Dibranët bëjnë për ujë të ftohtë kryeministrin Rama: S’kemi rrugë, drita!

Turi i llogaridhënies së qeverisë “Rama” është ndalur sot në Lurë të Dibrës. Këtë herë nuk kanë qenë protestuesit e opozitës që kanë vënë në vështirësi vizitën e Edi Ramës, por vetë qytetarët e Lurës.

Në një nga zonat më piktoreske të vendit, Edi Rama nuk ka pasur shumë suksese për të prezantuar. Ka bërë premtime për zhvillimin e Dibrës dhe ka folur për rritjen ekonomike të vendit. Por dibranët e pranishëm në takim nuk i kanë kursyer kritikat ndaj kreut të qeverisë.

Teksa fliste për zhvillimet ekonomike, një qytetar i ka thënë troç se këto që deklaron kryeministri janë reklama. Më tej ka vijuar t’i kujtojë se kryeministri thotë të njëjtat gjëra në Lurë, në Shkodër, Gjirokastër dhe në Lezhë.

Përballë kritikave të qytetarit, Edi Rama është detyruar t’i ndërpresë fjalën duke i kërkuar të dorëzojë mikrofonin dhe ta lërë të flasë.

Por momentet e sikletshme të kreut të qeverisë nuk kanë munguar me kaq. Një pensionist dhe ish-përndjekur politik duke marrë fjalën nuk e ka kursyer ironinë dhe kritikat e forta ndaj kreut të qeverisë.

Ish i përndjekuri i ka kujtuar kreut të qeverisë së ne Lurë, një nga zonat me më shumë potenacial të turizmit malor, nuk ka rrugë, ujë dhe as drita. Duke pranuar se ishte i djathtë, qytetari i kujtoj kryeministrit se qeveria e tij po bënë të njëjtat gabime që ka bërë edhe Partia Demokratike në pushtet me largimet e njerëzve nga puna për shkak të bindjeve politike.

Qytetari i ka renditur kryeministrit një listë me probleme të rënda me të cilat përballen sot banorët e kësaj zone. Ish i përndjekuri bëri një akuzë të fortë për qeverisjen e Edi Ramës. Duke deklaruar nivelin e ulët të pensionit të tij, ai tha se sot gjysma e Shqipërisë është sërish e persekutuar.

Momentet e sikletshme të llogaridhënies Edi Rama është munduar t’i kalojë me humor. Teksa një qytetar tjetër ankohej për rrugët dhe dritat, Edi Rama i ka kujtuar se këto ditë është kohë skedinash për ndeshjet e botërorit. Por qytetari i ka kujtuar se është pa punë dhe nuk ka asnjë mundësi ekonomike për të luajtur me skedina.

Duket se në Lurë skenari i llogaridhënies me regji të kontrolluar dhe me pyetje të gatshme i ka dalë nga kontrolli kreut të qeverisë. Mes shumë socialistëve që bënin pyetje reklame për qeverinë, një pjesë e dibranëve i kërkuan realisht llogari kreut të qeverisë duke treguar problemet reale që ka sot vendi.

Replika e qytetarit për reklamat e qeverisë:

Qytetari: Ne duam rrugë, nuk duam kullat.  Ti i ke reklama, ti këtë punë ke.

Rama: Kush të tha ty

Qytetari : Ti, të kemi dëgjuar premtimet në të gjithë Shqipërinë.

Rama: Të flas unë tani?

Qytetari: Po

Rama: Jo po, por dorëzoje mikrofonin. Dorëzo mikrofonin tani, se e kam unë radhën.

Replikat/Qytetari: Gjysma e Shqipërisë është e persekutuar si unë

Qytetari: Rrugë e drita duam ne, me 5 centrale që i jep Shqipërisë Lura s’ka drita, pa u fik tre herë dritat nuk kanë ndenjt.

E dyta, jam duke të tregu, jam demokrat i orëve të para, i persekutuar, kur vdisnin njerëzit, varret ua bëjsha vetë, gjithmonë, zoti ministër (të pranishmit qeshin se iu drejtua ministër) po bëre gje për Lurën…

Rama: Ai kryeministër është vetë, ne të tjerët jemi ministra. Atyre që ia ke dhënë votën pa pushim të kanë bërë gjë, pse ia keni dhënë, pse s’e ndërrove njëherë

Qytetari: E kisha vetëm për socializmin, ai më ka luftu.

Rama: Ty të ka luftu komunizmi, jo socializmi

I moshuari: Nuk do të flas për interesa personale, në atë kohë edhe ditën e dielë punojsha. Unë marr 5 mijë e 500 lekë pension, faleminderit katër  fëmijëve se unë do kisha vdek për bukë, s’e ke fajin ti se as partia ime s’mori asnjë masë. Sa ta marri Saliu pushtetin, pushon të tujtë, sa e merr ti pushon ata… Unë jam i kënaqur se jam me gjysmën e Shqipërisë të perskeutum (me ironi).

Rama: Ata të mitë thonë s’dole gjë s’ke pushu asnji. Ti votën coje aty ku e cove gjithmonë, por për Lurën unë do e bëj atë që kam thënë, ti votën atje

Qytetari: Do e çoj atje por s’do i them njeriu voto si puna ime

Rama: Me votën tënde pa votën tënde ne e fitojmë prapë.

Rama bën humor për skedinat. Qytetari: Jam pa punë

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155886927591523/

Rama: Dje si e kishe situatën me skedinën?

Qytetari: S’shkova…

Rama: I hedh online ti ato po hë…

Qytetari: Kam mbaruar shkollën. Kam aplikuar për punë, s’më është kthyer një asnjë përgjigje. Kam denoncuar tek portali që thua ti. Unë s’di ça të bëj.

Rama: Ty të është kthyer përgjigja, por s’të ka pëlqyer…

Djali: Jo jo jo… asnjë përgjigje

Rama: Ça do nga unë? Do punë shteti?

Qytetari: Sigurisht, këtu punojnë mësuese me shkollë të mesme, pse mos të punoj unë?

Rama: Të jemi të qartë… Në radhë të parë mësuesit punësohen nga portali “Mësues për Shqipërinë”. Kjo është rruga për mësuesit. S’di ç’të them për rastin tënd, por bashkitë s’janë zyra puna. Nëse e dëgjove atë që thashë unë, shihe pak ndryshe këtë punë, duke e kthyer shtëpinë në një bujtinë e të bëhesh zot i punës tënde. Mundësitë janë, financojmë ne. Mos nxirr gjuhën, se dhe ai aty si puna është. Financon shteti, jep lekë shteti në dorë. Kemi rihapur thirrjen. Do më dëgjosh tani ça të them?

Qytetari: I marrin investitorët.

Rama: Po flas për programin që të jep 15 milionë lekë ty. Jep mend. Thuaji vetes ça do bëj…

SHKARKO APP