Dje tërmet në Tiranë. Sot “tërmet” në Kuvendin e Shqipërisë

-Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë këtë të enjte miratimin e ligjit për rrëzimin e Godinës së Teatrit Kombët, pasi në të kundërt “tërmeti” opozitar do rrëzojë godinën e kryeministrisë dhe krejt kullat e biznesit të oligarkëve të Ramës.

Kryeqyteti i vendit u trondit dje nga disa lëkundje të fuqishme tërmeti që nuk ishin regjistruar prej shumë vitesh në Shqipëri. Tërmeti me magnitudë 5.2 ballë, ose në gjuhën popullore 6 ballë, epiqendra e të cilit ishte në rrethinat e Durrësit, krijoi panik masiv. Qendra e Tiranës dhe rrugët e qytetit u mbushën me njerëz që dilnin të frikësuar nga banesat. Një situatë e ngjashme u pa edhe në Durrës. Edhe pse me intensitet më të vogël, lëkundjet e tërmetit kanë vijuar dje përgjatë gjithë ditës. Fatmirësisht, përveç disa dëmeve në banesa lëkundjet nuk kanë shkaktuar pasoja të tjera.

Shqiptarët i gëzohen kalimit pa pasoja të një fenomeni të frikshëm natyror, por sot Tirana pritet të përballet me një tjetër “tërmet”. Këtë herë jo për shkaqe natyrore, por tërësisht njerëzore. Në seancën e sotme të Kuvendit, Partia Socialiste ka njoftuar miratimin e ligjit për dhënien e tokës publike ku ndodhet Teatri Kombëtar një kompanie private. Kompania ka marrë përsipër që në këtë truall ndërtimi të ngrejë 6 kulla shumë katëshe biznesi për llogari të saj dhe një godinë të re të teatrit. Me këtë ligj automatikisht miratohet dhe shkatërrimi i godinës ekzistuese, 70 -vjeçare të Teatrit Kombëtar. Për ruajtjen e kësaj godine që ka vlera historike artistët protestojnë që nga muaji shkurt i këtij viti. Artistëve u janë bashkuar me mijëra qytetarë që marrin pjesë rregullisht në protestën e pasdites para godinës. Një peticion kundër shkatërrimit të godinës ka arritur të mbledhë me mijëra firma qytetarësh brenda dhe jashtë vendit. Nuk mungojnë firma artistësh dhe qytetarësh nga Kosova e diaspora, të cilët e cilësojnë këtë objekt si shenjë e një identiteti të veçantë të kombit. Së fundi, pjesë e protestës së artistëve është bërë dhe opozita. Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ishte dje në protestën e aktorëve dhe premtoi se deputetët e opozitës do të bënin çmos që të mos lejohej miratimi i ligjit dhe as shembja e godinës. Lëvizja Socialiste për Integrim, në mbledhjen e grupit parlamentar të së martës vendosi që zyrtarisht të jetë pjesë e protestës dhe të bllokojë ligjin në parlament.

Në këtë debat janë krijuar dy kampe që duket se nuk kanë asnjë rrugë tjetër veç shkuarjes drejt përplasjes që mund të ketë efektet e një tërmeti në shoqërinë shqiptare. Nga njëra ana janë artistët që janë gati të mbrojnë me jetën e tyre Teatrin Kombëtar, qytetarët dhe opozita si forcë politike që është kundër projektit qeverisës. Nga tjetër është qeveria, një grup aktorësh drejtorë dhe biznesi privat që llogarit milionat e eurove që fitohen nga shembja e teatrit. Është një betejë që nuk ka nisur sot, por sot do të maten forcat. Gjatë këtyre muajve, ashtu si në një shfaqje teatri, janë konsumuar të gjitha aktet që mund të sillnin zgjidhje të kënaqshme për të gjithë. Fillimisht negociatat nuk dhanë efekt. Më pas u kalua në shantazhe dhe blerje të kundërshtarëve të qeverisë dhe artistëve që nuk e lëshojnë godinën. Një pjesë u shitën që në fillim, të tjerë ndryshuan mendje rrugës në këmbim të favoreve dhe dolën në krah të qeverisë. Kur nuk i bleu dot të gjithë artistët, qeveria nisi skemën e njohur të hedhjes së baltës dhe denigrimit të aktorëve. Një fushatë balte dhe llumi që vetëm sa i bëri më të vendosur ata pak artistë që nuk duan që teatri të kthehet në një aneks të bizneseve të kullave. Së fundi, u hodh në qarkullim dhe teza e qeverisë se Teatri Kombëtar është një karakatinë e vjetër që do të zërë brenda saj artistët. Tërmeti që ra dje, ndër më të fortët e viteve të fundit, plasariti disa godina qeveritare, por për çudinë e të gjithëve nuk shkaktoi asnjë dëm te Teatri Kombëtar. Natyra u dha artistëve një tjetër provë se gjithë fushata e qeverisë për teatrin nuk ka hallin e jetës së tyre apo godinës, por hallin e miliona eurove që thuhet se do ndahen mes biznesit dhe qeverisë nga kullat. Por për këtë biznes kullash duhet trualli, por trualli është i Teatrit në një pjesë të madhe të planit të ndërtimit.

Sot qeveria do të nisë seancën e Kuvendit me idenë fikse se do ta miratojë ligjin e futur jashtë radhe, ligj i cili shemb teatrin. Ndërkohë kundër këtij projekti nuk do të jenë vetëm artistët qëndrestarë, por mijëra qytetarë që u janë bashkuar kauzës së tyre. Në orë 09:00 pas Kuvendit është thirrur një protestë masive e aktorëve dhe shoqërisë civile. Pjesë e protestës do të jenë edhe qytetarët e thirrur nga opozita. Ndërsa brenda sallës, deputetët e opozitës premtojnë se nuk do të lejojnë në asnjë mënyrë që seanca të përfundojë me miratimin e ligjit. Protesta synon të jetë qytetare, por fati i saj do të varet edhe nga reagimi i mazhorancës. Nëse qeveria nuk heq dorë nga votimi i ligjit, protesta do të ketë të njëjtin efekt me lëkundjet e tërmetit.

Tërmeti i sotëm (enjte) në Parlament mund ta çajë krejt tokën e qeverisë dhe të rrëzojë edhe kryeministrinë.

Parashikimi/ Ministrat që do të rrihen nesër në parlament!

SHKARKO APP