Dënimet e 2.5 milionë amerikanëve për marijuanë do të falen. Po në Shqipëri pse jo?!
Këtë javë Merilendi u bë shteti i fundit që njoftoi falje masive për persona të dënuar për krime të lidhura me marijuanën, në kuadër të përpjekjeve për të përmirësuar jetët e atyre që përfunduan në burgje për shkak të një lufte 10 vjeçare të vendit kundër drogës.
Sipas planit të guvernatorit Wes Moore, më shumë se 175 mijë të dënuar për posedim të kanabisit ose pajisje droge do të falen, por nuk do të fshihen përgjithmonë nga historiku penal i këtyre individëve.
Në vazhdim një vështrim mbi qëndrimet amerikane në trajtimin e rasteve të vjetra me të dënuar për marijuanë.
Grupi që mbështet legalizimin e marijuanës, ‘NORML’, thotë se rreth 2.5 milionë dënime për kanabis janë shlyer ose falur gjatë viteve të fundit.
“Është numër i vogël kur merret parasysh fakti se gjatë 50 viteve të fundit apo më shumë, mbi 30 milionë amerikanë janë arrestuar në nivel shtetëror ose lokal për marijuanë”, tha në një intervistë Paur Armentano, zëvendësdrejtor i grupit ‘NORML’.
Personat e falur rifitojnë të drejtat e tyre civile, si e drejta për të votuar, për të shërbyer në një juri gjyqësore, apo për të zotëruar armë.
Shlyerjet e dënimeve shkojnë më tej, duke fshehur plotësisht historikun dhe të dhënat e dënimeve; gjë që u mundëson individëve që përfitojnë marrjen e ndihmës federale për shkollim, kualifikimin për strehim publik dhe lejon ata që janë prindër të marrin pjesë në aktivitetet shkollore të fëmijëve të tyre, krahas edhe disa përfitimeve tjera.
Zyrtarët e degës ekzekutive siç janë kryetarët e bashkive, guvernatorët dhe presidenti mund të falin dikë, por pak drejtues kanë vepruar si ai i Merilendit. Vendime të ngjashme ka patur edhe në Masaçusets, Nevada, Oregon, Birmingham, Alabama dhe Kansas City.
Presidenti Joe Biden ka urdhëruar falje të shumta për ata që janë dënuar për posedim të kanabisit në zona në pronësi federale ose në Distriktin e Kolumbias.
Këtë shkruan ndër të tjera VOA. Por kur në SHBA falen, po pse në Shqipëri mbushen burgjet për kanabis?!