Deputetja e LSI, Kejdi Mehmetaj: Jemi rast unikal; ikën mazhoranca nga parlamenti!
Në çdo vend demokratik ndodhin përplasje politike mes mazhorancës dhe opozitës. Nga përplasjet ndodh që opozita braktis parlamentin apo përplaset për parimet e saj me pushtetin. Dhe mund të braktisë si bojkot provizor apo final parlamentin e vendit duke i treguar popullit, me këtë veprim, se kjo qeveri apo parlament nuk është më i popullit. Kështu ka ndodhur edhe në këto 27 vite demokraci në Shqipëri. Javët e fundit po ndodh diçka e paparë në histori; opozita proteston në sallë, debaton, përplaset dhe vazhdon të qëndrojë për t’u përballur me pushtetin, kurse mazhoranca braktis seancën parlamentare. Pushteti ikën.
“Duhet të jemi vend i vetëm i botës ku parlamenti të braktiset nga mazhoranca. Nëse do të bënim siç thotë Ruçi, opozita duhet të fliste në orën 12 të natës. Pra opozita nuk mund të sillet sikur jemi në një parlament normal. Opozita ka në dorë të ngrejë zërin dhe të bëjë publike të gjitha faktet që ka në dispozicion. E enjtja e parlamentit, ato dy orë, janë pak të vështira për t’u menaxhuar dhe përballja është dhe më e fortë, dhe janë krerët e opozitës që marrin rolin kryesor. Por që mazhoranca të braktisë parlamentin, kjo është e paparë”- tha deputetja e LSI Kejdi Mehmetaj.
Me sa duket kjo mbetet një taktikë e kryeministrit Rama, i cili ka urdhëruar Gramoz Ruçin, që të miratojnë në sherr e zhurmë çka duan dhe ikin me vrap nga salla e Kuvendit, duke e lenë të vetme opozitën. Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë, që mazhoranca dhe qeveria ikin duke lenë vetëm opozitën në sallën e Kuvendit. E kundërta ka ndodhur dhe ndodh në vendet demokratike.