Dy kryeministrat Rama dhe Haradinaj, një orë zihen e një orë pijnë bashkë!
Rreth orës 21.30 ( e premte) dy kryeministrat Rama dhe Haradinaj shkëmbyen replika të forta me njeri tjetrin për hir të një deklarate të Edi Ramës te Baton Haxhiu ku cënohej kryeministri kosovar. Por çudia është se pasi kanë sharë njeri tjetrin dhe trazuar publikun, si dhe kanë hedhur median në betejë kush e kap lajmin i pari të kësaj sherrnaje, ata të dy kanë përfunduar duke pirë e festuar te shpia e Haradinajve, siç tregon edhe kjo foto e postuar nga Edi Rama në ora 23.03. Natyrisht që askush nuk dëshiron sherr mes dy kryeministrave të dy shteteve shqiptare, por sëpaku të heqin statuset kundër njeri tjetrit dhe të tërheqin akuzat në media.
Një orë shahen e sulmojnë dhe më pas i fusin një të pirë me gota plot, kjo është komedi, ndonëse burime nga Kosova tregojnë për “Koha Jone” se pas statusit të kryeministrit kosovar, Edi Rama ka shkuar me vrap te shpia e Ramush Haradinajt. Sipas zakonit nuk mundet të mos i hapet dera e shtëpisë një miku apo kushdo që të troket, thonë burimet kosovare. Ndaj nuk ka se si të mos pranohej kryeministri i Shqipnisë, shton burimi nga Prishtina.
Korespodenti i “Koha Jone” në Prishtinë, Edi Vunoi, ka rastisur në çastin kur janë ofruar makinat e eskortës së kryeministrit shqiptar Edi Rama pranë shtëpisë ku banon kryeministri kosovar. Edi Rama ka dalë nga makina shoqëruar nga një gazetar kosovar që ndonjëherë rri në Kosovë e shumëherë në Tiranë.
-O Ramush, hapma derën!- ka thërritur Edi Rama se donte pajtim. Ndërkohë nga brenda shtëpisë se Ramushit, në rrëmujë e sipër, duke mos e ditur se ishte kryeministri i Shqipërisë, janë pështjelluar se si ka mundësi që tash na shau e nji tash po na vjen në shpi. Ka dalë Ramush Haradinaj.
-Që besa ça pate që me ke sha?!– iu drejtua Ramushi-Po hajde, hajde bre burrë se shpia eme është për miq e gjithfarë soji.
-Shaka bana mor Ramush. Ky Batoni me futi në kurth- tha Rama dhe u turr me hy brenda në shpi.
Më pas vetëm kur kanë pi mirë e mirë kanë nxjerrë këtë foton bashkë me gota në dorë.
Në foto: Edi Rama dhe Ramush Haradinaj në Prishtinë, datë 16 shkurt 2018, ora 23.03
Ja shkrimi i orës 21.50 pas replikave mes Ramës dhe Haradinaj:
Kryeministri kosovar Ramush Haradinaj ka reaguar ashpër për deklaratat e homologut shqiptar, Edi Rama. Në një intervistë për Baton Haxhiun në “Klan Kosova”, Rama tha se ishte Haradinaj ai i cili shpiku çështjen e demarkacionit me Malin e Zi. Ndërkohë, Ramush Haradinaj i ka sugjeruar kryeministrit Edi Rama që të merret me punët e shtetit të tij. Nëpërmjet një komenti në Facebook, Haradinaj thotë se Rama ka shumë ‘shpikje’ me të cilat duhet të merret në Shqipëri.
“Urime, pavarësia e Kosovës është e të gjithë shqiptarëve. Edi Rama nuk ka çfarë të flasë për shpikjet politike në Kosovë! Le të merret me shpikjet e veta brenda Shqipërisë se i dalin boll”, shkruan Haradinaj në Facebook.
Rama sot tha se Demarkacioni do të duhej të votohej me kohë, pasi nuk ishte asgjë tjetër përveçse një ide e shpikur nga politika e brendshme e Kosovës, që rrezikoi edhe të ardhmen euro–atlantike të këtij vendi. “Unë kam preferuar gjithmonë që debatet me miqtë e mirë këtu në Prishtinë t’i bëj në mënyrë diskrete, sy me sy, por çështja e demarkacionit u kthye dhe është sot e gjithë ditën në një gur që rëndon mbi qafën e Kosovës dhe që ka krijuar një pështjellim jo të vogël, në mes atyre që janë fuqia që lindi shtetin e Kosovës, partnerët strategjikë ndërkombëtarë të shqiptarëve”, ka pohuar Rama.
Kaq ka mjaftuar dhe ka reaguar fort dhe prerë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duke i kujtuar se merru me probleme në Tiranë se të dalin boll./ shkrimi i orës 21.50/