Donald Lu kërcënon, me të drejtë, kriminelët politikë: Do t’ju arrestojmë!

-Diplomati amerikan paralajmëron pranga për zyrtarët e inkriminuar dhe bosët e krimit të organizuar: “Shqiptarëve u ka ardhur në majë të hundës nga kriminelët në politikë”

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu ka bërë dje një paralajmërim serioz për prerjen e fijeve që lidhin krimin organizuar me politikën. Diplomati amerikan dha një mesazh të qartë për kriminelët që janë brenda politikës, por edhe për ata që synojnë të bëhen pjesë e saj: Do t’ju arrestojmë!

“Situata në Shqipëri është serioze, por besoj që reforma në drejtësi dhe procesi i dekriminalizimit do të ndihmojnë në zgjidhjen e problemit të pandëshkueshmërisë dhe të lidhjeve kriminale me politikën. Popullit shqiptar i ka ardhur në majë të hundës nga kriminelët në politikë. Përpjekja e suksesshme për të larguar vrasësit, tutorët, trafikantët e drogës e përdhunuesit nga Kuvendi dhe qeverisja vendore do të kenë efekt jetëgjatë në uljen e pandëshkueshmërisë së krerëve të krimit të organizuar në Shqipëri. Ky është gjithashtu një paralajmërim për kriminelët e tjerë; Të bëhesh pjesë e politikës i bën keq biznesit. Do zbulojmë aktivitetet tuaja kriminale dhe do përfundoni në burg”,- tha ambasadori Lu në konferencën e qendrës “Marshall” për krimin e organizuar.

Diplomati vlerësoi se ligji i dekriminalizimit, i miratuar një vit më parë nga Kuvendi dhe reforma në drejtësi, do të sjellin efekte konkrete për të larguar njërëzit e inkriminuar nga pushteti vendor dhe nga Kuvendi. Ai dha detaje sesi do të funksionojë Byroja Kombëtare e Hetimit, një institucion me hetues të trajnuar nga FBI-ja Amerikane. Ndërkohë që një agjent i FBI-së do të vendoset në Tiranë për të ndjekur nga afër punën e Byrosë në terren dhe për të dhënë asistencë teknike.

Deklarata e Ambasadorit është në vazhdën e qëndrimeve që forta që selia diplomatike e SHBA ka mbajtur ndaj fenomenit të kriminalizimit të politikës dhe mos ndëshkimi të emrave të njohur të krimit të organizuar. Ambasadori përmendi dhe raste konkretë të personave që janë të dyshuar për të kaluar të errët kriminale edhe që kanë lidhje të forta politike me PS dhe me PD.

“Në Shqipëri, ata që akuzohen si trafikantët kryesorë të drogës dhe krerë të krimit të organizuar rrallë ndeshen me akuza penale. Një shembull shumë i njohur i këtij fenomeni është rasti i trafikantit të dënuar për drogë Emiljano Shullazi, që për shumë vite është akuzuar për vrasje, trafikim narkotikësh dhe zhvatje, por që u arrestua vetëm kohët e fundit”,- tha Donald Lu. Aludimi i ambasadorit ishte për pushtetin e sotëm.

Ajo që bije në sy në fjalimin e diplomatit amerikan është se krahasimet, kur flitet për Shqipërinë, bëhen me Kirgistanin, Gjeorgjinë dhe SHBA-në e viteve 1930 të shekullit të kaluar.  Edhe dje, Lu përmendi rastin e Al Kaponës, mafiozit që arriti të blejë policinë, gjykata dhe politikën e SHBA në ato vite.

Për ambasadorin Shqipëria duket se nuk ndryshon shumë nga koha e bandave të Çikagos dhe njerëzve që me paratë e krimit blejnë mbështetjen e politikës. Ndryshimi është se në Shqipëri, kriminelët dhe trafikantët janë vetë në politikë dhe vendimmarrje. Ideja e vetëpastrimit të politikës duket paksa absurde, pasi kriminelët nuk mund të dënojnë veten, apo të bëjnë ligje për t’u vetëpërjashtuar nga vendimmarrja. Ligji i dekriminalizimit edhe pse u lançua si një nisëm që do pastronte politikën, rezultoi e ashpër vetëm për disa anëtarë këshillash bashkiak. Ndërsa në parlament dhe bashkia, siç deklarojnë edhe vetë në PD dhe PS, ka ende kriminelë. Kjo është e tmerrshme. Akoma ka deputetë me CV kriminale. Ka deputëtë biznesmenë me mbështetje politike dhe që kanë biznese kriminale.

Zgjedhjet e ardhshme janë dhe testi real sesa seriozisht e ka klasa politike vetëpastrimin. Nëse PS dhe PD do të garojnë sërish me tipa të fortë, pra kriminalë, ligji i dekriminalizimit do rezultojë se ishte një “lojë” sa për mbushur planin e reformave. Qëndrimet e fundit që ka mbajtur politika ndaj personave me precedentë penalë, edhe pas dekriminalizmit, nuk kanë ndryshuar.  Për të gjitha forcat politike, zgjedhjet fitohen më kollaj me të “fortë” dhe “cuba”. Zgjedhjet po vijnë dhe ka rrezik që të riciklohet krimi në politikë, në forma me të sofistikuara. Ndaj doli ambasadori amerikan dje.

Mbetet që pastrimin real të politikës dhe pastrimin e listave të kandidatëve në zgjedhjet e ardhshme ta bëjnë institucionet e reja të drejtësisë me mbështetjen e ndërkombëtarëve. Ambasadori Lu dha dje sinjalin se SHBA dhe agjencia e saj kryesore kundër krimit të organizuar, FBI do të ndjekin me vëmendje zhvillimet në Shqipëri për zbatimin e reformës në drejtësi dhe dekriminalizimin. Thënë ndryshe, stina e arrestime pritet të fillojë.

Prangat janë në tavolinë dhe po presin të vihen ndër duar krimi dhe në politikë.

Donald Lu nuk tërhiqet, pasi ai flet me gjuhën e supërshtetit të botës që ka drejtësinë me të mirë të njohur deri më sot. Ndaj Lu paralajmëroi dje fort dhe pa asnjë hezitim.

Prangat dhe qelitë janë gati ! Për VIP-at e krimit dhe politikës.

 

 

 

 

 

SHKARKO APP