Droga jeshilon kudo nëpër Shqipëri ndërsa Ambasadorët kryesorë,heshtin!
Kultivimi i hashashit gjatë vitit të fundit ka kapur shifra rekord. Vetëm në pak muaj janë asgjësuar rreth 300 mijë rrënjë. Kjo shifër, sado e madhe që të duket, është vetëm një pjesë e drogës që është mbjellë në të gjithë vendin. Raportimet në media flasin për mijëra hektarë të mbjellë në qarqet e Vlorës, Gjirokastrës, Shkodrës, Dibës, Beratit e Fierit, madje dhe në rrethinat e Tiranës në zonën e Dajtit. Kudo vetëm drogë! Në kodrat dhe lëndinat larg banorëve nuk futesh dot as për turizëm e as për të kullotur bagëtitë sepse gjen banditë me “fuoristrada” e me armë automatike që të qëllojnë pa asnjë paralajmërim.
Nuk flitet më për raste sporadike, por për një fushatë kultivimi hashashi që ka mbuluar të gjithë vendin, si asnjë herë tjetër më parë. Dikur Lazarati quhej Fshati i Kanabisit, sot rrezikojmë të quhemi Republika e Kanabisit. Ky biznes i jashtëligjshëm do të prodhojë nesër efekte dhe shtim të krimit në territor. Një sasi kaq e madhe droge do e vendosë Shqipërinë në qendrën e trafikut dhe mafies ndërkombëtare, duke rrezikuar seriozisht stabilitetin e vendit. Është nga ato raste, kur tonelatat e drogës janë kërcënim për sigurinë kombëtare. Në këtë situatë anormale, në vend të një reagimi masiv në bllok të institucioneve, mediave, shoqërisë civile, kemi heshtje gati kombëtare.
Por veç heshtjes së institucioneve tona ajo që bie në sy është heshtja e ndërkombëtarëve dhe diplomatëve në Tiranë. Ish-ministri socialist dhe ish-deputeti Marko Bello ngrinte dje shqetësimin për mbylljen e gojës së diplomatëve në Tiranë. Bello thotë se sa më shumë zbulohet drogë në Shqipëri, aq më shumë heshtin ambasadorët. “Tashmë kultivimi i hashashit në Shqipëri ka marrë përmasa të tilla saqë nuk përbën më lajm. Çudia qëndron në faktin se sa më shumë mbillet kanabis, aq më shumë heshtin ambasadorët e akredituar në Tiranë”,- shprehet ish-deputeti i selisë rozë.
Akuzë e rëndë për ambasadorët kryesorë perëndimorë, të cilët bëjnë namin për vetting-un dhe për reformën! Si nuk e thonë një fjalë për masivitetin e drogës në Shqipëri? Ka ndonjë të lidhur me interesa e lobeve të drogës?! Apo janë në plazhe dhe do të kujtohen kur do ta kenë shitur krejt drogën mafia shqiptare?
Ish-ministri socialist Bello bën dhe një analogji me Lazaratin, kur kujton se për drogën në këtë fshat lajmet zinin hapësirë edhe në mediat ndërkombëtare, ndërsa sot asnjë nga partnerët ndërkombëtarë nuk reagon. “Dikur Lazarati, vendi simbol i kultivimit të hashashit ishte në qendër të lajmeve ndërkombëtare, ndërsa Shqipëria etiketohej si një vend, ku shteti nuk kishte asnjë kontroll në këtë pjesë të territorit, ndërsa sot, kur bima shtatderdhur ka pushtuar krejt territorin, askush nga partnerët perëndimorë nuk reagon”,- shprehet Bello. Më tej ai shton se nëse nuk ndërhyhet, Shqipëria rrezikon të kthehet në një Kolumbi të Europës. “Qeveria duhet ta adresojë dhe neutralizojë urgjentisht këtë dukuri, para se Shqipëria të jetë kthyer në një Kolumbi të Europës. Jemi ende në kohë ta ndalojmë rrëshqitjen e vendit drejt greminës dhe të mos lejojmë realizimin e asaj profecie të kobshme se, “çdo shtet ka mafien e vet, ndërsa në Shqipëri duket se mafia ka shtetin e saj”’,- shprehet ish-deputeti i PS-së.
Ambasadorët e vendeve që janë partnerë strategjikë të Shqipërisë kanë ndërhyrë në mjaft situata delikate në vend, duke garantuar standardet ligjore në vend. Qeveritë e tyre kanë investuar para dhe kanë sjellë pajisje në luftën kundër trafiqeve, duke kërkuar intensifikimin e luftës kundër drogës përgjatë viteve. Një pjesë e sukseseve të institucioneve tona janë dhe falë meritës së tyre.
Ambasadorët këto muaj i kemi dëgjuar të flasin për çështje që nisin që nga të drejtat e komunitetit LGBT dhe deri te zhvillimet gjeopolitike në Siri. Me të drejtë, kanë kritikuar çdo fenomen negativ në administratën shqiptare dhe kanë denoncuar mungesën e respektimit standardeve ndërkombëtare. Megjithatë nuk ka asnjë deklaratë publike, ku të flasin hapur për atë që po ndodh me fushatën me të madhe të mbjelljes dhe trafikut të drogës.
Sigurisht, diplomacia nuk vepron gjithmonë me deklarata dhe çështja e hashashit mund të jetë pjesë e komunikimeve zyrtare mes qeverisë dhe selive diplomatike. Por ky është nga ato raste kur nuk mund të heshtet. Diplomatët në ligjërimin e tyre publik deklarojnë shpesh se u intereson që Shqipëria të ketë stabilitet. Droga që jeshilon kudo në Shqipëri është kërcënimi më i madh i stabilitetit që kanoset vendit sot dhe që nesër mund të sjellë një shoqëri të kriminalizuar.
Droga, mafia dhe pushteti shkojnë në sinkron. Dhe ish-pushteti. Ndaj duhet që ambasadorët të flasin. Ndryshe kemi të drejtën të themi se kanë dy standarde të ndryshme, edhe ambasadorët!