Diplomatët shqiptarë-Ramës: Gabove me Cakaj, s’ka përvojë për një post me rëndësi kombëtare
Ish-ministrat e Jashtëm dhe diplomatët shqiptarë që janë pjesë e Këshilli të Ambasadorëve Shqiptarë në një deklaratë për mediat kanë reaguar mbi përzgjedhjen nga Edi Rama për ministër të Jashtëm të Genc Cakaj.
Në deklaratën e Këshillit ku pjesë ish-ministra të jashtëm, ish-ambasadorë dhe akademikë të njohur si: Besnik Mustafaj, Arta Dade, Paskal Milo, Neritan Ceka, Ylljet Aliçka, Tonin Gjuraj dhe shumë të tjerë, theksohet se kandidatura e zgjedhur nga Rama ka ngjallur shqetësime. Ata shtojnë se “ky lloj kontestimi, i pashembullt për asnjë nga ministrat e jashtëm të Republikës së Shqipërisë gjatë këtyre 29 vjetëve demokraci, mbështetet në perceptimin publik të personalitetit të Zotit Caka si pa cilësitë e nevojshme profesionale për të mbajtur barrën e një detyre të tillë më rëndësi kombëtare”.
Duke i sugjeruar Edi Ramës të zgjedhë një emër tjetër për Ministër të Jashtë, diplomatët i kërkojnë kryeministrit që të sqarojë dhe arsyet përse shkarkoi Ditmir Bushatin.
” Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë tërheq vëmendjen me shqetësim te fakti se Kryeministri nuk ka kryer detyrimin e tij kushtetues për të bërë transparencën mbi arsyet që e kanë shtyrë atë të shkarkojë posaçërisht ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme. Nevoja për një transparencë të tillë buron nga roli specifik që ka institucioni i ministrit të jashtëm në përmbushjen e objektivave strategjike të shtetit shqiptar në këtë periudhë”,- thuhet në deklaratën për shtyp.
Deklarata e Këshilli të Ambasadorëve Shqiptarë vjen pas një takimi që kanë zhvilluar sot me ambasadorin e BE në Tiranë, Luxhi Soreca.
Deklarata për shtyp e Këshilli të Ambasadorëve Shqiptarë:
Mbi emërimin e ministrit të ri për Europën dhe Punët e Jashtme
Kohët e fundit Kryeministri i Shqipërisë ka ndërmarrë disa ndryshime të rëndësishme në qeverinë që ai drejton, përfshirë këtu edhe shkarkimin e Ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, Zotit Ditmir Bushati dhe propozimin për në këtë post të zëvendministrit aktual, Zotit Gent Caka. Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë vlerëson se është krejtësisht në të drejtën politike dhe kushtetuese të Kryeministrit të bëjë ndryshime në qeveri, në përputhje me vlerësimet që ai ka lidhur me arritjet apo dobësitë e njërit apo tjetrit nga ministrat. Por Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë tërheq vëmendjen me shqetësim te fakti se Kryeministri nuk ka kryer detyrimin e tij kushtetues për të bërë transparencën mbi arsyet që e kanë shtyrë atë të shkarkojë posaçërisht ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme. Nevoja për një transparencë të tillë buron nga roli specifik që ka institucioni i ministrit të jashtëm në përmbushjen e objektivave strategjike të shtetit shqiptar në këtë periudhë.
Viti 2019 do të jetë veçanërisht i ngarkuar me sfida për diplomacinë tonë dhe në përgjithësi për politikën e jashtme të Republikës së Shqipërisë. Me kryesoret e këtyre sfidave janë marrja e vendimit për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian nga ana e Këshillit Euopian në fund të pranverës së ardhshme, përfundimi i shtyrë tej çdo parashikimi i marrëveshjes për kufirin detar me Greqinë, përgatitje intensive, nëpërmjet ngritjes së infrastrukturës së përshtatshme për marrjen e presidencës së OKB-së në vitin2020, ndërtimi i një mirëbesimi të gjerë ndërkombëtar për të fituar të drejtën e anëtarit të përkohshëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për vitin 2022, gjë që kalon përmes një votimi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Përballimi i këtyre sfidave disa nga të cilat janë thelbësisht të reja për politikën, diplomacinë dhe administratën e shtetit tonë, do të duhet të bëhet krahas kryerjes së detyrave të tjera dinamike që shtron zhvilimi në rritje i bashkëpunimit ndërkombëtar, për ta forcuar rolin e Shqipërisë në mbështetje të paqes e të stabilitetit në rajon e në botë, duke e vënë njëherësh politikën e jashtme më mirë në shërbim të një politike të brendshme zhvillimore, në përgjigje të aspiratave të shoqërisë shqiptare për rritje të mirëqenies, thellim të demokracisë dhe konsolidim të shtetit të së drejtës.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë vëren se kandidatura e përzgjedhur nga Kryeministri Rama për të emëruar Ministër për Europën dhe Punët e Jashtme. Zoti Gent Cakaj, ka ngjallur një shqetësim të madh në një pjesë të gjerë të opinionit publik, përfshirë edhe shumicën e anëtarëve të këtij Këshilli. Ky lloj kontestimi, i pashembullt për asnjë nga ministrat e jashtëm të Republikës së Shqipërisë gjatë këtyre 29 vjetëve demokraci, mbështetet në perceptimin publik të personalitetit të Zotit Caka si pa cilësitë e nevojshme profesionale për të mbajtur barrën e një detyre të tillë më rëndësi kombëtare. Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i tërheq vëmendjen Kryeministrit Rama ta rivlerësojë kandidaturën e ministrit në fjalë, duke mbajtur më mirë parasysh interesin publik dhe kombëtar.
Tiranë, më 11 janar 2019