Ligji i importit të mbetjeve/Debate dhe sherr për plehrat në Parlament

Miratimi i ligjit të mbetjeve ishte temë kryesor në debatet e sotme në Kuvend. Ish-kryeministri Sali Berisha e cilësoi tradhti kombëtare miratimin e ligjit të mbetjeve javën e kaluar në Parlament.

Në fjalën e tij në seancën e sotme, Berisha akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Rama për pazare korruptive që i hapin rrugën importit të mbetjeve të dëmshme në vendin tonë.

“E ke vendin në shtyllën e turpit të kombit. Çdo gjë e trillon dhe e mashtron. U atribuon korifenjve të mendimin mendime dhe citate që nuk i kanë thënë kurrë. Çështja e plehrave është kapitale për një vend. Ka të bëjë më shumë se çdo gjë me sëmundjet, epidemitë, jetën e fëmijëve të moshuarve dhe qytetarëve në tërësi. Ky zotëri që e konsideronte akt tradhtie ligjin që lejonte futjen e mbetjeve jeshile, sot bëhet avokat i mbetjeve dhe ndryshon ligjin. Tani autorizimin e jep ministri dhe jo Këshilli i Ministrave si dikur. Gënjeshtari ka vetëm një aleat, njeriun naiv. Si ka mundësi që ky njeri që quante tradhti kombëtare futjen e plehrave, që detyroi 60 mijë socialistë të firmosin referendumin, që e quante vepër të mafias, i lëpin të gjitha, i kapërdin dhe shkelmon mbi veten e tij. Mundësia është vetëm një: 4 milionë euro ryshfet në valixhe. Dhe kjo është vetëm dora e parë”, u shpreh Berisha.

Berisha iu përgjigj ashpër një reagimi nga vendi të deputetit socialist Eduart Shalsi. “Ti Shals as në kazan nuk e ke vendin. Zonja kryetare, nxirre në kazan atë”, tha ai.

Ndërsa duke u kthyer nga kryeministri Rama, deputeti demokrat tha se qytetarët e kanë humbur besimin. “Ku ke be ti mor zotëri. A i ndalove në vitin 2013? Si u futën në Shqipëri 330 mijë tonë mbetje? Kush të beson ty? Nuk ka shqiptar që të beson ty më”, tha ai.

Berisha tha se ka reflektuar lidhur me ligjin e propozuar gjatë qeverisjes së tij për importin e mbetjeve. “Dal me një rishqyrtim të ri të vendimit tim. Kam reflektuar, duke konstatuar atë që ndodhi në vitin 2014 në dogana”, tha Berisha. “Nuk jam kurrë më për import plehrash. Vendet që u krijohet mundësia të eksportojnë plehra, janë vende fatlume. Ato janë gati të paguajnë sasi kolosale për t’i hequr nga vendi i tyre. Të kanë paguar me thasë, se ndryshe nuk mund ta bëje ti këtë veprim”, tha ai duke iu drejtuar Ramës.

Rama: Ju e latë vendin plot me plehra

Kryeministri Rama iu përgjigj paraardhësit të tij me akuza. Rama tha se qeverisja e drejtuar nga Berisha la pas një Shqipëri plot me plehra. Rama tha se shembulli më i mirë që ilustron këtë është qyteti i Elbasanit. “Sali, fole gjatë, por do përqendrohem vetëm te disa. Unë bie dakord me ty që aleati i gënjeshtarit është njeriu naiv. Këta kanë qenë aleatët e tu. Ti nuk je në metro. Janë të gjitha lehtësisht të verifikueshme. Më vjen mirë kur ti flet me raste specifike me realitete si Elbasani, si Divjaka. Mund të bëhet fare lehtë verifikimi i fjalëve tua duke folur atje. Ishte zotimi im përpara gjithë elbasanasve që sapo të vijmë në qeveri do ta heqim nga mesi i qytetit malin me plehra. Shko shiko sot, aty ku ti le një mal me plehra, po ndërtohet një park. Është pastruar plotësisht. Inceneratori ka kapacitet aq sa janë mbetjet. Është një impiant jo siç thua ti. Mos ço këta, se këta shikojnë me sytë e tu. Shko vetë atje. Në Elbasan është zgjidhur një problem kolosal. Në tetë vjet në qeveri e le malin e plehut të rritej në qytet”, tha ai.

Rama ritheksoi se ligji ka të bëjë me importin e mbetjeve dhe jo të plehrave. “Nuk bëhet fjalë për plehra, por për lëndë të parë të riciklueshme. Sali nuk të jep njeri para ,por të kërkon para sepse ky është një treg. Është e turpshme të akuzosh sipërmarrësit e riciklimit, sepse shumica të kanë votuar ty. Ju i keni bërë vetë këto historitë e valixheve me para, prandaj u shkon mendja. Në 2011, zotrote në qeveri miratove strategjinë kombëtare të menaxhimit të mbetjeve. Deri në 2013 kishe dy vjet kohë. Nuk ke bërë asgjë. Planin kombëtar të menaxhimit të mbetjeve e kemi negociuar ne me bankën gjermane “KFV”. Ti Sali je ricikluar disa herë dhe je në fazën përfundimtare, atë të reduktimit”, tha Rama.

