Edi Rama, plani “A”, “B” dhe plani “C”
Kryeministri ka folur për Skender Minxhozin. Ja intervista e tij për javanews.al. Ka folur për planin “A” dhe planin “B”, porse kujton se planin “C” e zotëron ai.
- Zoti Rama, sa besoni aktualisht se reforma nuk do të bjerë viktimë e makinacioneve politike, prej të cilave shumica qeverisëse u mundua ta mbajë larg procesin me këmbëngulje në muajt e shkuar?
Une besoj shumë se do te behet gjëja e duhur. Kam pritur më shumë perpjekje për ta penguar reformën. Ato kanë qenë mjaft të dobëta, po të kemi parasysh se sa të forta janë qëllimet dhe propozimet që permban kjo reformë.
Pra gjithçka deri me tash ka qenë fare normale, edhe sikur të kishte pasur shumë më tepër përpjekje për të ngritur pengesa, përsëri nuk do të kishte qenë anormale. S’ka reformë pa reaksion dhe kjo nuk është një reformë e zakonshme, është një tërmet! Prandaj nëse trendi i mëtejshëm do të jete ky i derisotmi, reforma do të kalojë pa stërmundime.
- A e konfirmoni qartë dhe prerë se në rast mosaprovimi të reformës në drejtësi, do të kemi zgjedhje të parakohshme?
Une s’flas asnjëherë me nëqoftëse dhe nuk shoh arsye për të menduar zgjedhjet, përderisa plani A është në rrugën e vet të natyrshme dhe as që është shtruar fare deri këtu nevoja për planin B!
Zgjedhjet do të ishin plani C, pra një mundësi shumë e largët që mbase do ta konsideronim nëse plani A nuk funksionon dhe nëse plani B nuk realizohet…
Por, thënë këto, jam plotësisht dakord me ata që kanë folur për zgjedhje nëse reforma s’kalon, në kuptimin që kjo reformë nuk mund të dështojë sikur asgjë s’ka ndodhur! Sepse është reforma që garanton të gjjtha reformat e tjera. S.MINXHOZI
Shenim i redaksise online te “Koha Jone”:
Plani “A” dihet, miratimi i draftit të reformës në drejtësi dhe Byroja Kombëtare e Hetimit. Planin “B” e ka thënë vetë Edi Rama në media nëse nuk miratohet, ndërsa planin “C” ai nuk e di plotësisht, sepse nuk është plan që e zotëron kryeministri. Plani “C” mbetet në dorën e dikujt tjetër në mazhorancë!