Edi Rama: Më dëgjoni mua për plehrat. Të tjerat janë broçkulla politike
Kryeministri Edi Rama i është kthyer edhe një herë debatit për miratimin e ligjit të importit të mbetjeve, i cili ka shkaktuar shumë reagime kundër në opinion.
Në një postim në Facebook, Rama thotë se ligji i importit të mbetjeve është i domosdoshëm për të pastruar edhe plehrat e vendit, pasi në këtë mënyrë do të zhvillohet industria vendase e riciklimit.
Veç rëndësisë që ka mosfalimentimit të biznesit të mbetjeve në Shqipëri, Rama sjell si argument edhe faktin se pjesa e ambientalistëve profesionistë janë pro miratimit të ligjit.
Kryeministri ka publikuar në Facebook dhe listën e plehrave që do të importohen në Shqipëri me miratimin e ligjit të ri.
Nga ana tjetër, Rama kritikon indirekt edhe mediat që kanë qenë shumë të ashpra ditët e fundit ndaj miratimit të ligjit. Kryeministri thotë se kjo është një zhurmë e orkestruar për qëllime politike.
Me tone urdhëruese, Rama kërkon që qytetarët të besojnë atë në lidhje me shpjegimin që i bënë çështjes së ligjit.
“Dëgjojeni mirë: Falimentimi i kësaj industrie sot, do të thoshte një Shqipëri më e ndotur nesër! Jo më kot e gjithë pjesa e shëndoshë e specialistëve të mjedisit dhe e ambientalistëve që pasion ka mjedisin jo protestat pa arsye, kanë dhënë kontribut në hartimin e ligjit dhe e mbështesin atë.
Të tjerat janë broçkullat e radhës që dalin nga kazani i politikës së ulët të interesave të atyre që donin të digjnin në Shqipëri, plehrat e importit!”,- shkruan Rama.
Komenti i plotë i Ramës në Facebook:
Zhurma e orkestruar e atyre që duan të nxjerrin përfitime politike duke trembur njerëzit dhe e atyre që nuk duan të dëgjojnë po vetëm të flasin, është edhe këtë herë një thikë e cila u ngulet pabesisht në tru njerëzve që për shkak të tmerreve e poshtërsive që kanë parë apo pësuar në të shkuarën, e dëgjojnë këtë kor zhurmaxhinjsh profesionistë!
Ligji i votuar mbrëmë nuk ka asnjë lidhje me plehrat ogurzeza, po është vetëm një hap i natyrshëm dhe i domosdoshëm për të normalizuar situatën ligjore në lidhje me riciklimin e mbetjeve të listës së gjelbërt të Bashkimit Europian; për të fuqizuar industrinë e lehtë të riciklimit me qëllim rritjen e përpunimit edhe të mbetjeve të vendit.
Dëgjojeni mirë: Falimentimi i kësaj industrie sot, do të thoshte një Shqipëri më e ndotur nesër! Jo më kot e gjithë pjesa e shëndoshë e specialistëve të mjedisit dhe e ambientalistëve që pasion ka mjedisin jo protestat pa arsye, kanë dhënë kontribut në hartimin e ligjit dhe e mbështesin atë.
Të tjerat janë broçkullat e radhës që dalin nga kazani i politikës së ulët të interesave të atyre që donin të digjnin në Shqipëri, plehrat e importit!
https://www.facebook.com/edirama.al/photos/a.10150147019281523.288499.138734771522/10154038573851523/?type=3&theater