Deputetja e LSI: Meta, kontribuesi i zhvillimit të dialogut dhe stabilitetit
Flet deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Kejdi Mehmetaj
Kejdi Mehmetaj: Meta, kontribuesi kryesor i zhvillimit të dialogut dhe stabilitetit politik të vendit
Deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Kejdi Mehmetaj, i cilëson zgjedhjet e 6 nëntorit brenda partisë, si një dimension të ri të kësaj force politike. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Mehmetaj thekson se, idetë dhe platformat e kandidatëve i kanë dhënë partisë më shumë vlera. Ndërsa shton se gara për kreun e partisë dhe strukturat ka konfirmuar demokracinë e brendshme në parti. Nga ana tjetër ajo thotë se fushata e këtij muaji brenda LSI-së e ka shërbyer dhe për të vlerësuar politikat që i duhen vendit. “Përgjatë gjithë këtij muaji është diskutuar për parime dhe ide, platforma dhe politika, të cilat do i shërbenin Shqipërisë për të ecur shpejt në rrugën zhvillimit. Elementi kryesor që vlerësoj tek të tre kandidatët është dëshira për të hapur strukturat e partisë, për të mirëpritur në rrethin tonë intelektualë, akademikë, profesionistë, të cilët kanë plot çfarë të ofrojnë në politikëbërje”,- thotë Mehmetaj.
Deputetja e LSI-së shprehet se kjo fushatë e ka ndihmuar partinë të kuptojë se cilat duhet të jenë pikat që duhet të përmirësojë partia. “Zgjedhjet nuk bëhen thjeshtë për individin, përkundrazi, bëhen për të kuptuar, ku duhet të përmirësohemi dhe për të zhvilluar debatin e brendshëm. Përgjigja më e mirë që do të kisha për çdo skeptik do të ishte një ftesë e hapur për të ndjekur nga afër procesin tonë zgjedhor të dielën në datën 6 nëntor në rreth 250 qendra votimi të hapura në të gjithë vendin, ku priten të votojnë rreth 50000 anëtarë”,- shprehet deputetja Mehmetaj.
Mehmetaj ndalet dhe në procesin e përfaqësimit të të rinjve në strukturat e LSI-së, duke theksuar se kjo forcë politike ka si qëllim pjesëmarrjen dhe përfaqësimin sa më dinjitoz të të rinjve.
Znj. Mehmetaj, më datën 6 nëntor, LSI zhvillon zgjedhjet për kryetarin dhe delegatët e Konventës Kombëtare. Në krahasim me proceset e mëparshme, cilat janë risitë e këtyre zgjedhjeve dhe domethënia e garës brenda partisë?
Këto zgjedhje të brendshme në Lëvizjen Socialiste për Integrim janë tepër të rëndësishme për ne, pasi do të ravijëzojnë rrugën dhe frymën me të cilën do të vazhdojmë punën tonë në të ardhmen. Ky proces nisi me verifikimin e anëtarësisë dhe pajisjen me kartat e reja, gjë që na ndihmoi të bënin një analizë të brendshme të funksionalitetit të strukturave, ku siç dihet vëmendja jonë është tek të qënurit sa më afër votuesve dhe shqetësimeve të tyre. Gjithashtu, dua të theksoj se gjatë kësaj kohe shumë qytetarë i janë bashkuar LSI-së duke u bërë pjesë e jona dhe ky interesim vjen kryesisht nga radha e të rinjve. Megjithëse, procesi është në vazhdim janë rreth 50 mijë anëtarësime dhe shumë të tjerë në proces. Së dyti procesi i propozimeve të kandidatëve për delegatë dhe votimi i tyre në datën 6 nëntor po riforcon bashkëpunimin deri në nivelin bazë, por edhe tregon demokraci të fortë të brendshme. Së treti dhe ndoshta më e rëndësishmja, pjesëmarrja në garën për kreun e LSI-së e Profesor Rrokaj dhe deputetit Spahiu, solli një dimension të ri brenda LSI-së sa i takon konkurrimit me ide dhe platforma politike, duke e zhvendosur debatin në nivel politikash dhe përfaqësimi dinjitoz. Kjo garë i hapi rrugën mjaft diskutimeve, mbi punën aktuale të përfaqësuesve të LSI në çdo nivel brenda partisë edhe në vendimmarrje, por edhe synimeve dhe pritshmërive tona për të ardhmen.
Në garë për kreun e LSI-së janë tre kandidatë, që përgjatë një muaji patën mundësinë të shprehin, në strukturat e partisë dhe media vizioni e tyre për drejtimin e LSI-së, por dhe për qëndrimin që duhet të ketë LSI-ja ndaj problemeve të vendit. Cili është mendimi juaj për këto platforma?
