Edi Rama: Lindita Nikolla, zysha që “mundi” burrat me grada shkencore
Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla dhe Ministri i Financave, Arben Ahmetaj në një takim të zhvilluar me mësues nga gjithë vendi, njoftuan rritjen e pagave me 10 për qind për këtë sektor.
Kryeministri Edi Rama e cilësoi rritjen e pagave si një provë për suksesin e reformave. “Për ju është takimi më i ëmbël, nuk është vetëm për të kërkuar që të gjithë sëbashku të jeni pjesë e një përpjekje të vështirë, por për të treguar se përpjekjet shpërblehen. Pikërisht sot është e nevojshme të kthejmë kokën 3 vjet më parë, të kujtohemi se kur morëm detyrën gjetëm një situatë shumë të vështirë në të gjithë sektorët, u gjetëm me duar të lidhura për shkak të një borxhi të fshehtë 720 mln dollarë, pjesë e të cilit ishte edhe borxhi në sistemin arsimor”,- tha Rama në nisje.
Përpara mësuesve i pari i qeverisë tregoi arsyet pse rritja e pagave vonoi 3 vite, por edhe reformat e thella e të vështira, për të cilat nuk nguroi të lavdëronte ministren e Arsimt dhe Sportit, Lindita Nikolla. “Një zysh si të gjitha gratë dhe vajzat këtu mundi të bënte në krye të ministrisë atë që një karvan i tërë burrash me grada shkencore nuk e bënë dot kurrë në 20 e kusur vite me radhë. Hynë në atë institucion me grada në kraharor dhe siç hynë dolën duke lënë pas rrënimin e sistemit tonë arsimor. Mjafton të shikojmë rezultatet e operacionit në arsim për ta konfirmuar me fakte këtë që thashë, duke filluar nga tekstet, 650 tekste u fshinë nga bankat falë pjesëmarrjes së të gjithë mësuesve që për herë të parë patën të drejtën të japin mendimin e tyre që për vite të tëra me imponim absurd nga lart u detyruan të jepnin mësim, kur vetë mësuesit ishin të vetëdijshëm që nuk ishin për mësim”,- shtoi ai.