E djeshmja iku me gaz lotues-helmues. Dita e enjte do jetë përballje-radikale

Opozita zhvilloi dje një nga protestat më madhështore të pluralizmit. Në shesh nuk kishin ardhur vetëm militantët e partive nga Tirana, por ajo që binte në sy ishte se pas shumë mitingjeve partiake opozitare u janë rikthyer qytetarët jo politik. Provë e kësaj ishte fakti se bulevardi nga Kryeministria dhe deri në sheshin “Skënderbej” ishte më plotë se kurrë më parë. Pjesëmarrja ishte fitorja e parë e protestës së djeshme dhe për fat të keq ky mesazh i rëndësishëm politik u anashkalua nga Qeveria dhe zhurma e mediave qeveritare.

Numri i madh i shqiptarëve që ishin dje në krah të opozitës bënte kontrast të fortë me antimitingun me militantë të Edi Ramës në Vlorë. Në Tiranë kishin ardhur qytetarë që protestonin për ekonominë, papunësinë, taksat, krimin dhe për një shtet më social. Ndërsa në Vlorë ishin punonjësit e administratës që u thirrën me dhunë në mitingun e Edi Ramës për t’u bërë karshillëk dhe provokuar qytetarët që kërkojnë një vend më të mirë. Pikërisht për të shmangur masivitetin e protestës antiqeveritare dje propaganda e Edi Ramës duhet thënë se funksioni më mirë sesa ajo e opozitës. Si fillim, vëmendja u përqendrua të kërpudha që shkatërruan protestuesit dhe jo të mesazhi kombëtar antiqeveri që jepte protesta. Disa xhama të thyer ndaj Kryeministrisë dhe një kërpudhë e rrëzuar që Edi Rama e quan vepër arti, sigurisht që janë akte dhune, por kjo nuk përbën thelbin e protestës. Thelbi i protestës dhe mesazhit që dhanë dje qytetarët në shesh është se numri i atyre që janë kundër tij është shumëfish më i madh se administrata e paguar që dëgjon fjalimet e kryeministrit. Dje, takimet e Tiranës dhe Vlorës simbolikisht ishin tregues force për pjesëmarrjen dhe opozita shënoi fitoren e parë duke dëshmuar se qytetarët janë më të. Qytetarët dje nuk ishin te Rama, por në Tiranë kundër Ramës. Ky është fakti që qeveria kërkon të fshehë dhe gjatë gjithë ditës dje spostoi vëmendjen në çështje periferike.

Ndërsa për atë që qeveria e quajti dje dhunë të opozitës, ngjarja i ka të dyja anët e medaljes. Sigurisht që mes protestuesve pati disa elementë që sulmuan godinën qeveritare. Mund të ishin militantë të revoltuar, por edhe provokatorë të qeverisë që asnjëherë nuk mungojnë në mitingje të tilla. Dhe në fakt, dhuna më shumë se kujtdo dje i interesonte Edi Ramës sesa opozitës. Por edhe nëse u thye një kërpudhë dhe disa xhama ky nuk është fundi i botës. Edhe në Paris, Londër dhe kudo në vendet e BE kur ka protesta, ka dhunë, madje shumë më shumë se dje në Tiranë. Si rregull, ndërkombëtarët nuk do përkrahin këto akte ndaj dhe dje reaguan. Për të kuptuar ndërkombëtarët, mjafton të citojmë reagimin e ambasadës franceze që kritikonte ashpër protestuesit për të mos përdorur dhunë, kur dihet se Jelekverdhët kanë dy muaj që i kanë venë zjarrin Parisit dhe atje quhen protesta demokratike! Në Tiranë nuk duhet, por vetëm në qytetët europiane mund të djegin. Ndërkohë ana tjetër e dhunës dhe që është me seriozja erdhi nga Qeveria. Dje, në protestë është përdorur jashtë çdo kriteri ligjor gaz lotsjellës duke shkaktuar shumë të lënduar. Për t’a kuptuar qytetarët atë që ka ndodhur, mjafton t’u kujtojmë se atë që media për efekte teknike e quan gaz lotsjellës, në gjuhën teknike dhe ushtarake quhet armë kimike. Lënda kimike që përdoret në bombat e posaçme, veç lotëve dhe vështirësive në frymëmarrje, shkakton dëme serioze në sistemin nervor, humbje të shikimit, dëmtime në kokë dhe një sërë anomalish të tjera. Përdorimi i këtij gazi në jo pak raste në Iran, Siri dhe vende të tjera ka shkaktuar dhe vdekje të protestuesve. Sipas konventave ndërkombëtare përdorimi i kësaj lënde kimike është i ndalur nga policia në shumë shtete. Në Tiranë, dje Policia e Shtetit dhe Garda e Republikës kanë bërë më shumë se 30 sulme ndaj qytetarëve më këtë lëndë kimike. Ekspertë të fushës thonë se për efektet që kanë parë të qytetarët, bombat që janë përdorur më këtë mund të kenë pasur më shumë lëndë kimike sesa është e parashikuar nga rregullorja. Pamje e videove që u regjistruan gjatë protestës tregojnë për vajza, fëmijë dhe gra që u binte të fikët si pasojë e gazit apo edhe burra që kanë humbur ndjenjat në mes të sheshit. Shkelja ligjore e policisë lidhet jo vetëm me faktin se u përdorë një lëndë kimike e ndaluar, por edhe sepse në shumicën e rasteve ishte e pajustifikuar. Policia qëlloi me gaz lotsjellës edhe në mes të turmës që ishte disa dhjetra metra larg hyrjes së Kryeministrisë. Pra, në mënyrë antiligjore dhe gati kriminale u përdor lendë kimike ushtarake mbi disa qytetarë që protestonin në mënyrë paqësore.

Ndërsa qeveria shqetësohej për një kërpudhë të përmbysur para Kryeministrisë, në shesh Garda e Republikës ka kryer një nga aktet me anormale ndaj protestuesve duke i helmuar me gaz ushtarak. Një situatë që kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi e cilësoi si genocid ndaj vajzave, grave dhe të rinjve që ishin në shesh. Në darkë vonë kryeministri falenderoi policët dhe gardën për qendrën e tyre kundrejt protestuesve. Ai shkruan në facebook se “Për Protestuesit: Është faji i atyre që ju tërheqin nga hunda apo juaji që akoma i ndiqni pas ata udhëhumbur? Për Vlonjatët: Sot ju i ritreguat Shqipërisë atë që dini më mirë, anën e duhur të historisë!Për Policinë e Shtetit: Ishte dita për të bërë dallimin e madh. Ju e bëtë! #Respekt”, shkroi Rama.

Të enjten do jetë përballja finale mes kryeministrit dhe Opozitës. Do jetë radikale si përballje.

SHKARKO APP