Berisha: Nuk mund t’i gënjesh qytetarët, referendumi do të bëhet

Në replikën e tij, ish-kryeministri Berisha e akuzoi Ramën për përpjekje për të manipuluar qytetarët, duke krijuar konfuzion me termat mbetje dhe plehra. Berisha tha se Rama ka frikë nga protesta që shoqëria civile ka paralajmëruar për të shtunën lidhur me ligjin e mbetjeve dhe shtoi se do t’i shkohet deri në fund referendumit për këtë çështje. “A e kuptuat pse ky njeri ka që nga mëngjesi që riciklon gënjeshtrat. A e kuptuar se çfarë e shtyn të përsërisë 5 herë një gënjeshtër dhe ta servirë si taze. Qytetarët janë të lirë dhe nuk besojnë. Do ti bindësh se nuk kemi të bëjmë me plehra po me mbetje? Ato mbaji për vete. Ato janë plehra dhe ti po i fut në kundërshtim flagrant, për interesa mafioze, për valixhen që ke marrë. Je i papërgjegjshëm. Europa kërkon të marrë fund kjo praktikë, secili të përpunojë plehrat e tij dhe të mos ia çojë tjetrit te dera e shtëpisë. Por për këtë duhet qeveri me integritet që nuk përkulet nga mafia. (Rama largohet nga salla) Iku se e kanë lëshuar nervat. Është i tmerruar nga e shtuna. Referendumi do të bëhet. Mos mendoni se mund ta bllokoni”, tha ai.

 

Nuk kanë munguar batutat dhe ironia e kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme ndaj një pjese të mirë të deputetëve të opozitës, përfshirë dhe ish-kryeministrin Sali Berisha.

Batuta e Ramës për Berishën

“Sali po të prisja ty që të vija te plehrat, se pa të patur ty përpara s’flas dot për plehrat. Tani që erdhe do flas, se ti je kompetenti për punë plehrash”, tha Rama.

Batuta e Ramës përr Jorida Tabakut

E dëgjoj me kuriozitet recitimin e zonjës parafolëse dhe më mahnit aftësia për të folur kot, serioziteti që zonja përgatitet për të folur kot dhe më mahnit këmbëngulja në këtë mision të pamundur kotësie, i referohet forumit ekonomik botëror që është larg të qeni i influencueshëm nga ne dhe flet kot. Faleminderit shumë që më jepni mundësi për të bërë diçka që mund ta kishim bërë më mirë, informimin e njerëzve. Mirë që jeni ju, bashkë me sa gjithollogë që i kemi mes nesh, si hudhër për të mos na marrë më sysh. Për ju ekzistenca krijohet nga fatkeqësitë e këtij populli. Kur shikoni ndonjë rast, turreni si mizat, i keni parë mizat kur turren te diçka që e pëlqejnë? Ashtu do ngecni dhe ju, ashtu do lloçni.

Rama për Palokën

Kur PD-­në e udhëhiqte ai që e udhëheq edhe sot, por atëherë ishte me kohë të plotë, ti (Paloka) me këta që e përfaqësoni, ju ishit në rreshtin e katërt. Se si dolët në rreshtin e parë nuk e di. Por këtë e kupton populli dhe sa herë shkoni përballë tij, aq herë do ngelni në klasë.

Replika e Palokës

Ndërkohë gjatë replikave pa mikrofon, kreu i grupit parlamentar të PD-së nuk ia ka kursyer Ramës as ironinë dhe as akuzat. Teksa kryeministri fliste për kulturë, Paloka i tha nga vëndi se “ti je kryeministri më injorant në historinë e Shqipërisë perfshi dhe ata të diktaturës. Më injoranti dhe më i pisti, aq i pisët sa edhe pse ke filluar të bësh dush kohët e fundit nuk të ikën era e keqe sepse pislliku yt nuk lahet dot me ujë e sapun”, – iu drejtua Paloka, Ramës. Ndërsa në një moment tjetër kur kryeministri tha që deputetët e PD-së janë bërë si mizat, Paloka ia ktheu: “po të ishim miza do vinim rrotull teje”.

Batuta e Ramës për Flamur Nokën

Jo Flamur nuk je tek shoqëruesit, por te badiguardët, je një nivel më lartë. Je në detyrë, vazhdo lufto me hijen tënde.

***

Duke krahasuar dy qeverisjet dhe investimet për Shkodrën, Rama tha se “as Topalli dhe as Saliu nuk kanë bërë gjë për Shkodrën. Mos flisni për këto punë. Se çfarë kemi lënë ne pa bërë dhe do t’i bëjmë mandatin e ardhshëm, e dimë më mirë se ju. Nëse krahasohemi se çfarë keni bërë ju dhe çfarë kemi bërë ne, është një soj si të krahasosh mesjetën me normalitetin e një vendi që jeton në mes të Europës”.

Por edhe një ‘përplasje’ ka ndodhur mes Berishës dhe Ballës. Ndërsa Berisha propozoi që në karriget e ministrave të vihen thasë me plehra, Balla tha se ‘duhet ta fusnin ish-kryeministrin në thes’.

Berisha: Kam një propozim marrim nga një thes plehrash e vëmë në karriget e ministrave

Balla: Është për të futur ty në thes dhe të vëmë atje

 

SHKARKO APP