Bllokohet Tirana pas orës 17.00, mos lëvizni me makina! 1700 forca policie në kryeqytet për demonstratën e PD

Kjo e hënë do jetë ndryshe për kryeqytetin. Qytetarët nuk do të mund të lëvizin me makina, turistët do të mbyllen në hotele, sepse PD ka lajmëruar një protestë e cila duket se do të jetë e dhunshme.

Lideri demokrat Berisha tha dje: “Nesër në Shqipëri, fillon mosbindja civile, pa kthim, deri në vendosjen e qeverisë teknike.

Në prag të këtij eventi historik, unë dua të jap disa sqarime të fundit për çdo qytetar shqiptar dhe të adresoj thirrjen time për mbarë shqiptarët. Kjo mosbindje civile, nuk vjen si një rrufe në qiell të hapur. Kjo mosbindje civile, minimalisht ka 3 vite që kërkohet dhe është paralajmëruar.

Kjo mosbindje civile, data 7 tetor, është nisja e kapitullit të fundit, e kësaj historie të zezë 11 vjeçare, të historisë së Shqipërisë. Një historie që do të lej mbrapa shkatërrimet më destruktive, të themeleve ku mbahet Shqipëria dhe shqiptaria. Kjo mosbindje civile, nesër, vjen si përgjigja e vetme, që opozitës së shqiptarëve, shpresës së fundit të Shqipërisë, i ka mbetur.

Është radha jone! Në këtë kontekst, dua të rikujtoj, se opozita shqiptare në 3 vite ka zhvilluar jo një, as dy, as re, por plot 7 protesta kombëtare. Protesta masive, ndër më të mëdhatë që Shqipëria ka parë në historinë e saj.

Këtë mosbindje, ne kemi patur të gjitha mundësitë ta nisnim që 3 vite përpara, në protestën e 7 korrikut 2022. Madje ishte kërkesa kryesore e popullit opozitar për ta bërë këtë. Por në këto 3 vite, ne ndoqëm një qasje tjetër. Kemi mbajtur fjalime. Kemi denoncuar me fjalë. Kemi ngritur zërin. Kemi bërtitur. Por a u dëgjuam ne? Cila është përgjigja që kemi marrë? Në 2022, na vodhën flamurin e partisë. Na detyruan të shkojmë në zgjedhje, pa vulë, pa simbole pa financa, pa komisionerë, pa emrin e liderit në fletën e votimit.”, u shpreh Berisha.

Ndërkohë Policia e Shtetit ka angazhuar 1700 forca policie në ruajtjen e Rendit në Tiranë. Nuk do të ketë fjalime, por reagime nga turma.

Në fillim demonstruesit do të mblidhen para kryeministrisë dhe me pas do të bllokojnë kryeqëzimet kryesore, ndaj policia bën thirrje që këtë të hënë pasdite të mos lëvizet me makina.

Të gjitha informacionet janë se do të jetë protestë e dhunshme në Tiranë.

Policia njofton se do të ketë edhe bllokim të disa akseve rrugore, si më poshtë:

“Do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nga kryqëzimi i Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza” dhe në rrugët: “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Në varësi të zhvillimit të tubimit mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve dhe në këto akse rrugore:

Kafe “Europa” – Segmenti “Ushtari i panjohur” deri te 9-katëshet;

Shkolla “1 Maji” – kryqëzimi i urës së ATSH-së deri te rruga e Elbasanit;

Kryqëzimi i Liceut Artistik deri te Fakulteti i Gjuhëve të Huaja;

Sheshi “Skenderbej”, bashkia Tiranë dhe Pallati i Kulturës;

Kryqëzimi i Librit Universitar;

Kryqëzimi i 21-Dhjetorit deri te shkolla “Sabaudin Gabrani”;

Kryqëzimet në zonën ish-Bllokut, rruga “Ibrahim Rugova” dhe rruga “Ismail Qemali”;

Rrethrrotullimi “Zogu i Zi”;

Kryqëzimi te ish-stacioni i trenit;

Kryqëzimi i urës së Taiëanit;

Kryqëzimi i rrugës së Kavajës me hyrjen e sheshit “Skënderbej”;

Kryqëzimi i urës së ish-hotel “Dajti”;

Kryqëzimi i 9-katësheve me Rrugën e Barrikadave;

Rruga “Dritan Hoxha”, përpara vendit të quajtur “Kupola”;

Kryqëzimi i pallatit me shigjeta”.

Policia u ka kërkuar qytetarëve që të shmangin lëvizjen me automjete në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.

SHKARKO APP