Si e përmenda edhe më sipër të tre kandidatët në garë i kanë shtuar vlera Lëvizjes Socialiste për Integrim. Përgjatë gjithë këtij muaji është diskutuar për parime dhe ide, platforma dhe politika, të cilat do i shërbenin Shqipërisë për të ecur shpejt në rrugën zhvillimit. Elementi kryesor që vlerësoj tek të tre kandidatët është dëshira për të hapur strukturat e partisë, për të mirëpritur në rrethin tonë intelektualë, akademikë, profesionistë, të cilët kanë plot ç’të ofrojnë në politikëbërje. Njëkohësisht kjo ide e hapjes zgjerohet edhe më tej në përfshirjen e komunitetit dhe shoqërisë civile, nëpërmjet konsultimeve dhe diskutimeve të hapura, në çdo vendimmarrje tonën. Profesor Rrokaj dhe deputeti Spahiu vijnë të dy si personalitete të spikatura në fushat e tyre profesionale, i pari me një karrierë të suksesshme në botën akademike dhe tjetri me po të njëjtat arritje në sektorin financiar, si të tillë edhe në platformat e tyre janë përqendruar tepër në politikat e arsimit dhe ekonomisë, dy shtylla këto, të cilat vërtet meritojnë vëmendje maksimale nga politika. Përgjatë këtij muaji shpesh nëpër takimet me anëtarësinë është folur nga kandidatët për përgjegjshmëri që tregon LSI-në si forcë politike dhe se fryma jonë e dialogut dhe bashkëpunimit ka sjellë stabilitet për vendin dhe kjo mënyrë e jona e të funksionuarit duhet të vazhdojë e tillë, sepse kështu u shërbejmë më mirë anëtarëve tanë dhe shqiptarëve. Ky ka qenë një muaj intensiv dhe me platforma garuese, megjithatë, e sigurt është që në përfundim të këtij procesi Lëvizja Socialiste për Integrim do të fitojë ekip dhe platformë fituese.
A jeni dakord me kërkesën e deputetit Spahiu se duhet negociuar me PS-në, që mandatin tjetër Kryeministri duhet të jetë i LSI-së?
E kam ndjekur me vëmendje diskursin e deputetit Spahiu dhe unë njësoj si ai gjykoj që, LSI tashmë është parti politike me shumë mbështetje dhe me të gjitha kapacitetet për të qenë shumë të suksesshëm në zgjedhjet e ardhshme dhe këtë sukses ta përkthejmë në politika të përgjegjshme për qytetarët, në politika që rrisin standardin e jetesës për Shqiptarët, rrisin cilësinë në edukim dhe mirëqenien. Duke pasur këtë në mendje në momentin e duhur do të gjenden edhe format më të përshtatshme të zbatimit të ideve tona. Megjithatë, një gjë mund ta them me bindje nga eksperienca e shume viteve, LSI e mban fjalën, i qëndron marrëveshjeve dhe çdo vendimmarrje e merr nisur nga më e mira për qytetarët.
Duke parë partitë e tjera, PS dhe PD, është krijuar ideja se zgjedhjet e brendshme janë procese formale. Si u përgjigjeni kritikëve që i shohin me mosbesim zgjedhjet brenda partive? A janë zgjedhjet në LSI një test demokracie të brendshme?
Unë besoj se demokracinë duhet fillimisht ta zbatojmë mes vetes, që të mund të jemi të zotë ta bëjmë edhe me kundërshtarët. Duke pasur këtë në mendje, ne, gjithmonë kemi luftuar që brenda LSI-së të gjitha proceset zgjedhore të zhvillohen në kushte të barabarta për të gjithë dhe standardi të ruhet në nivele maksimale. Zgjedhjet nuk bëhen thjesht për individin, madje përkundrazi, bëhen për të kuptuar, ku duhet të përmirësohemi dhe për të zhvilluar debatin e brendshëm. Përgjigja më e mirë që do të kisha për çdo skeptik do të ishte një ftesë e hapur për të ndjekur nga afër procesin tonë zgjedhor të dielën në datën 6 nëntor në rreth 250 qendra votimi të hapura në të gjithë vendin, ku priten të votojnë rreth 50000 anëtarë.
Në qëndrimet e drejtuesve të LSI-së është folur shpesh për rritjen e përfaqësimit të të rinjve në strukturat e LSI-së. Sa është aktualisht niveli i përfaqësuesve të LRI-së në strukturat e partisë dhe çfarë synohet konkretisht në tej me këtë proces?
