Deputeti i PS-së Sadri Abazi deklaron: Rama do jetë kryeministër edhe 10 vjet!

Në mitingun e PS-së në Dibër për zgjedhjet e kryebashkiakut të Dibrës deputeti i PS-së, biznesmeni Sadri Abazi deklaroi në miting hapur se “Edi Rama do të jetë kryeministër edhe 10 vjet të tjera”!

Natyrisht që në mitingje entuziazmi dhe euforia të merr me vete si era e maleve të Korabit, por jo një deputet si Sadri Abazi, i cili ka shumë vite si biznesmenë miliarder, nuk thotë asgjë pa e mësuar. Ai e di mirë se nuk është thënie elektorale sa për t’ju marrë votat dibranëve. Ajo çka tha ai si njeri shumë afër kryeministrit Rama dhe i akuzuar nga PD që ka marrë krejt tenderat e qeverisë në këto tre vite, ka informacion se kjo është psikoza e kupolës. Pra që Edi Rama nuk do ta lëshojë pushtetin edhe 10 vite të tjera.

Po si do ta mbajë pushtetin Rama edhe 10 vite? Me punë? Nëse punon, e gëzoftë! Me dhunë dhe drogë duke blerë vota, atëhere kjo mbetet katastrofale sepse mund të rrokulliset 1997-ta e dytë. Kjo nuk duhet lejuar.

Edi Rama ka nevojë të dëgjojë nga deputetët e tij se duhet të mbajmë premtimet e jo të krijojë psikoza dhune e shantazhi me deklarata të tilla si e Sadri Abazit. Natyrisht nuk mund të ngrihen akuza ndaj deputetit në fjalë për vjedhje fondesh shterore, përderisa nuk ka vendim të formës së prerë të gjykatave, porse Edi Ramës më mirë do ti bënin akuzat e Ben Blushit për të ndryshuar kursin e qeverisjes apo kritikat e Erion Braçes për ministra të tjerë apo sugjerimet e Ilir Metës për ritme me të shpejta në qeveri, se sa elozhe të tilla të Abazit.

Si rregull kur servilët të miklojnë edhe publikisht e të pëlqen ty si kryeministër, vjen fundi. Kështu ka ndodhur edhe me Fatos Nanon në vitin 2005 dhe Sali Berishën në vitin 2013.

Dibra nga zgjedhje vendore po kthehet në test politik paraelektoral kombëtar.

SHKARKO APP