Tragjike/Lumi në 45 minuta shi merr përpara kampin me 700 fëmijë

Lumi Guadalupe u rrit 26 metra për 45 minuta, duke përfshirë një kamp veror me qindra fëmijë. Autoritetet në kërkim të rreth 20 fëmijëve të zhdukur.
TEKSAS, SHBA – Të paktën 13 persona kanë humbur jetën në kontenë Kerr të Teksasit pas përmbytjeve të papritura dhe motit të ashpër që ka goditur pjesë të mëdha të shtetit jugor amerikan. Bilanci mund të rritet, pasi dhjetëra të tjerë rezultojnë të zhdukur, mes tyre rreth 20 fëmijë që ndodheshin në një kamp veror pranë lumit Guadalupe.
Zëvendësguvernatori i shtetit, Dan Patrick, deklaroi në një konferencë për shtyp se brenda vetëm 45 minutash, lumi Guadalupe është rritur me plot 26 metra, duke përmbytur një zonë të gjerë dhe duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe humbje jetësh.
“Kjo ishte një përmbytje shkatërruese që mori me vete prona dhe, për fat të keq, edhe jetë njerëzish,” u shpreh Patrick. Ai tha se në kampin veror ndodheshin rreth 700 fëmijë dhe e përshkroi ngjarjen si një “situatë me përmasa katastrofike”.
Zyrtarët kanë theksuar se shumë prej fëmijëve të zhdukur mund të jenë jashtë kontaktit për shkak të ndërprerjes së komunikimit dhe vështirësive në terren. “Kjo nuk do të thotë që janë të humbur. Mund të jenë të sigurt, por pa mundësi kontakti,” theksoi Patrick.
Aktualisht, ai vepron si guvernator në detyrë pasi guvernatori Greg Abbott ndodhet me pushime. Forcat e emergjencës janë angazhuar në operacione kërkimi dhe shpëtimi, ndërsa prindërit janë këshilluar të presin kontakt zyrtar para se të shqetësohen për më të keqen.
Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal dhe ka hapur diskutime për sistemet e paralajmërimit dhe sigurinë në kampe verore në zona me rrezik përmbytjeje. Autoritetet federale pritet të përfshihen në hetimin e plotë të ngjarjes në ditët në vijim.