Edi Rama nuk lëshon Tahirin. Ish-ministri nuk flet për Kryeministrin
Asnjë institucion shtetror nuk paraqet përgjigjet e pyetjeve të Komisionit Hetimor Parlamentar, ndonëse ligji i detyron. Frikë e madhe në mazhorancë.
Sajmir Tahiri frikëson qeverinë dhe kryeministrin. Ai di shumë, por flet pak, bile me kode. Tamam si kodet e Siçilisë, ndaj qeveria është vënë në mbrojtje të ish-ministrit.
Komisioni parlamentar hetimor që do të zbardhë të vërtetën për tonelatat e drogës, ose siç njihet komisioni hetimor për ish-ministrin Saimir Tahiri, duhet të kishte nisur punën që më 15 mars. Rreth një muaj e gjysmë më vonë komisioni nuk ka bërë asnjë verifikim, nuk ka marrë asnjë dëshmi dhe në dosjet e tij nuk ka asnjë dokument të institucioneve shtetërore. Të gjitha mbledhjet janë zhvilluar me debate politike. Deputetët e opozitës kërkojnë zbardhjen e rolit të qeverisë dhe policisë së shtetit në mbjelljen e drogës, ndërsa deputetët e PS gjejnë një mijë kleçka juridike për të bllokuar punën. Natyrisht me urdhër të kryeministrit, gjithçka.
Fillimisht PS-ja kërkoi që hetimi për drogën të mos fokusohet vetëm në periudhën që Ministria e Brendshme drejtohej nga Saimir Tahiri, por të mblidhen të dhëna për drogën që nga viti 1991. Një hetim i tillë mund të kërkojë disa legjislatura për t’u kryer dhe jo një komision që ka objekt një periudhë të caktuar, siç është ajo kohës kur ministrinë e drejtonte Saimir Tahiri, sot i akuzuar nga Prokuroria për trafik droge dhe bashkëpunim me krimin e organizuar. Dje u duk hapur se jo vetëm deputetët e PS nuk kanë dëshirë të hapin ‘letrat’ për kolegun e tyre Saimir Tahiri, por as Qeveria dhe gjithë institucionet e shtetit nuk japin asnjë informacion zyrtar për çka kërkon komisioni hetimor. Deputetët e opozitës prej më shumë se një muaji u kanë dërguar kërkesë zyrtare kryeministrisë, ministrisë së Brendshme, të Drejtësisë, Policisë së Shtetit, SHISH dhe gjithë institucioneve që kanë lidhje me luftën kundër drogës. Dokumenti i deputetëve kërkon raportimin e shifrave dhe të dhënave lidhur me luftën kundër drogës dhe dokumentet e ministrit Saimir Tahiri. Po kështu të dhëna më shkrim për emrat e drejtorëve të policisë që akuzohen për trafik droge dhe bashkëpunim me trafikantët. Përgjigja që kanë kthyer zyrtarët e institucioneve për parlamentin mund të hyjnë në historinë e skandaleve institucionale. Kryeministria thotë se nuk jep dot dokumente pasi janë sekret shtetëror. Ministria e Drejtësisë në vend të përgjigjeve u bën pyetje deputetëve se çfarë po kërkojnë të hetojnë. Policia dhe SHISH thonë se u duhet kohë për të përzgjedhur materialin. Përgjigjet që duken formale nga përmbajtja zyrtare, në fakt janë një shkelje ligjore. Parlamenti është institucioni, sipas Kushtetutës, që mund të kontrollojë institucionet e tjera të ekzekutivit. Kërkesa e deputetëve, e firmosur në cilësinë e anëtarëve të komisionit hetimor, ose zbatohet nëse ka dokumente ose kthehet përgjigje që nuk ka informacion. Por kur qeveria nis dhe i bën pyetje Parlamentit se për çfarë i duhen materialet, apo gjen njëmijë arsye për të refuzuar tregon se hetimi parlamentar e ka vënë në siklet mazhorancën. Është thënë se ish-ministri Tahiri mbetet kockë e fortë dhe ka fakte komprementuese për qeverinë e djeshme dhe të sotme, ndaj nuk ia mban askujt të flaës për të e aq me tepër ta çojë para drejtësisë, siç kërkon BE, SHBA dhe veçanërisht Gjermania.
Ajo që ndodhi në komisionin hetimor, pavarësisht justifikimeve juridike, nuk mund të përkthehet ndryshe veçse si mbrojtje politike e PS për Saimir Tahirin. Deputetët e PS-së u shfaqen me të njëjtat sjellje dhe argumente si në muajin tetor të vitit të kaluar, kur ndaluan prokurorinë që të arrestonte Saimir Tahirin. Janë të njëjtat skema dhe justifikime me të cilat socialistët sulmuan prokurorët duke e kthyer procesin nga hetim për ish-ministrin në hetim politik për Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Ndryshe nga muaji tetor me atë që po ndodh sot është se në këtë mbrojtje tani ka hyrë pa asnjë hezitim dhe hapur, kryeministri. Gjithë justifikimet e ministrive dhe SHISH për mos dhënien e informacionit duket se kanë dalë nga një zyrë. Sepse të gjitha këto institucione sot janë në varësi të kryeministrit Edi Rama dhe bllokimi i informacionit është bërë me urdhër politik.
Një javë më parë, gjatë vizitës në Gjermani, çështja “Tahiri” u kthye në temën kryesore të bisedave të Edi Ramës në Berlin. Deputetët e Bundestagut e thanë në Berlin dhe në mediat në Tiranë se prisnin që qeveria të lejonte hetimin e Saimir Tahirit nga Prokuroria. Është një kusht që tashmë i është vendosur Edi Ramës dhe si sfidë publike. Por dilema e ditëve të para të qeverisë se çfarë do të bëjnë me Saimir Tahirin duket se ka marrë fund. Dje socialistët treguan se do e mbrojnë kolegun e tyre, ndërsa Edi Rama la të kuptohet se nuk e lëshon ish-ministrin e tij. Në këtë mënyrë, PS duket se e ka vulosur dhe fatin e çeljes së negociatave në qershor. Arsyet e kësaj mbrojtje jashtë çdo logjike politike mund të kuptohen vetëm te deklaratat e pakta të Saimir Tahirit. Deklarata që ngjajnë si kode kërcënimesh për Ramën dhe qeverinë.
Sajmir Tahiri frikëson qeverinë dhe kryeministrin. Ai di shumë, por flet pak, bile me kode. Tamam si kodet e Siçilisë.
Q.Xhani