Arta Dade dhe Mimoza Hafizi, Zonjat që u dhanë leksion burrave në PS

Tashmë në PS nuk flitet vetëm për çështjen e mandatit të kryetarit. Debati për zgjedhjen e kryetarit mund të mbyllet vetëm me disa ndryshime të statutit në Kongres. Nisma e Blushit ishte më shumë se kaq. Blushi flet për një PS që ka brenda radhëve të saj njerëz me probleme ligjore, për deputetë që blejnë vota, prona dhe kërcënojnë me armë”…

Nga Qamil Xhani

Ben Blushi prej gati një muaj ka nisur një sfidë në Partinë Socialiste. Kërkon respektimin e statusit të partisë dhe zgjedhjen e kryetarit që i ka mbaruar mandati prej gati 3 vjetësh. Këto janë dy pikat kryesore për të cilat nisi debati. Por ditë pas dite, qëndrimet e Blushit po kthehen në një platformë që tregon se zgjedhjet dhe ligjet e brendshme të partisë nuk janë problemet e vetme. Qëndrimet e Blushit janë një sinjal alarmi për atë çka përfaqëson sot partia më e madhe në vend. Premtimet e pambajtura të qeverisë, koncesionet e panevojshme dhe reformat që, sipas deputetit Blushi, nuk po sjellin efekt janë disa nga shqetësimet që ai ka ngritur. Të gjitha këto probleme meritonin një debat më të gjerë brenda partisë, e cila qeveris vendin. Në vend të debatit për problemet mbështetësit e linjës së kryetarit janë hedhur në sulm kundër Blushit personalisht dhe jo kundër asaj çfarë kërkon ai të diskutohet. Thuajse çdo ditë ka nga një ministër që i del në mbrojtje kryetarit për mandatin. Askush nuk shqetësohet për rregullat që PS-ja i ka miratuar vetë, por turren si të zënë radhën në krahun e Kryeministrit dhe të sulmojnë Blushin. Madje dhe njerëzit që në historinë e PS-së shquheshin si gardianë të statutit, si: Gramoz Ruçi, Pandeli Majko, Namik Dokle, Fatmir Xhafaj etj., duket se janë vënë në garë me ministrat, se kush i jep më shumë të drejtë Ramës. Janë po këta politikanë që karrierën në PS e kanë ndërtuar falë respektimit të statutit dhe sot nuk ndjehen. Gjithë këta burra nuk thonë një fjalë!

Diferencën po e bëjnë vetëm dy zonja në Partinë Socialiste, Arta Dade dhe Mimoza Hafizi. Janë të vetmet deputete që kanë dalë publikisht në mbështetje të Blushit, madje, jo të tij, por të rregullave të shkruara që ka një forcë politike serioze. Është një mbështetje parimore që nuk lidhet me miqësi personale, por me thelbin e atyre që kërkon Blushi; respektim të ligjeve të brendshme të PS-së dhe zgjedhje të kryetarit. Katër ditë më parë Dade dhe Hafizi i kërkuan kreut të grupit të PS-së dhe asamblesë që të lejojë garën në parti si dhe të caktojë një datë për zgjedhjen e kreut të PS-së. Përballë heshtjes së të vetëquajturve “senatorëve” të PS-së gjesti i zonjave merr një domethënie më të madhe.

Dade dhe Hafizi janë dy emra që kanë historinë e tyre në Partinë Socialiste dhe kanë më shumë vlerë se një pjesë e rioshëve që kanë ardhur pas vitit 2005. Arta Dade është ndër themelueset e PS-së dhe anëtare e Kryesisë së saj që nga viti 1992. Ka qenë në parti në kohët më të vështira të kësaj force politike dhe prej vitit 1997 deputete e PS-së. Nëse flitet për statut dhe garë brenda selisë rozë, sigurisht që Dade di më shumë sesa shumica e ministrave dhe deputetëve që derën e PS-së e kanë parë pas vitit 2005, ose pas ardhjes në pushtet të Ramës. Ndaj kur Dade thotë se është shkelur statuti i partisë, është pak ironike që Olta Xhaçka dhe Blerina Gjylameti dalin dhe thonë të kundërtën në PS. Dy të fundit janë zonjusha të nderuara përsa i përket personalitetit, por janë të detyruara të lexojnë çfarë u shkruajnë në selinë rozë.

Mimoza Hafizi është një tjetër politikane që ka zgjedhur të mos heshtë. Si deputete është në mandatin e parë, por pjesë e PS-së është që prej vitit 1997. Akademike dhe me një CV të pasur politike.

Të kërkosh zgjedhje në PS nuk do të thotë se je me Blushin dhe kundër Ramës. Mbi të gjitha do të thotë të respektosh rregullat e familjes politike ku ke zgjedhur të jesh pjesë. Këtë kanë bërë Dade dhe Hafizi duke u dhënë një leksion gjithë burrave të tjerë të PS-së. Pa lojëra fjalësh dhe me më shumë dinjitet se gjithë senatorët e PS-së, zonjat Dade dhe Hafizi po tregojnë se në këtë parti ende nuk janë vrarë të gjitha genet e lirisë që përbënin ADN e selisë rozë. Qëndrimi i tyre po tregon se janë më moderne sesa deputetet e reja në PS që përveç ndonjë deklarate të porositur, pjesëmarrjen në politikë e shohin si sfilatë mode të enjten e seancave.

Por tashmë në PS nuk flitet vetëm për çështjen e mandatit të kryetarit. Debati për zgjedhjen e kryetarit mund të mbyllet vetëm me disa ndryshime të statutit në Kongres. Nisma e Blushit ishte më shumë se kaq. Blushi flet për një PS që ka brenda radhëve të saj njerëz me probleme ligjore, për deputetë që blejnë vota, prona dhe kërcënojnë me armë. Për një sistem karriere që është shkatërruar në parti. Më shqetësuese është se për herë të parë Blushi ka folur dhe për kërcënime të mbështetësve të tij në parti. Të gjitha këto nuk kanë të bëjnë vetëm me ambicien e Blushit për kreun e PS-së.

Nuk po themi se Blushi ka të drejtë në gjithçka, pasi duhet pranuar që të drejtosh një parti historike si PS-ja nuk është e lehtë, spese ka rryma e fraksione të forta, të cilat edhe “tragetin” më të madh e rrëzojnë në mes të detit. Edi Rama ka një mal me probleme të trashëguara nga qeveritë paraardhëse apo edhe një PS, së cilës i janë kalbur ca rrënjë historike. Por fakti që me kokëfortësi, e jo siç tha Majko “kokëderrsi”, Kryeministri nuk po tregon shenja mirëkuptimi e debati ndaj mund të sjellë përplasje e çarje në kongres. Nëse qëllimi i Ramës është që t’i bëjë të ikë Blushin & Co nga PS-ja atëherë problemi nuk është Ben Blushi, por Edi Rama.

SHKARKO APP