Dita e Pavarësisë/Shqipëria feston 104 vjet shtet. Ceremoni në Vlorë dhe Tiranë

Shqipëria feston sot 140-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Në gjithë qytetet kryesore të vendit, por edhe në Kosovë dhe në diasporë shqiptarët kanë kujtuar ditën historike të pavarësisë së shtetit.

Ceremonitë kryesore në Shqipëri janë përqendruar në Tiranë dhe në Vlorë.

flamuri-vlore2

Ceremonia në Vlorë për Ditën e Pavarësisë

Tiranë, nga sheshi Skënderbej, i shndërruar në një kantier ndërtimi, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga dy fëmijë, zhvilloi ceremoninë simbolike të ngritjes së flamurit.

Veç urimeve për këtë ditë të shënuar për shqiptarët, Veliaj premtoi se kjo do ishte hera e parë dhe e fundit që flamuri ngrihej në një kantier ndërtimi. Në të njëjtën kohë ai bëri thirrje për më pak fjalë e më shumë punë.
Në sheshin simbol të shqiptarëve, sheshi “Skënderbej”, nën tingujt e Bandës frymore të Tiranës, u zhvillua ceremonia e ngritjes së Flamurit Kombëtar. I pranishëm në këtë ceremoi ishte edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se Shpallja e Pavarësisë është një nga ditët më të bekuara për të gjithë shqiptarët.

“I Uroj Gëzuar Festën qytetarëve të Tiranës dhe të gjithë qytetarëve të Shqipërisë! Është një ditë e bekuar, kemi 104 vite Pavarësi. Nuk është një arritje e vogël dhe duhet të jemi krenarë për këtë. Në një rajon plot tallaze dhe plot vështirësi, 104 vite pavarësi janë një histori suksesi. Sigurisht, ne kemi kaluar vështirësitë tona, por unë shpresoj se ditët më të mira i kemi përpara. Ndaj, dua t’u uroj qytetarëve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, gëzuar dhe begati!”, tha Veliaj. Kryebashkiaku Veliaj tha se në këto momente, akti më i madh patriotik është puna për modernizimin e qytetit dhe të gjithë Shqipërisë.

“Kemi më shumë nevojë sot, në dallim nga 104 vite më parë kur luftonim me armë, sot na duhet të punojmë, e sot na duhet të modernizojmë Tiranën e të gjithë Shqipërinë. Ndaj sot, për Bashkinë e Tiranës, akti më i madh që mund të bëjmë është t’i lëmë fjalët, të hapim më shumë kantiere si ky, të fokusohemi te puna dhe ta modernizojmë qytetin tonë, që është kryeqyteti i të gjithë shqiptarëve. Dje përfunduam me sukses një nismë, “Unionin e Bashkive Shqiptare” në rajon, sepse kemi kuptuar që megjithëse jemi të ndarë në 5 shtete, me kryetarë komunash dhe bashkish, kemi një fat që rrethohemi nga shqiptarë të tjerë dhe kjo është një arsye për të punuar bashkë”, tha ai. Veliaj deklaroi se vitin tjetër flamuri do të ngrihet në sheshin më të bukur të trevave shqiptare dhe në rajon.

“Kjo është hera e parë dhe e fundit që ceremonia e Flamurit ndodh në një kantier. Vitin tjetër nuk do të jetë më kantier, do të jetë sheshi i përfunduar “Skënderbej”. Siç e shikoni, po ecim me ritme të jashtëzakonshme, kemi filluar porositë, pllaka, pemë, bimë që përfaqësojnë të gjitha trevat shqiptare, për t’u siguruar që nëntorin tjetër do ta festojmë në një shesh, që do të jetë sheshi më i bukur i trevave tona dhe ndoshta më i bukuri në rajon”, u shpreh Veliaj.

bashkia-28-nentor-2016

Ceremonia e Ditës së Pavarësisë në Tiranë

ceremonia-tirane

Ceremonia e Ditës së Pavarësisë në Tiranë

Ndërsa Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në vizitë zyrtare në Gjermani, uroi shqiptarët në një postim në Facebook.

Kreu i PD-së Luzlim Basha zhvilloi homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Pasi ka vendosur buqeta me lule dhe ka mbajtur një minutë heshtje, Basha ka mbajtur edhe një prononcim për mediat.  “Dua t’iu uroj të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen gëzuar 28 Nëntorin. Ta nderojmë sakrificën e dëshmorëve të kombit, duke u bashkuar për ta bërë Shqipërinë një vend ku kthehen e jo largohen shqiptarët. Zoti bekoftë shqipërinë dhe kombin shqiptar. Gëzuar 28 Nëntorin”,- ka thënë lideri i opozitës, Lulzim Basha.

Vlorë, këtë të hënë, ashtu si 104 vite më parë, është mbajtur ceremonia e ngritjes së flamurit.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin presidenti i Republikës Bujar Nishani, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, si dhe përfaqësues të pushtetit vendor.

Por ky ishte vetëm fillimi i festimeve në qytetin e Vlorës, festime këto që janë parashikuar të vijojnë gjatë gjithë ditës me aktivitete të ndryshme që do të zhvillohen në disa zona të qytetit bregdetar.

nishani-kodheli2

Presidenti Bujar Nishani dhe Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, sot në Vlorë

nishani-dritan-leli

Presidenti Bujar Nishani dhe kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli duke takuar qytetarë

femije-festa-e-flamurit

SHKARKO APP