Dua edhe unë një “Toyota Yaris” me 3.4 milionë euro cash në bagazh!

Në 48 orët e fundit lajmi që ka tërhequr më shumë vëmendjen në Shqipëri dhe në rajon është ai gjetjes së 3.4 milionë eurove në bagazhin makinave “Toyota Yaris”. Zbulimi i policisë në portin e Durrësit ka çuditur jo vetëm qytetarët, por dhe ekspertët e trafiqeve në Shqipëri. Më parë ishin të njohura forma të ndryshme të futjes së parave të krimit në vend. Por kjo e Durrësit është një histori që ka ndryshuar gjithë skemën e trafikantëve dhe mënyrën sesi pastrohen paratë e drogës në Shqipëri. Kush do të mendonte se në një makinë me çmim modest do të gjendeshin 3.4 milionë euro të shpërndara në gomën rezervë dhe në kroskot. Befasia që shkaktoi kjo mënyrë e fshehjes së parave ka bërë që këto ditë gjithë qytetarët të interesohen për të blerë makina “Toyota Yaris”! Nuk duan më mercedeza luksozë dhe as makina tipi i fundit.

Por i duan si makina që u kap në Port, me 3.4 milionë euro në kroskot ose edhe në bagazh!

Bosët e trafiqeve dhanë mesazhin se paratë e mëdha nuk qarkullojnë dhe nuk pastrohen më me gjëra luksoze, por me mjete që nuk bien në sy. Ndaj dje gjithë shqiptarët dje me ironi, thonin: “Dua një Toyota me 3.4 milionë euro cash”.

Çmenduria e euros dhe forcimi i çuditshëm i lekut nuk shpjegohet më me asnjë ligj finance. “Mrekullia” ekonomike që po përjetojmë këto muaj me marramendjen e kursit valutor ka një monedhë të re që quhet “Toyota Yaris”! Por jo vetëm kaq, edhe politika zbuloi se sondazhet, fushatat, sloganet dhe programet janë pesë me hiç. Mjafton një “Toyota Yaris” me 3. 5 milion euro në bagazh dhe mund të fitosh bashkitë, deputetët, gjithë parlamentin. Me një “Toyota” të tillë me 3.4 milionë euro në bagazh mund të blesh votat, shuarjen e protestave dhe nëse do blenë edhe kundërshtarët.

Dje ka nisur një luftë e ashpër pozitë-opozitë për të zbuluar pronarin e vërtetë të eurove që ndodheshin në makinë. Fillimisht ishte kreu i PD-së, Lulzim Basha që të enjten e kaluar deklaroi në parlament se një makinë me para nga trafiku i drogës, të nisura nga Gjermania ishin zbuluar nga autoritetet e vendeve fqinje. Sipas Bashës, garanti i kësaj ngarkese me para ishte numri dy i Partisë Socialiste, Sekretari i Përgjithshëm dhe kryetari i grupit parlamentar, Taulant Balla. Akuza e Bashës kaloi në Kuvend pa vëmendje, njëlloj siç kalojnë me qindra akuza që bëhen çdo të enjte. Madje as personat që kryenin transportin nuk e kanë marrë seriozisht Lulzim Bashën, derisa për tre ditë nuk i hoqën paratë nga makina. Vetëm pas njoftimit të Policisë së Shtetit ditën e dielë u risollën në vëmendje akuzat e kreut të PD-së. Rezultoi se Basha kishte të drejtë, sigurisht kishte gabuar shumën e parave dhe origjinën e tyre. Nuk ishin 1.5 milionë, por 3.4 dhe makina nuk ishte nisur nga Gjermania, por nga Belgjika. Por këto janë detaje të vogla, fakti është se paralajmërimi i Bashës rezulton i vërtetë, për pjesën e trafikut. Ajo që s’mund ta përcaktojë më Basha, por vetëm drejtësia është lidhja e zyrtarit të lartë të PS-së, Taulant Balla me këtë histori. Numri dy i Partisë Socialiste paralajmëroi dje padi ndaj kreut të opozitës për të zbardhur të vërtetën e akuzave. Ndërkohë që mohoi çdo lidhje të mundshme me “Toytotën” dhe paratë që u gjendën brenda saj. Nga ana tjetër, PS e ka drejtuar debatin drejt përgjegjësive që ka Lulzim Basha për informacionin që ka nxjerrë. Sipas PS, Basha ka dekonspiruar një operacion të policisë duke publikuar informacione sekrete nga Shërbimi Informativ Shtetëror. Pra, këto ditë, pas kapjes së parave nuk po merren me pronarin e shumës së parave, por me Bashën. Ky është një sinjal që ngre dyshime të tjera dhe nuk dihet nëse Basha nuk do të kishte folur a do të ishin kapur paratë në Durrës?

Nuk mund të thuhet se pas 3.4 milionë eurove janë me patjetër zyrtarë të mazhorancës, por vetë kapja e tyre është provë se në Shqipëri po hyjnë miliona euro nga trafiqet drogës dhe krimi. Kjo është prova që duhet të vërë në alarm gjithë shtetin. Nga mënyra sesi kanë nisur reagimet, sulmet dhe kundrasulmet politike e gjithë kjo do të përfundojë si në rastet e tjera, të hashashit dhe kokainës. Çdo gjë mbyllet te shoferët dhe transportuesit.

Pronari i vërtetë i mallit në “Toyota Yaris” nuk do zbulohet ndonjëherë, sepse në të gjitha rastet kur pas parave fshihet një pushtetar apo politikan i rëndësishëm, askush nuk kapet. Ose ca “peshq” të vegjël.

Ndërkohë trafiku vazhdon duke hyrë me dhjetra milionë euro të tjera për tu pastruar në Shqipëri.

“Lavatriçe” e madhe kjo Tirana e politikës dhe Pushtetit!

Q.Xhani

SHKARKO APP