Dilemat e Blendi Fevziut, zbarkimi i Ramës dhe Samir Manes te Klan
Gazetari i njohur Blendi Fevziu duket i paqartë në vendimin e tij për të mbetur në Klan apo shkuar në Top Channel. Fevziu ka lënë të kuptohet se nëse merr vendimin për t’u larguar, mund të shtyhet më tepër nga emocionet se sa nga racionaliteti.
Sipas tij, televizionet në Shqipëri tashmë dominohen kryesisht nga anti-vlerat, dhe kjo shkakton që të mos kenë peshë e sukses.
Zhurma nëse do të rrijë apo do iki, ka pushtuar mediat, pasi së pari Blendi Fevziu nuk është gazetar i kollajshëm, ai mbetet gazetar VIP dhe numri një në botën e tij televizive. E dyta se flitet për dy televizionet më të mëdha në vend, TV KLAN dhe TOP CHANNEL.
Në Klan drejtor i përgjithshëm dhe pronar është Aleksandër Frangaj, kurse në Top Channel drejton Ben Blushi. Të dy nga shkolla e gazetës “Koha Jone”, të dy kanë qenë kryeredaktor në vitet me të stuhishme të kësaj gazete të parë të pavarur. Sandri ka fuqinë e vendimit, pragmatizmin dhe qëndrestar për interesat e medias së tij, kurse Blushi mbart vizionin, bashkëpunimin dhe elokuencën e vendimit.
Me këtyre të dyve duhet të vendos Blendi Fevziu. Ndryshe sa më shumë zgjatet vendimi si tërkuzë atëhere kjo kthehet si telenovelë turke që transmeton Klani apo si telenovelë amerikanojugore të cilën transmeton Top.
Ndërkohë këtë të martë në mbrëmje kanë zbarkuar në TV KLAN te “Opinion” vetë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe miliarderi, po shqiptar, Samir Mane. Ky i fundit njihet si miku i ngushtë i pronarit të Klan.
Pyetja në rrjetet sociale po rrotullohet: Për emisionin “Opinion” ishin mbrëmë dyshja Rama-Mane apo për lëkundjet e Fevziut në raport me KLAN?!
Burime të fundit tregojnë se Fevziu ka vendosur të qëndrojë në Klan.
E gjithë zhurma mbeti si një film serial me dy seri, ku dihej përfundimi vetëm nga tre veta: Sandri, Fevziu dhe Blushi.
Pjesë nga intervista në emisionin “Provokacija” e Blendi Fevziut transmetuar para emisionit “Opinion”:
Sigurisht vendimi që marr, nëse do e marr, do dhembi shumë. Nuk është se do të thosha që më keni parë 21 vjet në emision dhe nuk do më shikoni më. Kjo ka të bëjë me lëvizjen. Është një gjë që ka ndodhur rëndomë në botën e futbollit. Është një moment kur ti merr një vendim, e keqja është se vendimi këtu shikohet si financiar, por mund të jetë edhe një vendim emocional.
Nuk kam vendosur akoma. Ta thashë që nuk kam vendosur se po të kisha vendosur nuk do e zgjasja. Jam duke parë edhe atë tundimin e forcës për të më mbajtur. Nëse vendimi ka një dorë emocionaliteti brenda, vendimi është edhe më i paqartë. Nëse do ishte një vendim racional do ishte shumë më e thjeshtë. Racionaliteti krijon qartësi.
Ke lënë të kuptohet se Tv Klan nuk është më ai që ka qenë….
Kjo është një fakt, jo unë mendoj që Tv Klan është në ditët më të mira, por media funksionon nëse e jep goditjen apo suksesin afatgjatë. Kam 21 vjet në ekran. Kam një karrierë gati 30 vjeçare gazetareske. Ulesh një ditë dhe shef një gjë që nuk shkon, e më pas shikon një gjë tjetër që nuk shkon, dhe nuk ndihesh rehat.
Televizioni është mendim dhe pastaj formë. Pjesa bazike është media. Ka disa kode që janë universale, 70 për qind ështe e hapur. Nëse flasim për një televizion si ai më standarti në botë.
Ke patur vendimmarje në Tv Klan?
Kam pasur por nuk jam marrë direkt se nuk kam patur edhe kohë fizike për këtë. Klani ka mbajtur peshën dominuese të zhvillimeve politike në 2007-08-09, por jo gjithmonë pesha e televizionit shkon paralel me këtë. Ne po krijojmë një raport midis vlerave dhe anti-vlerave, zakonisht po dominohemi nga anti-vlerat. Ajo që po të them është që sot ne vijmë në një moment që shikon njerëz pa kulturë, injorantë, që nuk i meritojnë 45 minuta në televizion. Ndërsa shikon intelektualë, rektorë, që dalin një herë në vit…