Drejtori i Përgjithshëm i Policisë jep dorëheqjen

Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti dha dorëheqjen të martën, një ditë pas publikimit të rastit të përdhunimit të një 11 vjeçareje në Prishtinë.

Njoftimi i bë i ditur nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili tha se zoti Mehmeti e dha dorëheqjen për arsye personale dhe për ndërgjegje profesionale.

Në njoftim thuhet se kryeministri Albin Kurti e ka liruar nga detyra zotin Mehmeti.

Autoritetet në Kosovë kanë arrestuar pesë persona si të dyshuar për përdhunimin e një vajze të mitur 11 vjeçare në Prishtinë.

Katër prej tyre do të mbahen në paraburgim për një muaj, ndërsa personi i pestë është duke u intervistuar nga policia.

Tre prej të dyshuarve janë të mitur. Policia i ka identifikuar të arrestuarit me inicialet E.R, G.R, G.J dhe XH.S.

Prokuroria Themelore e Prishtinës i tha Zërit të Amerikës se rasti ndodhet në proces hetimor dhe i takon procedurës për të mitur, dhe se “kufizimi i dhënies së informatave bëhet me qëllim të ruajtjes së integritetit të hetimeve dhe të identitetit të të miturve”.

Ngjarja që dyshohet se ka ndodhur të shtunën në një park të qytetit, është denoncuar nga familja e viktimës. Ngjarja nxiti reagimin e institucioneve dhe organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të cilat kanë venë alarmin për numrin e lartë të përdhunimeve dhe shkallës së ultë të ndëshkueshmërisë.

Grupe qytetarësh dhe përfaqësues të shoqërisë civile mbajtën të martën një protestë dhe kanë paralajmëruar protesta për të mërkurën duke kërkuar dënime për dhunuesit dhe legalizimin e përdorimit të mjeteve vetmbrojtëse nga gratë dhe vajzat./VOA/

SHKARKO APP