Lëvizja Socialiste për Integrim është realisht e vetmja parti, e cila i jep vëmendjen që meritojnë forumeve të saj, Lëvizjes së Gruas për Integrim dhe Lëvizjes Rinore për Integrim. Qysh në konventën zgjedhore të vitit 2012 është marrë vendimi se vajzat dhe gratë e LSI-së do të përfaqësohen në masën 50% në çdo nivel drejtues ndërsa të rinj në masën 30%. Gjithashtu, po në të njëjtën konventë u morr vendimi për të ulur moshën e anëtarit të LSI-së në 16 vjeç, frytet e këtij vendimi i kemi marrë përgjatë dy zgjedhjeve që kemi kaluar. Megjithatë, numrat asnjëherë s’kanë qenë limite për ne. E them me bindje se të rinjtë në LSI janë pjesa më aktive dhe vitale e saj. Puna që të rinjtë bëjnë brenda partisë është sistematike, e përditshme dhe e palodhur. Ne asnjëherë nuk jemi ndalur thjesht me atë që na ka takuar si moshë, por kemi kërkuar të marrim mbi vete përgjegjësi, duke filluar me ato organizativet e deri te ngritja e problematikave dhe propozimi i zgjidhjeve. Jemi krenarë se mes nesh ka të rinj të talentuar në fusha të ndryshme, gjimnazistë energjikë, studentë të shkëlqyer, profesionistë, të rinj të shkolluar jashtë dhe mbi të gjitha të rinj me dashuri ndaj vendit. LSI e ka vlerësuar ndër vite këtë angazhim të tonin dhe na ka përkrahur duke na bërë pjesë të Parlamentit, pjesë të këshillave bashkiakë (aktualisht janë 80 në të gjithë Shqipërinë), pjesë të rëndësishme të drejtimit të LSI-së dhe gjithë kjo mbështetje na ka shtuar përgjegjësinë përballë moshatarëve tanë. Detyra jonë tashmë është e qartë, të punojmë shumë, në mënyrë që, t’u kthejmë shpresën të rinjve se këtu, në Shqipëri, në vendin e tyre mund të krijojnë një jetë të shëndetshme dhe europiane. Aktualisht Lëvizja Rinore për Integrim ka një strukturë që me krenari e them se është më e madhja në vend. Ekipi i tyre drejtues është i jashtëzakonshëm dhe shumë kërkues ndaj vetes dhe ndaj LSI-së, prandaj besoj që përveç përfaqësimit dinjitoz me delegatët për konventë do të kenë edhe propozime sfiduese sa i takon statutit dhe programit politik.
Zgjedhjet brenda partisë janë dhe një moment reflektimi. Çfarë mendoni se duhet të ndryshojë në strukturat e partisë?
Ashtu siç e ka theksuar disa herë vet kryetari Meta, LSI ka një veti që rrallë e gjen në parti politike, reflektimin e brendshëm. Ne gjithmonë përpiqemi të përmirësojmë vetveten, sepse vërtet asgjë nuk është asnjëherë perfekte. Mendoj që këto zgjedhje do të na shërbejnë për t’i kushtuar një vëmendje të shtuar politikave që ne kemi propozuar dhe vazhdojmë të propozojmë dhe për t’ju qëndruar fort ideve tona. Gjykoj se angazhimi i kaq shumë të rinjve do të ndryshojë mentalitetin e vjetër dhe paragjykues që shoqëron politikën, do të na bëjë më të afërt me votuesit dhe problemet e tyre. Angazhimi brenda forumeve të partisë i më shumë intelektualëve dhe profesionistëve do të rrisë cilësinë tonë në përfaqësim. Këto zgjedhje në fund të ditës, nuk janë më zgjedhje të LSI-së, janë zgjedhje për të ardhmen e shqiptarëve. Ajo që ne po bëjmë tani, do të na ndihmojë të jemi përfaqësues më të denjë të tyre, të jemi si ata në gjykim dhe vendimmarrje dhe të propozojmë zgjidhjet më të mira për shqiptarët. Arsimi cilësor, punësim dinjitoz dhe integrim i sa mëparshëm i Shqipërisë në Bashkimin Eropian, këto tre shtylla do të jenë udhërrëfyese të punës sonë çdo ditë.
A mendoni se LSI-ja duhet të futet në koalicion me PS-në në zgjedhjet e ardhshme apo duhet të krijojë një pol të tretë?
Mendoj se ky vit i fundit i qeverisjes është i mbushur me shumë sfida sa i takon përmbylljes së reformave të ndërmarra në këto vite dhe analizimit të asaj çka është bërë. Po ashtu Parlamenti ka në tryezë pune ende një sërë ligjesh me shumë rëndësi: Votimin e ligjeve të reformës në drejtësi, rishikimin e Kodit Zgjedhor etj. Po ashtu pritshmëritë e qytetarëve kundrejt nesh janë shumë të larta sa nuk ngelet kohë e lirë për të mendar kaq herët për zgjedhjet e ardhshme. Lëvizja Socialiste për Integrim gjithmonë ka marrë vendime në interes të qytetarëve dhe gjithmonë i ka qëndruar drejtë marrëveshjeve. Ilir Meta në këto vite ka qenë kontribuesi kryesor i zhvillimit të dialogut dhe ruajtjes së stabilitetit të vendit. Vendimmarrja dhe qetësia e tij qenë faktorët kryesor të realizimit të reformës në drejtësi, falë së cilës presim edhe rekomandimin pozitiv të Komisionit të Europës për Çeljen e Negociatave me Bashkimin Europian. Kjo përgjegjshmëri e lartë politike që na ka karakterizuar gjatë këtyre viteve do të na ndjekë edhe në çdo vendimmarrje të radhës.
Intervistoi: Qamil Xhani