit. Në një javë, Edi Rama ka dalë disa herë në media për të thënë se qeveria e tij nuk dështoi, edhe pse nuk i mori në qershor negociatat, por vetëm se iu dha dhe 12 muaj kohë deri në marrjen e vendimit, por pas plotësimit të kushtëve nga BE. Me këtë ide zhvilloi dhe mbledhjen e qeverisë ditën e mërkurë ku në një fjalim të gjatë bindi deputetët e PS-së se ajo që duket e zezë, në fakt është e bardhë. Me këtë logjikë u paraqit dhe në Parlament kur i tha opozitës së jeni një tufë budallenjsh që po më kërkoi dorëheqjen kur unë hapa negociatat. Edhe kur nuk ka pasur aktivitete publike, Edi Rama i ka shpikur ato vetëm që të ngulisë mirë në mendjen e njerëzve se BE, sipas tij, nuk e ka refuzuar qeverinë, por vetëm sa i ka shtyrë me 12 muaj vendimin.
I tillë ishte dhe takimi i zhvilluar dje me zyrtarë të Ministrisë së Jashtme dhe diplomatët vendas dhe të huaj. Takimi ishte konceptuar si festa e fitores së qeverisë, por pyetja që bën kushdo është çfarë festohet kur negociatat realisht nuk janë hapur? Ironia në këtë takim është fakti se kryeministri mblodhi diplomatët e karrierës, ata që e njohin procesin e integrimit me detaje, dhe u shpjegonte sesi qeveria kishte fituar betejën me vendet kundër integrimit të Shqipërisë. Në fjalimin e tij, Edi Rama foli me një gjuhë që ngjante sikur kishte ardhur nga një fushë beteje. Ai përmendi sërish “72 orët e ferrit të negociatave”, dhe foli për “frontin e Hagës” duke nënkuptuar Holandën dhe frontin e Francës dhe Gjermanisë. Por teksa falenderonte ambasadorët e Shqipërisë në këto vende, të cilët realisht kanë bërë një punë të shkëlqyer, Rama duke folur për një betejë imagjinare, pa dashje bëri dhe disa lapsuse diplomatike. E tillë ishte fraza që duket se nuk ka kaluar pa vëmendje, kur foli për “teka” të Holandës dhe Francës dhe qëndrime të disa vendeve kundër zgjerimit të Bashkimit Europian.
Një nga argumentet që Edi Rama dhe qeveria e përdorin si sukses në negociata janë urimet që kanë marrë këto ditë nga Brukseli dhe qeveri të ndryshme të vendeve të BE. Në përgjithësi, mesazhet që vijnë në Tiranë nga qeveritë e tjera janë fraza standarde, ku i urohet Shqipërisë “suksese në rrugën drejt integrimit Europian”. Megjithatë, në Tiranë janë interpretuar si fakt që negociatat u hapën në 2019, kur në fakt mundësitë që të hapen janë po aq sa ishin edhe para datës 26 qershor. Edhe një mesazh i Ambasadës së Holandës dje në Tiranë, në mediat e afër qeverisë u servir si një tjetër mbështetje që negociatat janë hapur. Në fakt, në tekstin e Ambasadës së Holandës vetëm urim për hapjen e negociatave nuk gjen. Përkundrazi, e nxitur dhe nga fjalimi i Edi Ramës për “teka” të Holandës, ambasada bënte disa sqarime që për procesin e integrimit që i prishin festën qeverisë. Ambasada përgëzonte Shqipërinë jo për hapjen e negociatave, por për raportin e Këshilli Europian. Raporti, është dokumenti që kërkon nga Qeveria “Rama” zbatimin e të paktën 13 kushteve për të hapur negociatat në qershorin 2019. Në “urimin” e Holandës nuk flitet për negociata, që sipas qeverisë janë hapur tashmë, por për udhërrëfyes sesi Shqipëria mund të shkojë drejt hapjes së negociatave. Gjithashtu, vendi që ishte më kritik për çeljen e negociatave me Shqipërinë në “urimin” e saj për qeverinë kujton edhe një herë “detyrat e shtëpisë” që duhet të përmbush mazhoranca në Tiranë. “Dëshirojmë të përgëzojmë Shqipërinë për progresin dhe reformat e rëndësishme të arritura, të cilat janë njohur nga Këshilli Europian. Tashmë ka një udhërrëfyes të qartë për vijimin e rrugëtimit deri në Qershor 2019. Ka ardhur koha për të arritur rezultate konkrete në të gjitha nivelet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe për të ecur përpara në reformën në drejtësi. Hollanda i qëndron qasjes së saj strikte dhe të drejtë dhe është e gatshme të bashkëpunojë edhe më tej me Shqipërinë në lidhje me këto reforma kyçe në periudhën që vijon”-, thuhet në mesazhin e Ambasadës së Holandës në Tiranë. Qeveria e cilësoi dje këtë deklaratë si urimin e radhës për hapjen e negociatave. Në fakt, është urimi më i hidhur, pasi i kujton kabinetit “Rama” se jo vetëm nuk janë hapur negociatat, por deri në qershorin apo dhjetorin e ardhshëm duket të bëjë gjithë reformat që nuk i ka bërë deri tani. Në të kundërt, ka shumë mundësi që edhe vitin e ardhshëm, sërish Holanda të ketë “teka” të tjera.
Qeveria vijon festën duke thënë se negociatat u hapën. Tamam si dasma pa nuse!
Q.Xhani