Dekreti në Kolegj, Bylykbashi: Rama ka dalë në pazar për të gjetur një gjykatë që i bindet
Ish-deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi, njëherësh dhe ish-bashkëkryetar i Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, komenton atë çfarë po ndodh sot në Kolegjin Zgjedhor, i cili ka marrë përsipër të gjykojë dekretin e Presidentit, i cili anuloi 30 qershorin si datë për zhvillimin e zgjedhjeve për pushtetin vendor.
Në komentin e tij të gjatë, ndër të tjera, Bylykbashi thekson se kryeministri Edi Rama ka dalë në pazar për të gjetur një gjykatë që i bindet.
Reagimi i Bylykbashit
Kolegj Zgjedhjesh apo Kolegj Vjedhjesh – sot do ta marrim vesh
Edi Ramës sot i duhet një vendim gjykate që t’i justifikojë votimet antikushtetuese që ka urdhëruar për datën 30 qershor. I duhet një vendim gjykate kundër Dekretit të Presidentit, i nxjerrë mbi bazën e Kushtetutës, i botuar në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë dhe që ka hyrë në fuqi. Për këtë ka dalë në pazar për të gjetur një gjykatë që i bindet. ODIHR e quan “forum shopping”.
Edi Rama ka parafabrikuar një proces ankimor ku një parti aleate e tij kërkon që të ç’regjistrohet nga zgjedhjet meqë Dekreti i Presidentit ka anuluar datën e zgjedhjeve. “Ç’të keqe ka këtu, aleati i Ramës njeh Dekretin?!” do pyesnin naivet. Po shkresarucët e PS-së e kanë trumbetuar me kohë planin që me këtë vendim Rama do të marrë konfirmimin e vendimit të tij që votimet të bëhen me datë 30 qershor.
Pjesa e parë e planit është ekzekutuar. KQZ, e kontrolluar plotësisht nga PS dhe nën urdhrat e Kryeministrit, edhe pse duhej të ishte organi i pavarur i zgjedhjeve, ka rrëzuar kërkesën e aleatit të PS-së. Dhe ky ka nisur fazën e dytë të skemës, ankimin në Kolegjin Zgjedhor.
Edi Rama ka bërë të ditur me zëdhënësit e tij që ai pret që Kolegji t’ia konfirmojë 30 qershorin e tij antikushtetues. Rama pret që Kolegji t’ia rrëzojë kërkesën partisë aleate të Ramës, duke konfirmuar ligjshmërinë e procesit zgjedhor dhe duke rrëzuar Dekretin.
Këtë do Rama dhe këtë pret sot prej Kolegjit. Për çdo garanci të nevojshme për të bindur gjyqtarët që nuk kontrollon, komisionet e vetingut janë aty. Provë se çfarë mund t’u ndodhë janë gjyqtarët e Kolegjit në të shkuarën. Ata që kanë vendosur mbi bazën e ligjit, por kundër Ramës, sot janë shkarkuar nga vetingu. Ashtu siç është shkarkuar prokurori që filloi dosjen “184” të Dibres, që regjistroi bisedat skandaloze të Ramës dhe çetës së tij kriminale. Ai prokuror sot është i shkarkuar nga vetingu i Ramës.
Por Kolegji Zgjedhor nuk ka asnjë kompetencë të shqyrtojë Dekretin e Presidentit për datën e zgjedhjeve. Sepse ai Dekret nuk është akt administrativ individual. Ai rregullon nisjen dhe datën e përfundimit të një procesi kur përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e 3,5 milionë zgjedhësve, detyrat e KQZ-së, 90 KZAZ-ve, 5300 komisioneve të qendrave të votimit me 40 mijë komisionerë, 61 bashkive, ministrive që kanë detyra zgjedhore, Policisë së Shtetit dhe të gjitha institucioneve shtetërore që nga Kryeministri e poshtë, që kanë detyrimin për të mos u përfshirë në proces zgjedhor, duke qëndruar neutrale.
Ky dekret mund të shqyrtohet vetëm nga Gjykata Kushtetuese. A ka të drejtë kushtetuese Presidenti të ndryshojë datën e dekretuar të zgjedhjeve apo jo? – ky është debati kushtetues që bëhet vetëm para asaj gjykate që sot i ka dyert të mbyllura. Kush mendon që ky është akt administrativ individual për të justifikuar nevojën e Kryeministrit që të gjejë një gjykatë që i mbyll hallin, ha turpin me bukë. Nëse Kolegji guxon sot të shkelë Kushtetutën, e vendos veten qartë në anën e paligjshmërisë dhe pasojave që sjell kjo paligjshmëri. Sepse Kolegji nuk mund të ndryshojë me vendimin e tij as Kushtetutën dhe as Kodin Zgjedhor
Kolegji mund të gjykojë vetëm mbi objektin e ankimit që ka bërë partia aleate e Ramës: shfuqizimin e vendimit të KQZ-së dhe ç’regjistrimin e saj nga zgjedhjet. Asgjë tjetër. Këtë përcakton Kodi Zgjedhor. Për këtë e ngritëm Kolegjin në vitin 2003, dhe jo për të zëvendësuar Gjykatën Kushtetuese në interpretimin e Kushtetutës, apo ndonjë gjykate tjetër. Kolegji nuk mund të shfuqizojë aktet themelore të procesit zgjedhor, siç është Dekreti.
Madje ka më shumë se kaq. Kolegji Zgjedhor nuk mund të shqyrtojë as këtë çështje, sepse ligjërisht nuk ka datë zgjedhjesh dhe nuk ka proces zgjedhor, e për rrjedhojë, nuk ka as subjekte zgjedhore që mund të ankohen përpara tij. Kolegji duhet të pushojë gjykimin.
Në zgjedhjet vendore të vitit 2000, Gjykata e Lartë mori vendime të njëanshme në favor të qeverisë së PS-së. Në zgjedhjet parlamentare të 2001-t, Gjykata Kushtetuese bëri të njëjtën gjë. Kjo çoi në kritika të ODIHR-it që bënë që këto dy gjykata të kompromentuara e të kapura politikisht nga Partia Socialiste të hiqeshin nga zgjedhjet dhe të krijohej Kolegji Zgjedhor, si garanci e besueshme. Sot, i rrethuar me veting dhe presion, Kolegji ka shansin të mbrojë parimet kushtetuese të zgjedhjeve të lira e të ndershme, të shtetit të së drejtës dhe hierarkisë së normave, ose të bëhet vegël e Kryeministrit si KQZ. Sot vendoset nëse Kolegji duhet shkrirë përfundimisht, apo vazhdon të jetë garanci, sado jo perfekte.