Rama: Ndryshime në qeveri dhe në parti
Më në fund do të ndryshojë qeveria. Kjo pritej nga mënyra arrogante e disa ministrave dhe e drejtorëve të nivelit të lartë. Kryeministri Edi Rama pritet të ndryshojë ministrat në kabinetin qeveritar, anëtarët e kryesisë së PS, si dhe drejtuesit e partisë në rrethe. Ndryshimet pritet të ndodhin në muajin shtator. Kursi i ri i qeverisjes u paralajmërua sot nga Edi Rama në mbledhjen e Asamblesë së PS. Rama deklaroi se emrat e ministrave dhe anëtarëve të kryesisë do të testohet në takimet me qytetarët për bashkëqeverisjen.
“Çfarë ndryshimesh, nëse do të jetë e nevojshme, në qeveri në shtator duhet të ndryshojmë, cilat ministra, ministri apo sektorë nuk janë në lartësinë e kësaj nevoje, që jo thjesht të tregoj shifra dhe statistika po të kenë vendin e tyre në mendjet e zemrat e atyre që na kanë dhënë besimin. Në fund të kësaj fushate do të shohim cilët anëtarë të kryesisë së partisë duhet të largohen nga kryesia dhe cilët janë të rinjtë që duhet të vijnë”, tha kryeministri.
Me tone të ashpra, në mbledhjen e Asamblesë, Edi Rama pranoi disa gabime në qeverisjes. Arroganca dhe shkëputja e mazhorancës nga realiteti është kritika më e madhe që i është bërë ditët e fundit qeverisë edhe nga vetë socialistët e bazës. Për këtë qëllim, Edi Rama njoftoi nisjen e takimeve për bashkëbisedimet në rrethe. Kjo lëvizje është parë si një strategji për ti detyruar deputetët dhe ministrat që të jenë në kontakt me njerëzit dhe të njohin realitetin në terren.
Një tjetër pikë që tregoi problemet e qeverisë ishte dhe protesta e Kukësit. Në mënyrë e tij, Edi Rama pranoi gabimin dhe tha se Kukësi duhet të jetë një mësim për të gjithë.
Kukësi tha kryeministri, shërbeu një mësim për arrogancën për të cilën është etiketuar qeveria.
“Kërcënimi që ne të etiketohemi si arrogant. Pse thonë njerëzit që ne qeverisim me arrogancë? Këtë duhet ta kuptojmë që ta ndajmë, cila pjesë e qeverisjes sonë konsiderohet arrogante, sepse është e drejtë dhe bëjmë reforma të dhimbshme, dhe cila pjesë e qeverisjes sonë është padrejtësisht arrogante me njerëzit. Këtë ne duhet ta ndajmë. Kukësi ishte një mësim shumë i madh për të kuptuar përgjegjësinë tonë, çfarë ne nuk bëmë si duhet dhe çfarë duhet të bëjmë në vijimësi, për mos tu përsëritur gabimi që duke u nisur për një qëllim të mirë, pa marrë mundimin për ta shpjeguar qëllimin të gjendemi përballë një reagimi që në fund të lë në ballë etiketën e arrogantit”, tha më tej.
Ai tha se nuk do të ketë më ligje pa u konsultuar me njerëzit. “Nuk duhet të kalojmë më ligje të asnjë lloji, pa i bërë më parë transparente për publikun, ne i kemi bërë, po nuk është detyra e njerëzve që të rrinë me celular në dorë dhe para kompjuterit që ti kërkojnë, po detyra jonë t’ua themi, tua nënvizojmë çfarë po bëjmë. Ashtu sikundër është detyra jonë sot tani, në këtë moment që po flasim, të garantojmë që vetingu në polici të mos krijojë turbulli mes trupave policore dhe ka nevojë jo thjesht të dëgjojnë po dhe të asistohen një për një për ta kuptuar dhe për ta plotësuar atë pjesë të detyrimit që ka ligji. Ashtu sikundër është detyra jonë të bëjmë këtë gjë me të gjitha grupet e interesit dhe komunitetet”, tha më tej Rama.
Me këto ndryshime të pritshme Edi Rama duket se do të ndryshojë jo vetëm ministrat arrogantë e të majmur nga paraja, por dhe vetë mënyrën e tij të drejtimit.
Edi Rama: Sipas sondazheve PS nuk ka nevojë të bëjë më asgjë. Ne i fitojmë zgjedhjet