Boterori 2018/ Edhe një barazim në Shkodër na bën punë përballë Spanjës !
Speciale për ndeshjen e sotme:
Edhe një barazim në Shkodër na bën punë përballë Spanjës !
Sonte luhet një nga ndeshjet me të mëdha në historinë e kombëtares tonë të futbollit. Në Shkodër,aty ku lindi futbolli është dhe kryendeshja. Përballë është Spanja e madhe e botërorëve dhe europianëve. Trajneri i Shqipërisë De Biasi është shprehur i rezervuar shumë për rezultatin. Nuk ka faj se kemi Spanjën përballë. Por futbollistët dhe tifozët që janë lojtari numër 12 do të japin sonte maksimumin e tyre për të hyrë në histori dhe si lajm botëror nesër. Ndonëse nuk luan Sadiku, por skuadra është aty me zemër, mendje e këmbë që të marrin një rezultat pozitiv. Natyrisht kush nuk e do fitoren sonte! Por edhe një barazim do ishte si fitore për Shqipërinë e vogël përballë Spanjës së madhe në futboll.
Ndeshja do gjykohet nga holandezi i njohur si “furrtari” 38 vjeçar Bas Nijhuis, ndërsa asistentët e tij do të jenë Rob van de Ven dhe Carls Shap. E veçanta e gjyqtarit kryesor është se profesioni i tij i parë është ai i furrtarit, ndërsa administron një dyqan me prodhimi brumi në Enshede, që ndodhet në provincën e Orerisjel, Tuente.
Por “brumin” ekipi shqiptar duhet ta bëjë vetë e jo ta presë nga ndonjë penallti e gjyqtarit hollandez. Tifozeria shqiptare do jetë supër dhe do ta ndezë jo vetëm stadiumin, por edhe vetë fushën e blertë nga ku duhet dhe do të dalë të paktën barazimi me spanjollët.
Në prag të ndeshjes kundër Shqipërisë, trajneri i Spanjës, Julen Lopetegui nuk i ka kursyer elozhet për të besuarit e De Biasit. Në një deklaratë për mediat nga Shkodra, Lopetegui tha se Shqipëria ka merituar vendin e parë në Grupin G, por sipas tij Spanja vjen me qëllimin për ta fituar ndeshjen. “Shqipëria ka merituar vendin e parë pasi kohët e fundit është rritur shumë duke zhvilluar ndeshje të shkëlqyera. Ne kemi ardhur në Shkodër për të fituar dhe marrë 3 pikëshin përballë Shqipërisë e cila kohët e fundit është përmirësuar ndjeshëm. Tashmë diferencat mes kombëtareve të ndryshme janë shumë të vogla”, u shpreh Lopetegui.
Ndërsa me në fund trajneri De Biasi Trajneri i Kombëtares shqiptare, Ganni de Biasi ka folur për gjendjen aktuale të ekipit i cili sipas tij është i gatshëm ta përballojë kundërshtarin. Në një deklaratë për mediat nga Shkodra, trajneri ka folur për gjendjen shëndetësore të mesfushorit Burim Kukeli i cili pësoi një lëndim kundër Lihtenshtejnit. “Shqipëria ka një gjendje fizike të shkëlqyer por mbi të gjitha mbizotëron fryma pozitive. Kemi respekt për kundërshtarin dhe do të kërkojmë të marrim maksimumin. Kukeli ka pas problem ndeshjen e kaluar dhe ende nuk e dimë nëse do jetë gati kundër Spanjës. Jam i bindur që do të jetë në stolin rezervë”, u shpreh De Biasi.
Sonte Shqipëria ka shansin të shkruajë historinë përballë Spanjës, por edhe një barazim na bën punë për të ecur me tej !
Spiten Prulli
Ansi Agolli: Ndaj Spanjës duhet të kalojmë limitet tona
Kapiteni Ansi Agolli gjatë konferencës për shtyp ka folur hapur mbi pretendimet e kombëtares shqiptare në ndeshjen e sotme ndaj Spanjës në ‘Loro Boriçi’.
‘Kjo është e para prova e fortë për ne. Ne kemi respekt për Spanjën, por jo frikë. Asnjë ekip nuk futet në fushë për të humbur. Ne do të japim maksimumin, pavarësisht si përfundon ndeshja. Nuk besoj se ndonjë lojtar që nuk ka dëshirë të luajë në ndeshje të tilla. Jemi gati për ta përballuar me sukses këtë sfidë, edhe pse do të na duhet të kapërcejmë limitet tona për të arritur atë që duam. Përballë kundërshtarëve të tillë nuk ka nevojë për motivim’, u shpreh Agolli.
I pyetur për atë që mund të bëjnë kuqezinjtë në fushë përballë Spanjës, kapiteni i kombëtares tha se iberikët janë një skuadër që u imponojnë kundërshtarëve lojën e tyre, por bëjnë mirë që nuk e nënvlerësojnë Shqipërinë.
‘E kam thënë edhe herë të tjera që sot nuk ka më skuadra të vogla. Spanja bën mirë që mendon të njëjtën gjë, edhe pse është një skuadër mjaft cilësore, me lojtarë në gjendje të bëjnë diferencën dhe që u imponon kundërshtarëve lojën e saj, madje edhe skuadrave më të forta se Shqipëria. Si ndeshjet me Maqedoninë dhe Lihtenshtejnin, ashtu edhe kjo me Spanjën vlen tri pikë, por ndryshimi midis këtyre ekipeve është shumë i madh’, përfundoi kapiteni kuq e zi.
