Donald Lu: Politikanët kanë përfituar nga lidhjet me trafikantët e drogës

Ambasadori Donald Lu, ka zhvilluar sot një takim me studentë të gazetarisë, ku ka folur për disa nga pikat më të debatueshme të aktualitetit në Shqipëri. Lu ka komentuar çështjen  e trafikut të drogës në vend.

Ambasadori është shprehur se “qeveria e mëparshme dhe ajo aktuale kanë pasur problem me trafikun e drogës”. Ambasadori është shprehur se disa politikanë kanë përfituar nga trafiku i drogës.

Ne si komunitet ndërkombëtar duhet të bëjmë më shumë për këtë problem të përbashkët që kemi bashkë me Shqipërinë, sepse e dimë që ky problem ndihmon për të krijuar probleme të tjera me korrupsionin, krimin e organizuar dhe varësinë nga droga. Pyetja që kam parë disa herë në media është nëse situata sot është më keq se sa ishte nën qeverinë e kaluar. Dhe reagimi im është se mendoj të dyja, qeveria e kaluar dhe qeveria aktuale kanë probleme me trafikimin e drogës dhe ka politikanë që kanë përfituar nga lidhjet e tyre me trafikantët e drogës. Dhe mendoj se ia vlen të sjellim në mend që e dimë se ka një numër anëtarësh të parlamentit, ka kryebashkiakë në Shqipëri dhe ka pasur kandidatë për kryebashkiakë që kanë pasur dënime për trafik droge në shtete anëtare të BE-së”, është shprehur ambasadori Lu

Kjo është një akuzë e hapur që diplomati i SHBA-ve bëri në adresë të politikanëve shqiptarë. Megjithatë, ccështja e drogës është një fenomen që po përdoret nga të dy palët për akuza të forta politike. Mbase është koha që Ambasada e SHBA-ve, ashtu si për ccështje të tjera, të flas me emra, se kush janë politikanët që kanë përfituar nga trafiku i drogës.

Ambasadori u pyet nga studentët në lidhje me zgjedhjet në Dibër dhe nëse ka patur blerje votash apo ndikim të grupeve kriminale, siç pretendon opozita. “Shqetësimet kryesore që kam dëgjuar nga opozita dhe të tjerë për Dibrën janë përfshirja e grupeve kriminale dhe blerja e votive.

Tani është shumë e zakonshme në Shqipëri që ta dëgjojmë këtë ankesë. Ambasada e SHBA dërgoi katër persona në Dibër për të vëzhguar zgjedhjet. Shtetet anëtare të BE dërguan një ekip me nëntë persona në Dibër dhe OSBE dërgoi edhe vëzhgues ndërkombëtarë.

Diçka tjetër që di është që Shqipëria po bëhet një demokraci më e zhvilluar për sa i përket zgjedhjeve. Këta vëzhgues të huaj janë një numër shumë i vogël krahasuar me numrin e madh të vëzhguesve shqiptarë. Prandaj, lidhur me nëse këto akuza janë apo jo të vërteta, unë do të shqetësohesha më pak se ç’mendojnë të huajt dhe do të isha më i interesuar të dija se çfarë kanë raportuar vëzhguesit vendas”, tha Donald Lu.

Lidhur me “vettingun” dhe reformën në drejtësi, Lu tha se PD ka të drejtën e saj ta çojë atë në kushtetuese dhe se mund të bojkotojë komisionet përkatëse, mirëpo sipas tij, kjo do të krijojë një perceptim te qytetarët se PD është kundër reformës dhe mbron gjyqtarët e korruptuar. “Është e drejta kushtetuese e opozitës ta ankimojë ligjin e vetting në Gjykatën Kushtetuese apo të bojkotojë mbledhjet e mëtejshme të komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi.

I kemi thënë udhëheqjes së Partisë Demokratike se rrezikojnë të bëhen ajo parti që populli shqiptar beson se është kundër kësaj reforme dhe se po mbron gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, ose gjyqtarë e prokurorë tek të cilët kanë ndikim politik.

Kujtoj deklaratën e bërë nga Presidenti Nishani, i cili tha në një intervistë se edhe pse nuk i pëlqen disa nga nenet e Ligjit të Vetting, as ai dhe as ekspertët e tij ligjorë nuk mund të gjejnë diçka jokushtuetuese në ligj. Ne, Shtetet e Bashkuara, iu bëjmë thirrje të gjitha partive politike në Shqipëri të vazhdojnë të kërkojnë zbatimin e plotë dhe të shpejtë të reformës në drejtësi”, tha ai.

SHKARKO APP