Deputeti i PS-së kërcënon me protesta: Kjo që po ndodh është turp!
Deputeti i Partisë Socialiste në Lezhë, Pjerin Ndreu ka reaguar ashpër sot ndaj mungesës së energjisë në zonat turistike.
Deputeti i PS thotë se është paaftësi e tallje lënia për 4 orë pa drita e zonës turistike të Tales në Lezhë. Ai i konsideron vendimet e qeverisë për ndarjen territoriale si pseudoreforma me shpikje banale që kanë futur në qorrsokak menaxhimin e situatës.
Reagimi i plotë i Pjerin Ndreut:
“Të lësh zonën turistike të Tales 4 orë pa drita në kulmin e sezonit turistik është kulmi i paaftësisë dhe talljes që strukturat e ç’akorduara të OSHE bëjnë me popullin e bizneset turistike. Ca pseudoreforma, me shpikje banale, kanë futur në qorrsokak menaxhimin e situatës. Si deputet zone kërkoj ndërhyrje të mënjëhershme ose do mbledh bizneset e asaj zone duke u vënë në krye të një proteste e cila nuk do të jetë e lehtë për gjithë ata që e gatuajnë këtë katrahurë turpi.
S’më intereson aspak se kujt partie i përkasin, por çfarë zullumesh bëjnë në dëm të sezonit turistik !
Turp!”.