Gazeta spanjolle për ndeshjen e sotme
“Shqipëria nuk është një skuadër e lehtë për t’u përballur dhe skuadra e Julen Lopetegui-t s’duhet të ulë përqendrimin në këtë fazë të parë të rrugëtimit për në Rusi”. Ky është paralajmërimi që i bën ekipit spanjoll gazeta sportive më e madhe në Spanjë, “Marca”.
“Pas fitores 2 – 1 me Maqedoninë në shtëpi dhe fitores 2 – 0 në Liechtenstein, djemtë e Gianni De Biasi besojnë në aftësitë e tyre kundër një Spanje që karakterizohet nga një dozë e fortë “rotacioni”, shkruan gazeta, e cila ndalet tek ndryshimet e shpeshta të skuadrës së Lopetegui.
“Mbrojtësit e qendrës jaën shtylla kurrizore e skuadrës dhe nuk do të preken, ndërsa mesfushorët do të zgjidhen pasi dëmtimet e Jordi Abla dhe Sergi Roberto e lënë trajnerin me pak mundësi, përveç Carvajal e Nacho. Në mesfushë, sipas skemës 4-3-3 Lopetegui do të ketë më shumë mundësi për të eksperimentuar. Thiago Alcantara pritet në mesfushë, ashtu si Lucas Vazquez që zëvendëson Vitolo dhe Alvaro Morata që mund të zëvendësojë Diego Costa në sulm. David Silva, që po shkëlqen në Mancester Cyti –n e Pep Guardiola-s është i vetmi lojtar që nuk do të pushojë, duke parë rolin që ka luajtur në sulm që pas largimit të Vicente Del Bosque”, shkruan Marca për formacionin e mundshëm.
Gazeta i kujton trajnerit se ky është një test i rëndësishëm.
“Përballë një kundështari që nuk duket i vështirë vetëm nga emri, me pamjen e re, skuadra e Lopeteguit do të përballet me një test të vështirë që do të tregojë se sa i aftë do të jetë ai për të modifikuar skuadrën, stilin dhe për të përmirësuar rezultatet”
Skema e De Biasit për sonte
Gianni De Biasi do të zbresë në fushë kundër Spanjës me një skuadër të ndryshme nga ajo që zgjodhi kundër Liechtensteinit. Ai do t’i rikthehet skemës 4-5-1. Në portë do të jetë Berisha. Në mbrojtje janë Hysaj, Gjimshiti, Mavraj e Agolli. Ky i fundit do të zërë vendin e Alijit.
Në mesfushë pritet të jenë Roshi, Lila, Xhaka, Lenjani e Memushaj. Ndërsa në sulm Balaj, i cili shënoi edhe golin e dytë në fitoren e mesjavës.
Në vend të Lenjanit, nuk përjashtohet mundësia që trajneri të aktiviziojë Jahmir Hykën.
Të paktën ky është formacioni që ka aktivizuar trajneri në stërvitjen e zhvilluar në fushën sportive “Reshit Rusi” me dyer të mbyllura.
Ishte përfolur për një aktivizim të Cikalleshit. Por ai do ta nisë nga stoli.
Ankohen futbollistët e Spanjës
Përfaqësuesja e Spanjës po vazhdon të ankohet për gjendjen e fushës së “Loro Boriçit”. Edhe pse ende nuk e kanë shkelur nga afër, refreni i spanjollëve gjatë gjithë këtyre ditëve ka qenë terreni që do të gjejnë në Shkodër për ndeshjen ndaj Shqipërisë.
Fakti që vetëm tri ditë para përballjes me Shqipërinë, në “Loro Boriçi” u ndesh Kosova me Kroacinë, nuk u pëlqen aspak spanjollëve, aq më tepër që dy ndeshjet më të vështira të grupit duhet t’i luajnë në vetëm tri ditë diference, shkruan “Panorama Sport”.
Si të mos mjaftonte kjo, largësia e stadiumit të Shkodrës nga aeroporti “Nënë Tereza” është në maksimumin e lejuar nga FIFA, çka shton lodhjen e udhëtimit të ish-kampionëve të botës.
Më shumë se shqetësim për fushën, duket se spanjollët po parapërgatisin justifikimin në rast të një rezultati jo pozitiv nga ekipit të Gainni De Biasit.
Pasurohet FSHF, ja sa fiton nga shitja e biletave
Ndeshja me Spanjën nuk do të jetë e veçantë për futbollin shqiptar vetëm në aspektin sportiv dhe opër yjet e mëdhenj që do të zbresin sot në fushën e ‘Loro Boriçit’, por dhe për shumën e parave pritet që të fitohet sot.
600 milionë lekë nga shitja e biletave do të fitojë FSHF, vetëm për këtë sfidë.
Goglat nuk janë treguar aspak bujare me Shqipërinë në eliminatoret e Kampionatit Botëror, pasi e vendosën përballë përfaqësueseve si Italia apo Spanja.
Por përfitimet financiare, kur kuqezinjtë luajnë të tilla sfida me ekipe të rëndësishme, janë të konsiderueshme.
Shitja e biletave është një prej burimeve kryesore të përfitimit të Federatës Shqiptare të Futbollit kur ka përballje me ekipe të tilla.
Shuma që do të përfundojë në arkën e institucionit të futbollit nga shitja e biletave të sfidës së sotme është e konsiderueshme.
Plot 638 milionë lekë të vjetër do të përfitojë FSHF-ja nga shitja e të gjitha biletave të takimit të sotëm.