Rama në Beograd:politikë, marrëveshje, ekspozitë pikture dhe “Kurban”
Kryeministri shqiptar do të vizitojë Serbinë, ku mes të tjerash do të promovojë edhe librin e tij “Kurbani”, i cili është përkthyer serbisht si dhe një ekspozitë personale.
Portali serb Danas, shkruan se Rama do të niset nga Beogradi për në Nish më 14 tetor ku do të mbahet një takim i sipërmarrësve shqiptaro-serbë, për projektin mbi ndërtimin e autostradës Nish-Durrës. Më tej Rama do të marrë pjesë në Forumin e Sigurisë në Beograd në datat 12-14 tetor.
“Libri “Kurban” i kryeministrit shqiptar botohet para mbërritjes së Ramës dhe do të promovohet në takimin e sipërmarrësve në Nish, dhe mbase në këtë rast do të bëjmë një miniekspozitë me pikturat e Edi Ramës. Për më tepër, para Panairit të Beogradit, do të botojmë edhe “Pallatin e Ëndrrave” të Ismail Kadaresë. Do të botojmë edhe libra të tjerë të këtij autori në serbisht”, ka thënë Veran Matiç, drejtor i shtëpisë botuese “Samizdat B92”.
Shqipëria dhe Serbia synojnë t’i nënshkruajnë një sërë marrëveshjesh në fushën e transportit rrugor e hekurudhor, të cilat prekin edhe Kosovën. Këtë pritet ta bëjnë në takimin e Nishit, por pa pjesëmarrjen e zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës.
Sipas burimeve të gazetës “Koha Ditore” , marrëveshjet do të arrihen mbi bazën e një protokolli i cili është nënshkruar në prill të vitit 2015, në kuadër të takimit të parë mes Komisionit të përbashkët Shqipëri-Serbi.
Takimi ishte mbajtur në përputhje me nenin 6 të Marrëveshjes bilaterale për tregti dhe bashkëpunim ekonomik, i nënshkruar në Beograd në maj të vitit 2005. Protokolli, i cili erdhi pas negociatave dyditore të zhvilluara në Beograd është nënshkruar nga zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik të Shqipërisë, Tregtisë dhe Turizmit, Brunilda Paskali, si dhe sekretari i Ministrisë së Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit të Serbisë, Stevan Nikçeviq.