Edhe 12 deputetë janë të kriminalizuar
Nga hetimet e grupit të prokurorëve, përveç ligjvënësve, rezultojnë edhe 6 kryetarë bashkie me probleme kriminale
Përveç dy deputetëve që rezultuan me probleme ligjore, sipas Prokurorisë, Shkëlqim Selami dhe Dashamir Tahiri, edhe 12 ligjvënës të tjerë preken nga ligji i dekriminalizimit. Mësohet se Struktura e Dekriminalizimit, një njësi e posaçme në Prokurorinë e Përgjithshme është duke verifikuar formularët dhe për 12 deputetë të Parlamentit. Ka të dhëna se ligjvënësit kanë fshehur probleme me ligjin, sidomos kur kanë qenë jashtë vendit, bëhet e ditur nga burime të Prokurorisë së Përgjithshme.
Gjatë muajve të fundit Struktura e Prokurorisë ka marrë në shqyrtim të gjitha dosjet e zyrtarëve të lartë që kanë plotësuar formularin e dekriminalizimit. Burime nga Prokuroria thanë për “Koha Jonë” se nga verifikimet me probleme kanë rezultuar edhe 6 kryetarë të bashkish. Të njëjtat burime nga prokuroria janë shprehur të rezervuar në lidhje me emrat e deputetëve apo krerëve të bashkive që rezultojnë se kanë probleme me ligjin në fuqi, por konfirmojnë se bëjnë pjesë në të gjitha kampet politike. Gjashtë prej tyre janë deputetë të qarqeve Tiranë e deri në Veri, tre nga Shqipëria e Mesme, ndërsa pjesa tjetër nga dy rrethe të Jugut. Informacionet tregojnë se dy janë biznesmenë të fuqishëm. Gjatë javëve në vijim, pas verifikimeve, prokuroria do të kërkojë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve largimin nga detyra të zyrtarëve që rezultojnë me probleme ligjore. Por pa marrë vendimin për deputetët Shkëlqim Selami dhe Dashamir Tahiri si dhe Kryetarin e Bashkisë së Kavajës, Rroshi, mësohet se Prokuroria nuk do t’i bëjë publike emrat e 12 deputetëve. Dje në KQZ u duk hapur se ky institucion kushtetues ishte kundër Prokurorisë, gjë që ka sjellë reagimin e dy ambasadave të huaja në Tiranë, të cilët janë marrë seriozisht me dekriminalizimin. Nëse KQZ nuk do të votojë heqjen e mandateve, sipas Prokurorisë, mësohet se vetë anëtarët e KQZ-së do të jenë të parët që do futen në “sitën” e hetimeve për pasuritë etj. Burimi diplomatik tregon se i është bërë presion Kryeministrit Rama që nëse kryetari i KQZ-së, që është përfaqësues i PS-së, nuk do të jetë në anën e drejtësisë, atëherë përgjegjësia politike do bjerë mbi kokën e Edi Ramës.
Ligji i dekriminalizimit nisi zbatimin në muajin e parë të këtij viti. Ky ligj i iniciuar nga Partia Demokratike pati mbështetjen e gjithë faktorit ndërkombëtar. Kryesisht, Ambasada e SHBA-ve dhe ambasadori Donald Lu kërkuan që ligji të mundësonte largimin nga politika dhe zyrat e shtetit të gjithë personave që kanë bërë krime. Është një nga nismat ligjore që është cilësuar si më të ashprat në Europë. Efektet e para të ligjit për zyrtarët e lartë prekën, pas padisë së Prokurorisë, dy deputetët Selami dhe Tahiri, si dhe kreun e Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi.
Ndërkohë që, prej disa muajsh në Strukturën e Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme mësohet se janë depozituar rreth 500 dosje punonjësish, të cilat duhet të verifikohen. Pjesa më e madhe e dosjeve është dërguar për verifikim nga Drejtoria e Administratës Publike (DAP), e cila ka dhe numrin më të madh të punonjësve. Institucionet e tjera që kanë dërguar punonjës për verifikim janë Kuvendi, Këshilli i Ministrave dhe institucione të tjera kushtetuese, punonjësit e të cilave kanë detyrim ligjor plotësimin e formularit. Përreth 40 zyrtarë të nivelit të ulët, mësohet se, prokuroria ka kërkuar ndjekje penale. Ndërkohë që, për disa të tjerë është kërkuar largimi nga funksionet publike.
Rastet e prekjes nga ligji për zyrtarë të niveleve të ulëta janë më të shpeshta, por ajo që tërheq më shumë vëmendjen janë deputetët dhe zyrtarët e lartë. Për këtë kategori zyrtarësh, prokurorët kanë kryer hetime në disa drejtime duke konfirmuar të gjitha rastet, ku rezultojnë shkelje ligjore.
Struktura e Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme u ngrit në muajin mars dhe drejtohet nga prokurorja, Rovena Gashi. Në përbërje të saj janë disa nga prokurorët e vendit. Së fundi, pjesë e kësaj strukture është bërë dhe prokurori Petrit Fusha, i cili është dhe drejtues i Prokurorisë së Tiranës.
Pritet që kjo strukturë të kryejë dhe verifikimet e fundit për deklarimet e 12 deputetëve dhe 6 krerëve të bashkisë, para se të kërkojë në rrugë institucionale ndërprerjen e mandateve të tyre ose t’i dërgojë për kallëzim penal.
Ambasadori amerikan Lu është në “përgjim” të çdo rasti që mundohet t’i anashkalohet drejtësisë për këtë ligj të rëndësishëm. Pra, dekriminalizimi është çështje drejtësie dhe nderi jo vetëm shqiptar, porse edhe amerikan. Ndaj zyrtarët që kanë në dorë hetimet dhe vendimet për këtë ligj duhet të mendohen mirë!
Qamil Xhani