Deklarata e Ben Blushit: Propozim për nje Pakt të Madh për Europën

Deklarata e Blushit: Propozim për nje Pakt të Madh për Europën

Jam sot këtu për të shprehur qëndrimin e LIBRAs, sa i takon procesit të hapjes së negociatave për antarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Që në fillim dua të thëm se rruga e Shqipërisë për në Europë po vështirësohet, megjithë përpjekjet e panumërta që shqiptarët kanë bërë në afro 25 vjet dhe megjithë mbështetjen e pakursyer që Bashkimi Europian i ka dhënë vendit edhe ditët e fundit.

E megjithatë, sot ka më shumë mjegull se një javë më parë dhe pas një jave, mund të ketë edhe më shumë mjegull se sot.

Për fat të keq, partitë e vjetra, të cilat mbajnë përgjegjësi për gjendjen e mjeruar të ekonomisë, për papunësinë, për emigracionin dhe kulturën e pandëshkueshmërisë sërish janë duke luftuar, jo për të shpejtuar integrimin, por për të shkëmbyer arsyet e vonesës.

Nuk jemi në një garë shpejtësie, por në një garë vonese.

Fiton ai që vonon më shumë. Flet më shumë ai që gabon më shumë. Mbrohet më shumë ai që pengon më shumë.

Këto ditë kam dëgjuar shumë deklarata të padenja të cilat nuk do të ndalen edhe në ditët e ardhshme, nëse ishte vetingu, apo dyshimet mbi zgjedhjet, nëse është përhapja e kanabisit apo kriminalizimi i politikës, pengesa kryesore për mjegullën që është krijuar në horizontin europian të Shqipërisë.

Natyrisht që janë të gjitha bashkë.

Edhe shtyrja e procesit të vetingut, edhe kanabizimi, edhe kriminalizimi, edhe korrupsioni, edhe pasiguria për zgjedhjet e vitit 2017.

Për të gjitha këto arsye fajtorët janë në Shqipëri dhe arsyet janë në Tiranë, dhe as në Bruksel dhe as ne Berlin.

Ka ardhur koha ta pranojmë se jane disa shqiptarë ata që po vonojnë Shqipërinë të antarësohet në Bashkimin Europian.

Fajtorët janë partitë dhe viktima është populli.

Akoma më qesharake është të shikosh se vetingun, dikush e quan kriter dhe dikush e quan kusht, se dekriminalizmin dikush e quan kusht dhe dikush e quan kriter, se kanabizimin e vendit dikush e quan kriter të diktuar dikush e quan kusht të merituar, se zgjedhjet dhe mungesën e reformës zgjedhore dikush e konsideron si kriter dhe dikush kusht.

A ka më rëndësi kjo?

Këto nuk janë kushte që Europa ia ka caktuar Shqipërisë, këto janë kushtet që shqiptarët ia kanë vënë klasës së tyre politike.

Në këtë klimë të acaruar dhe dëmtuese që mund ta shtyjë hapjen e negociatave, LIBRA mendon se klasa politike shqiptare duhet të heqë dorë nga tradita e vjetër sipas të cilës, integrimi është një medalje për zgjedhjet dhe duhet të ulet për një Pakt të Madh për Europën, që mund të përshpejtojë procesin e integrimit duke krijuar më shumë besim tek partnerët europianë.

Duhet t’i japim Europës një arsye për të na besuar, gjë për të cilën deri tani kemi dështuar me sukses.

Në Europë nuk shkon dot vetëm qeveria dhe nuk shkon dot klasa politike pa popullin.

Pavarësisht nga dyshimet personale që kam dhe të cilat me thonë se partitë e vjetra nuk e kanë aftësinë për zgjidhje strategjike, besoj se ka edhe pak kohë për të plotësuar kushtet dhe kriteret e domosdoshme të integrimit.

Ne mund ta përshpejtojmë procesin e vetingut urgjentisht, mund ta zbatojmë ligjin e dekriminalizmit rreptësisht dhe menjehere, mund të përsosim sistemin tonë zgjedhor duke kufizuar monopolin e partive mbi numërimin e votave dhe financimet e dyshimta dhe mund ta zhdukim kanabisin për shumë pak ditë.

Kaq pak kërkojnë shqiptarët dhe kaq pak kërkon Europa për të na pranuar.

Mbetem i angazhuar që të mbështes një Pakt të Madh për Europën i cili merr përsipër të hartojë, respektojë dhe zbatojë të pesë prioritet duke nisur me reformën në drejtësi, me reformën zgjedhore dhe dekriminalizmin, deri ditën kur Këshilli Europian do të mblidhet për të dhënë mendimin e tij për hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Nëse Këshilli Europian nuk përcakton një datë dhe hapja e negociatave shtyhet pas zgjedhjeve, natyrisht që do ta konsideroja një dështim që do shtynte për një afat të panjohur procesin e integrimit duke ndikuar jo vetëm në përkeqësimin e klimës së brëndshme politike por edhe në ekonomi dhe mbi të gjitha në besimin në rënie të shqiptarëve për të jetuar dhe punuar në Shqipëri.

Besoj se është koha të merremi vesh për Europën.

Ne mund të na ndajnë pikëpamjet, por duhet të na bashkojë Shqipëria.

SHKARKO APP