Edi Rama në TV/ Endri Fuga i kontrollon pyetjet e drejtuesve të emisionëve?
Kryeministri Edi Rama nuk rri pa dalë në çdo televizion. E ka “sëmundje”, jo politike, por personale, pasi e miklon ideja për të qenë kudo, kurdo dhe sido ai. Për të qenë realist Edi Rama vjen nga bota intelektuale dhe e medias. Pena e tij mbetet brilante sa herë shkruan si Edi e jo si Rama kryeministër. Edhe elokuenca e tij televizive mbart sharm, ndonëse është bërë me shumë se sa duhet ironik dhe disi arrogant. Shpotitës dhe goditës, njëherësh, Edi Rama mund të ishte një drejtues emisioni i stilit anglez, bile do ta linte pas edhe Blendi Fevziun, i cili është kampion në këtë gjini gazetareske.
Por e kemi akoma kryeministër. Ç’të bëjmë! Ndër qarqet mediatike apo në “kazanin e medias”, siç i pëlqen atij të thotë përditë, thuhet se ka mbi një vit që nuk shkon në një emision televiziv pa futur në punë Endri Fugën, këshilltarin e tij mediatik, të cilit i beson me shumë se sa Saimir Tahirit, dikur. Pra Fuga kontrollon pyetjet e përgatitura dhe heq apo rregullon disa pyetje, për të cilat kryeministrit do ti ikte humori mënjëherë. Ka ndonjë drejtues emisioni që nuk ia pranon këtë stil censure, por përgjithësisht ndodh kontrolli paraprak. Kontroll me stil, me mirëkuptim dhe kur gazetari nuk heq ndonjë pyetje, telefonon pronarin e medias ku ka shkuar. Shumica e pronarëve në media kanë halle lejesh ndërtimi të Erion Veliaj, një pjesë trokasin të ministri Gjiknuri apo Ahmetaj, dhe pyetja hiqet ose rregullohet.
Apo nuk është kështu?!
Ndaj kryeministri shkon pa asnje shqetsim kudo ku ka një kamer televizive në Shqipëri. Endri Fuga shkon, si gjithnjë, me përpara për “kafen e kontrollit” dhe më pas emisioni del sipas parashikimit kryeministror.
Në këtë drejtim është mjeshtër Edi Rama. Bile me ERTV e tij private, kur të mos jetë kryeministër, si drejtues emisioni nuk do të pranojë “endrifuga-këshilltar” para se ti shkojnë të ftuarit për debat televiziv.
Por tani e pëlqen kontrollin e pyetjeve. Në mos ia kanë mësuar vetë disa pronarë televizionesh të cilët për t’iu servilosur apo për të marrë ndonjë pronë apo leje ndërtimi nga pushteti, i thonë që “si i do pyetjet apo t’ia nisim Fugës?”.
A.Mati
(Marrë nga www.folshqip.al)
http://folshqip.al/edi-rama-ne-tv-endri-fuga-i-kontrollon-pyetjet-e-drejtuesve-te-emisioneve/