Presidenca dhuron gjak, kurse Presidenti Meta jep oksigjen Kryeministrit!

Presidenti i Republikës Ilir Meta firmosi dje dekretin që i jep të drejtë kryeministrit Edi Rama për të mbajtur edhe postin e Ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme. Vendimi i kreut të shtetit, pavarësisht interpretimeve pro dhe kundër juridike dhe politike, që nëse një kryetar qeverie mund të mbaj dhe detyrën e kryediplomatit, më shumë duhet parë si akt përgjegjshmërie i një shtetari që shmangu një bllokim diplomatik të shtetit shqiptar për fajin e kryeministrit.

Presidenti Meta, pavarësisht bindjeve personale për Edi Ramën, dje vendosi të shmang një krizë ndërinstitucionale, krizë e cila u inicua personalisht nga Edi Rama. Mbrojtësit e kreut të qeverisë këto ditë dhanë leksione pa fund të së drejtës kushtetuese duke thënë se Presidenti nuk e ndalon dot kryeministrin që të mbaj dhe detyrën e ministrit. Por me gjithë zhurmën që bënë në asnjë rast nuk arritën të jepnin referencën ligjore, se cili është ai nen i kushtetutës që e lejon kreun e qeverisë të marrë gjithë postet që don në qeveri. Në këtë terren kushtetues jo fort të qartë, kreu i shtetit tregoi edhe një herë se dëmi që mund ti bëhej imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë do të ishte më i madh nëse vendi mbetej pa ministri të jashtme funksionale, sepse dihej se nëse nuk e dekretonte Ramën, do të detyrohej ministri Bushati të jepte dorëheqjen prej presionit të kryeministrit. Dhe më pas Shqipëria nuk do të kishte ministër të jashtëm, sepse Edi Rama nuk denjoi të propozonte një figurë diplomati apo politikani me personalitet, të cilat janë plot jo vetëm në shoqërinë shqiptare, por edhe në PS.

Me këtë zgjidhje, të paktën Shqipëria në marrëveshjet ndërkombëtare dhe para sfidave që e presin do të ketë një ministër si Edi Rama, që mban përgjegjësi politike për vendimet që merr dhe jo njerëz që nuk janë votuar apo që nuk kanë integritet e profesionalizëm. Presidenti zgjidhi dje një krizë që u përplas në zyrën e tij, por që nisi dhe u gatua në mënyrë djallëzore e arrogante nga godina e Kryeministrisë. Pasi ishte Edi Rama që me propozimin e një kandidati për ministër pa certifikatë sigurie, pa përvojë në diplomaci dhe me ide të rrezikshme për politikën e jashtme të Shqipërisë dhe shqiptarëve në Rajon, prodhoi ngërçin e panevojshëm dhe të dëmshëm për diplomacinë e vendit. Sigurisht Gent Cakaj do të vijojë të jetë në korridoret e ministrisë së Jashtme dhe me porosi të Ramës do të krijojë incidente protokollare. Por nga dje Edi Rama ka një “gurë” tjetër pushteti në qafë dhe nuk mund të thotë më se “nuk e di çfarë bëjnë ministrat”. Tani është vet njeriu që do të përgjigjet me detaje si për marrëveshjen e detit me Greqinë, ashtu do të mbajë dhe përgjegjësi për idetë e çartura të copëtimit të Kosovës. Ndryshimi është se këtë herë s’ka Ditmir Bushat që ta shpëtojë dhe t’ja justifikojë gafat diplomatike në kancelaritë perëndimore. Sido që të ndodh, kjo ishte dëshira e Edi Ramës dhe zgjedhja e tij personale, ndaj dhe përgjegjësitë që do të vijnë nesër janë po personale dhe politike për PS-në.

Në fund të këtij sherri disa javor mes Kryeministrisë dhe Presidencës qytetarët kuptuan se kush realisht shqetësohet për ligjet dhe kushtetutën, dhe kush e sheh qeverisjen si pronë private e tallje me qytetarët. Socialistëve ua plasi si peshqesh për kryedipomat një njeri që askush se njeh dhe ende sot nuk ka një CV publike. U tall me gjithë ish-ministrat, ambasadorët, drejtuesit e organizatave ndërkombëtare në PS, duke u vendosur një 27-vjeçar që të vetmen punë që ka bërë në jetë është se ka lexuar disa libra, gjithnjë nëse i ka lexuar.

Rama e mori dje dekretin si ministër i Jashtëm, por është nga ato raste që ngjan si Fitore e Pirros. Ka marrë një post më shumë, por ka humbur më tepër në PS e në publik.

Por në raport me izolimin diplomatik të Shqipërisë dhe bllokimin e negociatave me BE, Presidenti zgjodhi ti jap oksigjen qeverisë. Është një akt që nuk u bë si nder për Edi Ramën, por për të shmangur krizën ndërinstitucionale dhe mundësimin e përfaqësimit të vendit në axhendat ndërkombëtare.

Ndërkohë që paradite Presidenti firmosi Edi Ramën edhe si ministër të jashtëm, pasditen e djeshme, stafi i Presidencës u bë pjesë e fushatës kombëtare për dhurimin e gjakut për personat që kanë në nevojë. Një gjest simbolik që mbart në vetvete humanizmin dhe mesazhin solidaritetit njerëzor.

Pra dje paradite Presidenti Meta i dha oksigjen Kryeministrit, kurse pasdite presidenca dhuroi gjak për njerëzit në nevojë./Q.Xhani/

 

SHKARKO APP