Edi Paloka: Ka “Babale” edhe për ministra të tjerë. Prisni e do dëgjoni!”
Ka nisur me tensione seanca e sotme e Kuvendit. Opozita filloi me Albana Vokshin për dhunën ndaj kryeredaktorit të RD, Blendi Kasmi. Por mënjëherë e ka marrë fjalën numri dy në PD, Edi Paloka. Ai ka deklaruar në seancën kuvendore se edhe për ministrat e tjerë ka skandale që do të dalin së shpejti.
“Është Edvin Rama kapoja i mafies dhe krimit në Shqipëri, për këtë arsye janë këta ministra që janë që do të dalin të gjithë, kanë babalet e tyre këta të tjerët, me radhë do dalin e le të thotë pastaj që opozita po pengon integrimin. I kërkojmë shkarko Fatmir Xhafajn e ky ça bën, liron Saimir Tahirin”.
Ai tha se i vetmi hall i Ramës është të mbrojë të vetët. “Ka filluar duke mbrojtur kryetarët e bashkisë që vuri vetë të inkriminuar, vazhdoi me deputetët që vuri vetë, të inkriminuar, sot laku i ka ardhur tek ministrat, të parët janë ministrat e Brendshëm, të tjerët do vazhdojnë më pas, nga Tahiri te Xhafaj. Kjo është e vetmja punë dhe i vetmi hall që ka kryeministri”, tha Paloka më tej, ndërkohë që Ruçia mbylli mikrofonin.
Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi ndërpreu sërish seancën. Dhe teksa kreu i Kuvendit, largoi mediat, kreu i opozitës Lulzim Basha ka vijuar me planin B, atë të transmetimit live në faqen e tij në Facebook.
Selia blu ka deklaruar se ka disa video e foto për ministrat e tjerë të qeverisë, duke nënkuptuar se në javët në vijim do të fillojë publikimin e tyre në media.
Cilët ministra janë në pritje të këtyre video e fotove? Emra përfliten shumë, por pritet që PD-ja të mbajë premtimin publik.
Ndërsa në lidhje me audio përgjimin e Agron Xhafajt hetimi vazhdon ku pritet ekspertiza nga Italia për vertetsinë e regjistrimit dhe publikimit. Ministri Fatmir Xhafaj ka deklaruar se “nëse del i vertetë audio përgjimi për të vëllain do të jap dorëheqjen e mënjëhershme dhe do përgjigjem për të gjitha pasojat juridike si ministër”. Por Xhafaj ka kërkuar që “nëse përgjimi del mashtrim nga PD, atëhehere duhet që Lulzim Basha të jap dorëheqjen nga kryetar i PD dhe të mashtruesit të përgjigjen penalisht”.