Edi Rama paralajmëron se “mundet opozita dhe disa shtete të na pengojnë…”
Kryeministri Rama ka zbuluar edhe “armiqtë e brendshëm” në rast të dështimit të marrjes të statusit final në qershor. Ai sulmoi opozitën shqiptare si shkaktare dhe disa shtete europiane si keqdashëse ndaj Shqipërisë.
Kryeministri Rama dje doli shumë euforik në një konferencë për mediat duke pohuar se dhënia e Rekomandimit nga Komisioni Europian ishte e sigurtë se Shqipëria do ta marrë Statusin në qershor nga shefat e shteteve anëtare të BE. Por media dhe disa politikanë të rëndësishëm, të cilët njohin diplomacinë reale europiane dhe raportet sekrete të agjensive të ndryshme për nivelin e krimit dhe korrupsionit në Shqipëri, ishin të kujdesshëm deri sa të votohet nga shefat e shteteve në qershor. Rekomandimi mbetet rekomandim, ndaj duhet shumë punë pozitë-opozitë deri në marrjen e statusit përfundimtar. Duhet që Prokuroria të bëjë arrestime ministrash dhe ish-ministrash nga radhët e PS-së, e jo të pengojë drejtësinë, duke arrestuar vetëm nga opozita, siç ka bërë deri tani.
Në një konferencë për mediat, me shefen e politikës së Jashtme, Frederica Mogherini, Edi Rama është shprehur se “ka forca dhe vende anëtare në BE që nuk e duan zgjerimin dhe nuk e duan anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor”.
Më tej Rama duke e ndjerë se nuk ka vend për entuziasëm, pasi ndjen se ka probleme dhe reagime të forta në Gjermani e Francë për Shqipërinë, insistoi duke shtuar se ‘Sot nuk ka më asnjë minutë për të festuar sepse duhet ecur sa më shpejt drejt marrjes së diplomës së anëtarësimit. Jo të gjithë e shohin me entuziazëm këtë dhe ajo nuk i mjafton disave që na nxjerrin bishta aty këtu në vende anëtare të BE-së. Nuk është sekret se në vende anëtare ka individë dhe forca që as e duan zgjerimin dhe as e dëshirojnë përparimin e rajonit në rrugën e anëtarësimit”.
Një nga dyshimet e mëdha të BE mbetet çështja Tahiri. Pse mbrohet nga qeveria dhe kryeministri, shtrohet pyetja në Bruksel. Kësaj pyetje edhe sot në Tiranë kryeministri iu përgjigj se “Është shumë e rëndësishme që të arrijmë të shpjegojmë që në procesin e Saimir Tahirit kuvendi dhe shumica qeverisë zbatoi në frymë dhe në germë gjithçka që Komisioni i Venecias nënvizoi lidhur me rastet kur një komision i posaçëm në parlament thirret në detyrë për të trajtuar çështjen e arrestit apo masave të parashikuara për një deputet. Mirëpresim që Prokuroria të rikthehet me të paktën një provë të vetme dhe prokuroria e krimeve të rënda është larg shumë larg së qeni një trup që mund të konsiderohet e influencueshme nga çdo kush qoftë.
Më tej kryeministri Rama tha se ka parti të caktuara në Gjermani të cilat nuk duan për Shqipërinë, bile edhe në qeverinë gjermane, por ne do të punojmë për t’i bindur. Ata, shtoi kryeministri, kanë ardhur edhe në fushatën e opozitës gjatë vitit të kaluar dhe kanë sulmuar qeverinë e PS, prandaj do ta bëjnë “detyrën” deri në fund kundër marrjes së Statusit.
Rama tha se “ne kemi marrë deftesën tonë nga komisioni Europian pasi kemi bërë detyrat tona, ndaj lojërat politike nga shtete të caktuara europiane për të na penguar, tashmë dihen”. Kryeministri Rama theksoi se ne e morëm deftesën, por nuk kemi faj se disa do na pengojnë për të marrë statusin final.
Sot kryeministri ishte më pak entuziast se dje, pasi dukej më nervoz dhe sulmoi BE si një organizëm që akoma ka probleme brenda vetes dhe po na vonon, ne, si shtete të Ballkanit Perendimor. Por do të punojmë ti sqarojmë me deftesë në dorë-përfundojë Rama.