Edi Rama: Duhet konsensus trepalësh. Të gatshëm të shikojmë mundësinë e listave të hapura

Pas takimit 1 orë e 20 minuta me deputetët e së ashtuquajturës opozitë parlamentare, kryeministri Edi Rama deklaroi se nuk ka arritur marrëveshje për kërkesat e tyre.

Kreu i qeverisë deklaroi se nuk mund të zhbëhet marrëveshja me opozitën jashtëparlamentare. Ndërsa shtoi se është i gatshëm të shikojë mundësinë e hapjes së listave.

Kryeministri tha se duhet konsensus trepalësh për miratimin e reformës zgjedhore duke nënkuptuar dakordësinë e deputetëve pa parti, PS dhe opozitës reale të vendit.

“Kemi një konflikt në themel, që lidhet me marrëveshjen që kemi bërë me opozitën jashtëparlamentare dhe për mua ajo është një bazë mbi të cilën mund të zhvillojmë më tej procesin dhe mund të shtojmë, por nuk mund të heqim. Ne jemi të gatshëm të konsiderojmë një formulë hapjeje të listave, jemi të gatshëm të diskutojmë për ta formalizuar përgjatë procesit të diskutimeve dhe për të arritur në konsensus tre palësh. Në një konsensus të tillë askush nuk do të marrë gjithcka që dëshiron, të tre palët do duhet të pranojnë diçka që nuk dëshirojnë, por është shumë e rëndësishme që të gjithë të kenë zë në proces. E para kemi nevojë për një mazhorancë të gjerë në Kuvend, e dyta PS nuk do të angazhohet në proese kapjeje të një vote këtu e një vote atje për të bërë një ligj kaq të rëndësishëm për të gjitha partitë. Unë nuk kam ndonjë respekt më të madh për ata që janë jashtë se sa pë rata që janë brenda, por askush nuk ka asnjë privilegj, dhe dua të jap një mesazh të qartë se sot është e vërtetë që shumica e shqiptarëve duhet të kenë zë në proces”,- tha Rama.

Deputetja Rudina Hajdari tha për mediat pas takimit nuk do të ketë tërheqje nga listat e hapura edhe nëse bëhet presion nga opozita jashtëparlamentare apo dhe nga të huajt. Hajdari konfirmoi se nuk ka një marrëveshje me kryeministrin, por deklaroi se ajo ka mbështetjen e shumicës së shqiptarëve në kërkesat e saj, ndërsa PD dhe partitë e tjera nuk e kanë. “I bëmë kërkesën Ramës për listat e hapura, nuk tërhiqemi. E ka marrë përsipër këtë betejë deri në fund dhe s’ka tërheqje, qoftë nga presioni nga të huajt ne nuk do të tërhiqemi nga kjo kërkesë, sepse listat e hapura janë të dobishme. Kjo kërkesë në fakt vjen në mënyrë, në kohë të vështirë por është e nevojshme që mos mbetemi në vend numëro, dhe të kemi zgjedhje me standarde me demokraci funksionale. Ta bëjmë realiteti. Duhet ta realizojmë. Nëse Rama shkon me opozitën jashtëparlamentare i kthen kurrizin shqiptarëve. Nëse Rama ndjek rrugën institucionale atëherë po i bën nder”,– tha Rudina Hajdari.

SHKARKO APP