Dita e Talasemisë, Presidenti Meta: Dhuroni gjak, shpëtoni një jetë
Në kuadër të 8 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Talasemisë Presidenti i Republikës, Ilir Meta dhe stafi i Presidencës, kanë dhuruar gjak për personat që vuajnë nga talasemia.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë në Konferencën e organizuar nga Shoqata e Talasemikëve Shqiptarë në bashkëpunim me Organizatën Shqiptare të Dhuruesve Vullnetarë të Gjakut, Shoqatën Italiane të Dhuruesve Vullnetarë të Gjakut “AVIS” Olbia, Itali, me rastin e 8 majit, Ditës Botërore të Talasemisë.
Konferenca kishte si temë kryesore: “Ta parandalosh Talaseminë është e mundur…!”, dhe në të ishin gjithashtu të pranishëm edhe ambasadori italian në vendin tonë, Alberto Cutillo, kryetari i Komisionit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, nënkryetari i Bashkisë Tiranë, Andi Seferi, kreu i Shoqatës së Talasemikëve Shqiptarë, Musa Zenelaj, etj.
Në fjalën e Tij drejtuar të pranishmëve Presidenti Meta theksoi: “se është koha që të veprojmë më shumë në këtë drejtim. Nuk duhet të presim të gjithë që të kemi një person të afërt në familje që të shqetësohemi për talaseminë dhe të fillojmë të informohemi rreth saj, rreth të këqijave dhe kërcënimeve të talasemisë, për cilësinë e jetës, për jetëgjatësinë, aq më tepër kur kemi të bëjmë me gati 7% të popullsisë, që është një shifër mjaft e konsiderueshme që është e prekur nga kjo sfidë.”
“Ndaj vërtet jemi në Vitin e Skënderbeut, por mos harrojmë që jemi kombi i Nënë Terezës, dhe unë mendoj se nuk është çështje mungese humanizmi. Fakti që kemi një kontribut kaq të kufizuar përsa i takon dhurimit të gjakut, më shtyn të mendoj se është koha për një ndërgjegjësim më të madh të opinionit publik, sidomos të rinjve dhe të rejave që duhet ta dinë se dhurimi i gjakut të bën më të bukur shpirtërisht, por edhe fizikisht. Njëkohësisht jam i bindur se me një punë më të mirë, me një fushatë të vazhdueshme jo vetëm më 8 maj apo më 14 qershor, kur kemi Ditën Ndërkombëtare të Talasemisë apo atë të Dhurimit të Gjakut, por në mënyrë të përhershme, ne t’i japim zgjidhje këtij problemi serioz në mënyrë që asnjë fëmijë të mos vuajë nga mungesa e dhurimit të gjakut. Dhe jo vetëm fëmijët, por të gjithë ata që e kanë të domosdoshme këtë.
Si President i Republikës dua që t’ju siguroj se sot kam ardhur këtu jo vetëm që t’i bashkohem kësaj fushate e të kontribuuojmë duke dhuruar gjak, por këtë ta bëjmë në mënyrë të vazhdueshme kudo, anembanë vendit dhe të motivojmë, të koordinojmë, të bashkëveprojmë me të gjithë aktorët në mënyrë që të zgjidhim këtë problem e këtë mungesë, sepse jemi ende, për fat të mirë, një nga vendet më të reja në Evropë dhe kemi mundësi që të jemi akoma jo vetëm një vend më i ri, por edhe një vend akoma më i shëndetshëm, dhe kjo fillon duke u kujdesur për këtë fëmijë sot, por edhe duke u përpjekur për të parandaluar në të ardhmen sa më shumë raste të tilla, në mënyrë që të jemi një vend që edhe në përballimin e ksaj sfide, të jemi ndër vendet më të avancuara, edhe të rajonit tonë, por edhe të Bashkimit Evropian.
Pjesëmarrja këtu më ndihmon edhe mua të ndërgjegjësohem më shumë dhe besoj se të gjithë së bashku do të bëjmë një hop cilësor në mënyrë që kur të mblidhemi vitin tjetër të kemi rezultate padiskutim më të mira, me shpresë, por edhe me një çikë besim!” – u shpreh Presidenti i Republikës.
Me këtë rast, Presidenti Meta çmoi kontributin e Shoqatës së Talasemikëve Shqiptarë me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile” me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit dhe përkushtimit në përmirësimin e trajtimit mjekësor, parandalimin e sëmundjes dhe rritjen e jetëgjatësisë së pacientëve me talasemi”.
Presidenti i Republikës së bashku me anëtarët e Kabinetit të tij dhuruan gjak për të pacientët e prekur nga sëmundja e talasemisë.
https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/posts/1751498921563040